GJITHË SHENJTORËT E SHQIPËRISË
Sot, të dielën e dytë pas Rrëshajëve, në kishat kombëtare ortodokse kremtohen shenjtorët vendorë, si shenjë nderimi dhe lutjeje ndaj atyre që dëshmuan dhe u flijuan me martirizimin e ndërgjegjjes apo të gjakut, ata që bartën hirin dhe që rrezatojnë në histori me breroren e shenjtërisë. Kjo festë është njëkohësisht edhe falënderim e shpresë për besimtarët, për t’u ngritur mbi vetveten, për të ecur në udhën e paraardhësve në besim e virtyt.

Është bërë traditë tashmë që e diela pas të dielës së Gjithë Shenjtorëve, është festa e shenjtorëve vendorë; përveç Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASh), e cila drejtohet nga myslimanë të rekrutuar nga armiqtë historikë të kombit shqiptar.
Vlen të shënohet se e kremtja e sotme mbahet edhe në Amerikën e Veriut, ku nuk ka pasur përndjekje fetare dhe ku krishterimi ortodoks i ka fillesat vetëm në vitin 1794. Jo vetëm që janë shpallur shenjtorë misionarët e hershëm dhe figurat qendrore të Ortodoksisë Amerikane, por festa e Gjithë Shenjtorëve të Amerikës së Veriut është tashmë e pranuar nga të gjitha juridiksionet ortodokse, prandaj dhe ka edhe kisha të reja që themelohen e ndërtohen me këtë emër: “All Saints of North America”.

Kështu bëmë edhe ne në Kanada në vitin 2004, një vit pas themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare “Shën Asti i Durrësit” në Toronto, kur themeluam misionin “Gjithë Shenjtorët e Shqipërisë” në Montreal! Për parantezë, të dyja këto misione u mbyllën nga kryepeshkopi antishqiptar Janullatos në vitin 2005, ndërsa një vit më vonë u shfuqizua nga Statuti i KOASh-it neni mbi dasporën…
* * *
Përderisa kjo e kremte është bërë pjesë e traditës në gjithë Ortodoksinë, përse të mos pranohet kjo festë vendore edhe në Shqipëri, ku krishterimi është jo vetëm i lashtë, por dhe i njëhershëm e i bashkëqenshëm me vetë apostujt e Jezu Krishtit?
Këtë të kremte e mba në vendin tone vetëm Mitropolia e Gjirokastrës, e cila funksionon si kishë autonome e shkëputur nga trungu kombëtar: “Gjithë shenjtorët e Mitropolisë së Gjirokastrës”.
Edhe pse kemi një kishë autoqefale, KOASh-i shërben interesa të huaja shkombëtarizuese, duke zhdukur çdo lidhje historike që dëshmon trashëgiminë e lashtë vendore dhe përkatësinë identitare të shqiptarëve ortodoksë.
KOASh-i është e vetmja kishë autoqefale që shpërnjeh shenjtorët vendorë dhe që qëllimisht shkel figurat vendore të Ortodoksisë, martirët dhe dëshmorët e një komuniteti të kapur.
Ndryshe nga kishat e tjera ortodokse që pësuan dhe u persekutuan nën regjime ateiste, kisha jonë është e vetmja që nuk pranon shenjtërinë e martirëve vendorë të besimit ortodoks.

Ndërsa kishat ortodokse rumune, ruse etj, kanë shpallur shenjtorë të periudhës së përndjekjes komuniste, KOASh-i ka punuar me strategji për të ngjizur një brez të distancuar e madje mohimtar ndaj dëshmorëve tanë dhe figurave kombëtare të Ortodoksisë Shqiptare.
* * *
Kryepeshkopi i sotëm, Joani (Fatmir Abedin Pelushi) është shumë i kënaqur me shkeljet teologjike që janë bërë në kishat e ndërtuara nga shteti grek, ku përveç mbishkrimeve të imponuara greqisht janë kallur edhe ikona e afreske të Janullatosit, por trazohet shpirtërisht dhe nxihet në fytyrë kur flitet për nderimin e figurave themeltare të Ortodoksisë Shqiptare.
Nga ana tjetër, z. Pelushi shkoi në Stamboll javën e kaluar (në vitin 2025, vërejtja e Drinit) dhe bëri një kërkesë (greke) në Patrikanë për “çështjet minoritare në Epirin e Veriut”, në vend që të kërkonte tërheqjen e mallkimeve kundër gjuhës shqipe nga hierarkë të Patrikanës Ekumenike, pa harruar ndjesën që i detyrohet kombit shqiptar për vrasjet e urdhëruara prej hierarkëve të Fanarit ndaj klerikëve dhe mësuesve shqiptarë ortodoksë, për të vetmin “krim” se mësonin e lëvronin gjuhën amtare në kishat tona!

Nëse shenjtorët që u martirizuan në Shqipëri, që nga vitet apostolike e deri në vitet e përndjekjes komuniste, nuk mund t’i kremtojmë zyrtarisht sot, se KOASh-i qenka kishë e re dhe tëngëllima “Gjithë Shenjtorët e Shqipërisë” trazon e tremb, cila kishë autoqefale është përgjegjëse për të ruajtur kujtimin e tyre?
Le të shpresojmë se ikonat e vendeve të tjera që bashkëngjiten këtu, të nxisin edhe ikonografët tanë shqiptarë për të bërë një fillesë, për të përmbushur edhe detyrimin tonë në histori: Gjithë Shenjtorët e Shqipërisë!
* * *
Dy postime plotësuese
Gjithë shenjtorët e Bullgarisë:
Gjithë shenjtorët e Gjeorgjisë:



