
Ibrahim Kelmendi, shkrimtar, Gjermani
REAGIM KUNDËR KOLONELIT DILAVER GOXHAJ
Meqë ushtaraku i Ushtrisë Shqiptare, labi Dilaver Goxhaj, kishte përgjegjësi të lartë ushtarake në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deri edhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm (Sh.P.), po i ofroj ca mendime e kritika për disa pasaktësi që i ka thënë ai në bashkëbisedim me zonjën Rudina Xhunga, moderatore e TV-emisionit SHQIP [emetuar më 10 qershor 2025].
Për ata që nuk i kanë përcjellë informimet, z. Goxhaj [në vazhdim të tekstit do ta përdor Goxhaj, meqë emri Dilaver më ngjan deshqiptarizues] është kooptuar nga “ndërmarrja e përbashkët kriminale” (NPK), siç janë akuzuar nga ZPS-ja, në mars 1999 dhe më 7 mars 1999, bashkë me Hashim Thaçin, janë nisur nga Tirana në drejtim të Maqedonisë për të hyrë prej andej në Kosovë. Z. Goxhaj ende nuk ka ofruar konkretizime: cili person ka qenë kooptuesi, nëse ai kooptues ishte kompetent ta bënte kooptimin drejt e në Shtab të Përgjithshëm dhe cila ka qenë marrëveshja mes tyre. Siç ka rrëfyer vetë Goxhaj, më 7 mars 1999 kanë rrugëtuar me xhipa në drejtim të Maqedonisë, për ta kaluar kufirin “ilegalisht”. Në anën tjetër i ka pritur kryepolici i Maqedonisë, z. Zymri Qamili.
Ai i ka shoqëruar deri në Jazhincë, ku prapë “ilegalisht” e kanë kaluar kufirin, që atëherë kontrollohej nga kufitarët serbë, dhe kanë hyrë në Kosovë. Kur e kam sqaruar z. Goxhaj se kryepolici Zymri ka qenë i ngarkuar nga DBK-ja (agjentura sekrete e Maqedonisë) ta bënte atë shërbim, nuk i ka ardhur mirë; atë shërbim Zymriu e ka bërë sa herë që Hashimi ka hyrë dhe ka dalë nga Kosova përmes Maqedonisë, duke e (sh)përdorur automjetin e policisë së Maqedonisë, që të evitoheshin kontrollet rutinore gjatë rrugëtimit nëpër Maqedoni. Në dosjet përkatëse të DBK-së duhet të jetë shënimi se ai shërbim i është bërë Hashimit, meqë ka qenë kërkesë e RDB-së së Serbisë (pararendësja e BIA-s)…
GOXHAJ [nga minuta 1 e bashkëbisedimit]: Më 10 qershor 1999 isha në Shtabin e Përgjithshëm në Katunin e Ri, në Drenicën e Poshtme. Një ditë përpara qe nënshkruar marrëveshja mes Serbisë dhe NATO-s. Neve nuk shkuam për fajin tonë në mbledhjen e Kumanovës. (…) UÇK nuk ishte prezent, sepse amerikanët kërkonin që duhej të ishte prezent shefi i Shtabit. Ishte Bislim Zyrapi, i cili e kishte drejtuar luftën dy vjet. Këta të ish-Drejtorisë Politike donin të ishin vetë, por nuk pranonin amerikanët. Pra, Thaçi këmbëngulte të ishte aty. (…) Megjithatë, nënshkrimi në Kumanovë ishte kapitullim i Serbisë para UÇK-së…
KELMENDI [koment/reagim]: Rrëfim paksa anekdotik, spekulues. Më 8 qershor 1998, Hashimi erdhi në Këln të Gjermanisë (i shoqëruar nga Bilall Sherifi), meqë aty po mbahej Samit ndërkombëtar për Kosovën, nën patronazhin e Kancelarit të Gjermanisë. Hashimi donte të ishte pranë atij samiti për të takuar ndonjërin nga kryeministrat e presidentët e shteteve pjesëmarrëse. Fatkeqësisht, pati ndodhur ndalimi rreth dyorësh i Hashimit në aeroport, meqë e kishte të ndaluar hyrjen në Gjermani. U dashtë t’i bëja ca telefonata funksionarëve gjermanë që t’i mundësohej Hashimit hyrja në Gjermani.
