
Halil Geci, Skenderaj
___
LDK – SHUMË KRYESI, PAK TRU . NJË RËNIE E KURDISUR NË SHËRBIM TË COPTIMIT TË KOSOVËS
___
Manual praktik si ta fundosësh një parti dhe ta quash këtë “qëndrim parimor”
Rasti LDK: nga trashëgimia e Rugovës te politika e vetëasgjësimit
LDK-ja e sotme është dëshmi pothuajse “shkencore” se si një parti mund të humbë gjithçka, sapo humb rrugën politike, kontaktin me realitetin dhe arsyen elementare. Kur një parti humb arsyen, ajo humb radhazi: vota, ndikim, drejtim dhe, në fund, edhe kuptimin e ekzistencës së vet politike.
Rënia e LDK-së në duart e njerëzve të ardhur si parashutistë nga qarqe anti-Kosovë dhe anti-LDK ishte e parashikueshme. Kur në krye të partisë vendoset një figurë e përgatitur për ta çmontuar, e jo për ta udhëhequr, fati është i vulosur: partia e Ibrahim Rugovës shtyhet drejt harresës me plan, me disiplinë dhe me arrogancë.
Për këtë humbje nuk mban përgjegjë vetëm kryetari. Fajtorë janë edhe ata që broçkullat politike të Lumirit i shndërruan në “qëndrime parimore”, që dështimin e paketuan si strategji dhe që pordhat politike i sublimuan në “aromë ideologjike” për rrethin e pordhëpirsve që e mbanin këtë projekt artificial në këmbë.
Të njëjtët njerëz, nga mëngjesi deri në darkë, e shanin Albin Kurtin, e etiketonin si “cernagor” dhe thonin se “s’paska asnjë varr në Kosovë”. Jo nga bindja, por nga servilizmi. Jo nga ideologjia, por për t’ia bërë qejfin Lumirit dhe klanit të tij politik tashmë të konsumuar. Ata jetonin me iluzionin se sharja do t’u sillte vota, se fyerja do të zëvendësonte programin dhe se urrejtja do të mbulonte boshllëkun.
Por harruan një të vërtetë elementare politike: Kurti nuk ndërton mbi varre, por mbi njerëz të gjallë. Ai ka pas vetes një armatë qytetarësh aktivë, ndërsa këta, duke u marrë me fyerje dhe etiketime, u shndërruan vetë në kufoma politike. Ata mbetën me varret e tyre, ndërsa Kurti ecën përpara me të gjallët. Historia është brutalisht e drejtë: të gjallët ecin, varret mbesin prapa.
Sipas logjikës së tyre të mbrapshtë, mbi 70% e popullit të Kosovës na qenkan “rusë”, vetëm pse e mbështesin Vetëvendosjen. Madje edhe vetë VV-ja, sipas kësaj propagande primitive, paska orientim rus. Me këtë aritmetikë qesharake, “rusë” po rezultokan pikërisht ata që e shtrinë sovranitetin e Kosovës cep më cep të territorit dhe që vendosën ligjin e shtetit aty ku dikur sundonte Beogradi.
Ndërkohë, “shqiptarë”, “djathtistë” dhe “shtetformues” po na dalin ata që ia jetësuan amanetin Rankoviçit: ata që ia dhuruan Serbisë veriun me Trepçë e Ujman; ata që e bekuan krijimin e dhjetë komunave serbe; ata që pranuan mbi 40 kisha serbe me status ekstraterritorial, duke i falur Serbisë ishuj sovraniteti brenda Kosovës. Dhe gjithë kjo, sipas tyre, paska qenë patriotizëm.
Këta mund të quhen djathtistë, por jo të LDK-së së Rugovës. Këta janë djathtistë të Sheshelit: djathtizëm i dorëzimit, i pazareve dhe i nënshtrimit, i maskuar me fjalë boshe për shtet dhe komb. Ata e dhanë tokën, pasuritë dhe sovranitetin — e sot shesin moral.
T’i quash “rusë” ata që mbrojtën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kufijtë e saj të njohur nga SHBA-ja dhe nga 122 shtete të botës, është kulmi i absurditetit politik. Por në universin paralel të LDK-së, faktet nuk vlejnë. Nuk vlejnë dokumentet ndërkombëtare, nuk vlen sovraniteti, nuk vlen ligji. Vlen vetëm sharja, etiketa boshe dhe vetëmashtresa kolektive.
Kur s’ke argumente, shpik armiq. Kur s’ke vepra, prodhon fyerje. Dhe kështu, dështimi shitet si ideologji, ndërsa fundosja e partisë quhet “qëndrim parimor”.


