Kujtime nga ndërtimi i shkollës së Muqibabës, një dëshmi e solidaritetit dhe vizionit arsimor
Me rastin e 40-vjetorit të përurimit solemn të objektit shkollor në Muqibabë, më 22 dhjetor 1983, rikthehen në kujtesë pamje dhe ngjarje që mbeten ndër më domethënëset në rrugëtimin tim profesional dhe njerëzor. Ishte një festë e madhe popullore, një ngjarje që tejkalonte përmasat e zakonshme të një inaugurimi, sepse përfaqësonte realizimin e një ëndrre kolektive në një vendbanim të largët malor.
Me shumë nostalgji i kujtoj ditët kur, bashkë me banorët vendorë, isha në ballë të aksionit për ndërtimin e shkollës në Muqibabë, një fshat me emër jo të zakonshëm, por me njerëz të jashtëzakonshëm. Në atë kohë, kjo shkollë shërbente për nxënësit e tri fshatrave: Muqibabë, Burincë dhe Lipovicë. Pas përfundimit të ciklit të ulët (klasat I–IV), vazhdimi i arsimit tetëvjeçar ishte tepër i vështirë, veçanërisht për vajzat, për të cilat shkollimi pothuajse nuk ekzistonte si mundësi reale.
Angazhimi im në Entin Pedagogjik, në cilësinë e këshilltarit për ciklin klasor, më dha mundësinë të vizitoj nga afër këtë shkollë dhe të shoh realitetin e trishtë të një objekti të amortizuar, me inventar të vjetruar, që më shumë ngjante me një pamje migjeniane të mjerimit sesa me një institucion arsimor.
Ndërtimi i shkollës kërkonte jo vetëm mjete financiare, por edhe një mobilizim të jashtëzakonshëm të komunitetit. Banorët e tri fshatrave u përgjigjën me përkushtim shembullor, duke kontribuar financiarisht dhe me punë fizike të palodhur. Takimi i parë me ta, ku morën pjesë në numër të madh, ishte dëshmi e vullnetit të tyre për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët.
Vetëm një javë pas marrëveshjes, arritëm të sigurojmë mijëra blloqe dhe material ndërtimor për fillimin e punimeve. Megjithatë, sfidat nuk munguan. Materiali ndërtimor mbeti disa qindra metra larg lokacionit, për shkak të mungesës së rrugës. Në një takim tjetër me banorët u organizua bartja e tij, dhe të nesërmen, në një ditë të dielë, dhjetëra të rinj e të moshuar realizuan me sukses aksionin e parë kolektiv.
Ndërtimi i themeleve të shkollës me pesë dhoma mësimi dhe hapësira përcjellëse u bë realitet falë sakrificës së jashtëzakonshme të këtyre banorëve. Mjetet financiare ishin të kufizuara, por me një organizim kreativ arritëm të sigurojmë përkrahje shtesë. Mbi pllakën e betonit, organizuam një takim me udhëheqës komunalë, drejtorë ndërmarrjesh dhe përfaqësues të Bashkësisë Krahinore të Arsimit.
Solidariteti u shndërrua në vepër. Ndërmarrje të shumta shoqërore, si “Prosveta”, “Kosovatransi”, “16 Nëntori”, “Zhito-Prometi”, “Jugotermi”, “Mlladosti” dhe të tjera, dhanë përkrahje financiare dhe materiale, duke e bërë të mundur finalizimin e projektit.
Dita e përurimit të shkollës mbetet një nga momentet më emocionuese të jetës sime. Ishte një festë e madhe popullore, ku i madh e i vogël dolën për të pritur mysafirët. Respekti dhe mirënjohja që banorët shprehën për punën dyvjeçare ishin shpërblimi më i madh moral.
Në këtë rrugëtim, dua të veçoj kontributin e jashtëzakonshëm të Shaban Rexhepit nga Burinca dhe Isës nga Muqibaba, të cilët ishin bashkëpunëtorët e mi më të afërt nga fillimi deri në përfundim të ndërtimit.
Ky përurim shënoi fillimin e një bashkëpunimi shembullor mes Bashkësisë Komunale të Arsimit në Gjilan dhe qytetarëve në shumë vendbanime të tjera, duke ndërtuar të ashtuquajturat “shkolla të vetëkontributit”, në një kohë tejet të vështirë politike gjatë viteve ’80.
Të gjithë kontribuuesit shpirtmëdhenj dhe nxënësit që për katër dekada u ulën në bankat e kësaj shkolle, i përshëndes përzemërsisht, kudo që ndodhen sot kishte shkruar Halim Vranovci./rajonipress/