Mund që Z. Goxhaj, për një moment, nuk është mjaftueshëm i vëmendshëm kur e dyzon UÇK-në në ushtri dhe në organizatë politike. Unë përherë e kam pas dhe e kam mendimin se UÇK, pos emrit, nuk kishte pothuajse asgjë ushtarake, nga ato që i kanë ushtritë klasike, sado që kemi simuluar sikur kemi formuar ushtri. Në fakt, ushtri formojnë shtetet, dhe jo organizatat politike, siç ishte Lëvizja jonë.
Arsyetimi i Z. Goxhaj se UÇK ishte ushtri dhe organizatë politike, sepse LPK paskësh qëndrua jashtë Kosove, nuk është i saktë. Lëvizja ishte në Kosovë dhe kishte Degë edhe në Emigracion. Pothuajse të gjithë militantët të Lëvizjes në Kosovë, që kishin moshë e vitalitet fizik për të qenë guerilë, ishin bërë guerilë të UÇK-së, ndërsa ata që nuk ishin adapt apo frikacakë vazhduan të ishin vetëm në LPK. Fatkeqësisht Z. Goxhaj i ka bërë këto shkarje, duke u mundua me i arsyetua eprorët e ti, që ishin kapo të NPK-së.
Jo vetëm për Z. Goxhajn, por edhe për të tjerë bashkatdhetarë në Shqipëri, po ofroj informacionin, se NPK-ja ishte një kompilim nga RDB-ja e Serbisë (pararendësja e BIAs) dhe DGSE-ja franceze, të cilat ishin bashkë-angazhuar për ta komplotua Kosovën, më konkretisht, për ta komplotuar UÇK-në. Ajo NPK përbëhej nga krerët Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Nait Hasani, Rexhep Selimi…
Nga njohuritë e grumbulluara deri tani, organizimet klandestine në Kosovë, – të cilët quheshin e quhen gabimisht organizata ilegale, – kanë pas jetëgjatësi dhe përmasa e kapacitet, varësisht sa ishin të kapura nga agjenturat sekrete jugosllave (që për lehtësi komunikimi po i përfshi të gjitha nën akronimin famëkeq: UDB). Në shumë raste vetë UDB i formonte ato organizata, sepse i përdornin si preventivë kundër angazhimeve çlirimtare. Ato duhej të peshkonin të interesuar për veprimtari klandestine çlirimtare dhe në momentin e volitshëm i burgosnin.
Jam befasuar kur Jusuf Gërvalla më pat informuar: “UDB-ja, duke formuar organizata ilegale për qëllime komplotiste, e ka mbajt frymën gjallë për angazhime të fshehta çlirimtare. UDB-ja, përmes atyre komploteve, i mbushte burgjet me të burgosur politikë shqiptarë dhe kështu rritej pakënaqësia popullore kundër regjimit titist…” [perifrazim] Për keqardhja ishte fakti, se vet Jusufi nuk e ka ditur që ishte militant në organizatë të formuar nga UDB-ja dhe e vlerësonte pothuajse si idhull kryetarin e organizatës Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), rrobaqepësin autodidakt e gjysmanalfabet, Sabri Novosella, i cili ishte marionetë e UDB-së dhe ia delte ta manipulonte e viktimizonte edhe Jusufin!
Meqë kam përjetime konkrete, tipike ishin organizatat e formuara nga UDB-ja: LNÇKVSHJ, kryetar i se cilës ishte caktuar marioneta e UDB-së, Sabri Novosella, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ), kryetar i së cilës ishte oficeri profesionist i UDB-së Abdullah Prapashtica, Grupi Komunist Zëri i Kosovës, kryetar i se cilës ishte Riza Salihu; fatkeqësisht edhe unë jam bërë bashkëthemelues i Frontit të Kuq Popullore (FKP), i formuar në vitin 1978 me insistim të UDBashit Xhevat Ramabaja. Për Grupin Revolucionar, i avancuar në Organizata Marksiste-Leninist e Kosovës (OMLK), që udhëhiqej nga Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni e Kadri Zeka, nuk kam kisha e nuk kam informacion. Por edhe pothuajse të gjithë anëtarët e saj qenë burgosen gjatë vere 1981. Që do të thotë se UDB-ja duhet të ketë pas njeri të saj në krye të OMLK-së, i cili ka pas qasje në evidencën e emrave të anëtarëve…
Fatkeqësisht, po më rezulton se edhe OMLK-ja e dytë, formimin e të cilës e ka simuluar Xhabir Morina, në vitin 1983, duhet të ketë qenë pjellë e UDB-së. Ende nuk jam përcaktuar cilët ishin pjesëtarë të NPK-së që e “udhëheqte” atë organizatë. Tashmë jam i bindur se NPK e OMLK-së se dytë (me kuadër edhe Xhavit Halitin) ia doli të ishte komplotistja kryesore e Lëvizjes dhe e UÇK-së gjatë viteve 1993-1999.
Edhe LR(S)SHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi), e formuar më 16 janar 1982 (siç ka informuar Ambasada shqiptare në Turqi Ministrinë e jashtme në Tiranë, me kabllogram të datës 16 janar 1982), e “zyrtarizuar” me datë themelimi më 17 shkurt 1982, ishte pjellë e UDBashëve Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica, ndoshta e ndihmuar nga marionetat e UDB-së që ishin kuadro të lartë në Sigurimin e Shqipërisë, siç duhet të ishin Bujar (kadri) Hoxha, Ajet Haxhia, Sali Shatri…
Kryetari i delegacionit, Hashim Thaçi, i imponuar nga DGSE-ja franceze dhe RDB-ja serbe, refuzoi ta nënshkruante atë marrëveshje më 23 shkurt 1999, jo pse ishte patriot konsistent, por sepse ashtu e komanduan ato dy shërbime armiqësore, nga se përmes refuzimit nga Hashimi, Kosova barazohej në faj me Serbinë. Anëtarët tjerë të delegacionit, që ishin pro nënshkrimit më 23 shkurt 1999, për arsyet që nuk i di, nuk u rrebeuan kundër Hashimit. Hamendësoi se nuk guxonin nga eprorët e tyre, të cilët i kishin bërë anëtarë të delegacionit…
Fatmirësisht qysh më 23 shkurt 1999 u kuptua se Hashimi po komandohej nga DGSE-ja, konkretisht nga Z. Danjean Arnaud, prandaj u shty ndërprerja e Konferencës deri sa amerikanët, anglezët, gjermanët, e binden Kryetarin e Francës që ta urdhëronte DGSE-në për ta ndryshuar qëndrimin refuzues. Më 18 mars 1999 marrëveshja u firmos nga Delegacioni shqiptar në Paris. Por, kjo zvarritje i pat krijuar Serbisë hapësirë kohore 23-ditore për ta shtuar praninë e forcave të armatosura në Kosovë. Nënshkrimi më 18 mars 1999 nuk ishte rezultat i mirëkuptimit të Hashimit me komandantët e zonave, por rezultat i ndërhyrjes se Presidentit të Francës…

GOXHAJ [nga minuta 23]: Anëtarët e Lëvizjes e kishin obligim të paguanin 1000 Marka në muaj në Fondin “vendlindja thërret”. Anëtarët e LPK-së.
KELMENDI: Me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së në dhjetor 1993, emigrantët, anëtarë të LPK-së, e kishin obligim të paguan NJËMIJË Marka (DM) në vit në Fondin “vendlindja thërret” dhe nga 50 Marka anëtarësi mujore, nga të cilat 60 % kalonin në Fondin “vendlindja thërret”.
GOXHAJ [nga minuta 24]: Në një kuvend të veteranëve në Prishtinë në vitin 2004 pata kërkuar të paraqitej llogaridhënie për mjetet e Fondit “vendlindja thërret”. Ca që dukej se kishin qenë pjesë e Fondit kërkuan të zbrisja nga foltorja. (…) Që atëherë Hashimi ma hoqi statusin e veteranit të luftës.
KELMENDI: Meqë Z. Goxhaj nuk e kishte informacionin burimor, po e informojë se Fondin “vendlindja thërret” e ka formuar LPK në dhjetor 1993. Përgjegjësitë e Fondit zgjedheshin nga Këshilli i Përgjithshëm. Fillimisht kryetar ishte Musa Xhaferri, pastaj Jashar Salihu. Edhe unë kam qenë i zgjedhur në Këshill të Fondit. NPK-ja ka bërë përpjekje disa herë për të bërë puç, duke e fut në kthetra krejt Fondin, por Këshilli i Përgjithshëm ka rezistuar…
Nga maji 1998, kur u binda se NPK-ja po sabotonte dhe komplotonte UÇK-në dhe luftën e saj, në marrëveshje gjentlemene me Jashir Salihun, e “kapa” Fondin në Gjermani, që aty e tutje të mos i dorëzohej mundësisht asnjë qindarkë NPK-së (Xhavit Halitit), siç i ishin dorëzuar përherë, por të ndihmoheshin shtabet e zonave operative (kur ato të kërkonin ndihmë) dhe sektori i logjistikës. Inxhinieri Agim Reshani (shok i Hashimit dhe Kadriut), me banim në Dyseldorf, bashkëpronar i kompanisë DITURIA, na pat programuar databazë elektronike për evidencë të mjeteve financiare dhe për lëshim të autorizime për veprimtarët e autorizuar të Fondit.
Nga maji 1998 të gjitha të hyrat në Fond i kemi legalizuar përmes xhirollogarisë bankare (banka Sparkasse Bonn), sepse ajo që këshillë edhe e LVS (“udb” gjermane për Republikën ku ishte selia e Fondit), nga se Fondi në Gjermani, i vetmi në botë, e kishte statusin zyrtar të bamirësisë humanitare. Në mbarim të luftës, ndoshta menjëherë më 10 qershor 1999, Adem Graboci, si “ministër” i financave në “qeverinë Thaçi”, bëri puç kundër Fondit, duke e shpall atë “fond të qeverisë së përkohshme”. Si shef të Fondit në Gjermani e emëroi Kushtrim Haderxhonajn…
Një ditë më vonë lëshova komunikatë publike se Fondi “vendlindja thërret” në Gjermani mbyll veprimtarinë.
Meqë kisha prioritet kthimin sa më të shpejt në Kosovë, pas 24 viteve në ekzil, nuk përgatita raport financiar për organizatë as për publikun. Ishte punë e kollajshme, sepse administrata e Fondit kishte evidentuar në databazë secilën qindarkë hyrëse dhe dalëse. Kur u nisa drejt aeroportit në Hamburg në agimin e hershëm të 15 qershorit 1999, për të fluturuar për Tiranë (me “Malev” hungarez), BKA (Endi federativ gjerman për kriminalistikë) ka bastis banesën në Këln, zyrën në Bonn dhe banesat e shumë veprimtarëve të Fondit. Me atë rast i ka konfiskuar të gjitha mjetet financiare, kompjuterët dhe gjithë dokumentacionin, me akuzë se kemi financuar UÇK-në terroriste. Mezi ia kam dalë të arratisem nga Gjermania.
Këto zhvillime patën pamundësuar llogaridhënien për Fondin në Gjermani, edhe pse nuk e kishim të nevojshme dhe të domosdoshme, meqë LPK e zhbëri ekzistencën e saj në Kuvendin e shtatë, mbajtur në fund të qershorit 1999 në Prizren.
Besoj, Z. Goxhaj vazhdon me e pas statusin zyrtar të veteranit të UÇK-së, siç e kam pa në listën zyrtare, publikuar në portalin zyrtar të qeverisë, por duhet ta kenë hequr nga pagesa (170 Euro në muaj) sepse në ligjin përkatës është precizuar që ndihmë marrin vetëm veteranët që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër të rregullt financiare, nga puna, pensioni… E këshilloj të informohet me përcaktimet që i përmban Ligji për veteranët dhe nëse i është bërë padrejtësi ligjore, le ta denoncon Ministrinë që i paguan ndihmat për veteranë.
GOXHAJ [nga minuta 25]: Bukoshi raportoi në kuvend dhe ato që i kishte në gjendje i dorëzoi në Bankë të Kosovës. Nuk ka fakte që ai ka shpërdorua…
KELMENDI: Për kohën që po flet Z. Goxhaj Kosova nuk kishte as Kuvend dhe as bankë, por “kryeministri” Bukoshi ka “raportuar” para ca bashkëveprimtarëve të tij. Ta zëmë, unë moti e kam publikuar një informatë të një funksionari të lartë gjerman, i cili qe bërë edhe këshilltar i kryeshefit të UNMIK-ut, më vonë qe dërgua në ambasadën gjermane në Beograd (Axel Dittmann). Ai, në një gosti që pata shtruar për hir të ardhjes se Bukurie Gjonbalajt e Migjen Kelmendit, në fund të prillit 1999, “rastësisht” pat thënë se Bukoshi dhe Mustafa i kishin transferuar 500 milionë Marka të Fondit të 3-përqindshit në Beograd, në fillim të prillit 1999, por nuk kishin informata konkrete, kujt ia kishin dorëzuar dhe përse i kishin transferua…
GOXHAJ [nga minuta 33]: Me kërkesë që i është bërë [Bukoshit] nga Shtabi i Përgjithshëm (…) Ahmet Krasniqi, ministri i mbrojtjes, i dha 20 milionë marka Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
KELMENDI: Vazhdon me u përmend kjo shifër edhe nga Z. Goxhaj, edhe pse nuk është ofrua asnjëherë dëshmi konkrete, si për raste të tjera. Në fakt Bukoshi i ka dhënë ndihma edhe më herët NPK-së, por jo për ta ndihmuar UÇK-në, por për ta forcuar NPK-në që ta komploton sa më shumë UÇK-në dhe LPK-në. Qysh në verë 1996 është bë marrëveshje klandestine mes Xhavit Halitit dhe Bujar Bukoshit (në Rosenheim të Gjermanisë, me ndërmjetësim të Adem Demaçit), për 30 mijë DM ndihma mujore. Xhaviti vetë shpesh e ka përsërit se nga “ministri” Ahmet Krasniqi ka pranuar vetëm 4 milionë DM ndihma. Në ndërkohë që publikuar edhe kërkesa e Jakup Krasniqit dhe Bislim Zyrapit, që ia kanë bërë “ministrit të mbrojtjes” Halil Bicaj (pasuesit të Ahmet Krasniqit), për ta ndihmuar UÇK-në me 4 milionë DM. Ato i janë dorëzuar korrierit të NPK-së, njëfarë Burim Marmullakut dhe ende nuk dihet “korrieri” kujt ia ka dorëzuar ato 4 milionë DM!!
GOXHAJ [nga minuta 35]: Në gjykatë speciale është ngrit akuza se UÇK-ja është organizatë terroriste…
KELMENDI: Shpifje ordinere! Nuk e di pse e përsërit edhe Z. Goxhaj këtë shpifje. Në aktakuzë akuzohen ca persona konkret që shisnin taraf se ishin krerë e komandantë të UÇK-së, por që tani po e mohojnë. Ata persona, Hashimi & Co, janë akuzuar si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” (NPK). Fatkeqësisht ishin NPK por kundër UÇK-së…
– Lavdi dëshmorëve dhe UÇK-së se Vegjëlisë çlirimtare, e cila, pos Serbisë, sfidoi edhe NPK-në, pacifistët e Rugovës, bandën e KM Nano dhe sabotuesi e profiterët e luftës tonë çlirimtare!
***
Këtu intervista e Zotëri Dilaver Goxhajt:


