Nga Armirë Shaqiri Më 17 shkurt 2026Sot Kosova është në festë, duke shënuar Ditën e Pavarësisë – momentin historik kur më 17 shkurt 2008 shpalli shtetin e saj të pavarur.
Kjo datë simbolizon sakrificën, qëndresën dhe rrugëtimin e gjatë drejt lirisë, duke bashkuar qytetarët brenda dhe jashtë vendit në krenari dhe festime.
Përkundër këtij vlerësimi, që i atribuohet meritave të SHBA-ve dhe vendeve perëndimore, historiani Jusuf Buxhovi shfaqet shumë kritik ndaj pjesës më të madhe të politikanëve tanë nga pavarësia e deri në ditët tona, që me sjelljet e tyre të papërgjegjshme ndaj shtetit të Kosovës kanë ndikuar që çlirimi të mos kthehet në liri në kuptimin e plotë të sistemit të vlerave dhe, as parlamentarizi, të mos kthehet në demokraci!
Intervista e plotë:
J. Buxhovi: Shteti i Kosovës është e arritura më e madhe në këtë shekull. Nga aspekti historik ajo rikthen një pjesë të mbretërisë së Dardanisë, që bashkë me Mbretërinë e Maqedonisë dhe të Epirit, paraqesin qendrën e antikitetit. Ky rikthim historik u mundësua nga ndryshimet gjeostrategjike dhe gjeopolitike në fund vitet e shekullit të kaluar. Ndryshimi gjeostrategjik, lidhet me rënien e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, me ç’ rast, rënia e detantit gjysmëshekullor u përcoll me rënien e Paktit të Varshavës dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Ndërsa ndryshimi gjeopolitik, me të cilin iu hap rruga shtetformimit të Kosovës, lidhet me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë së AVNOJ-it në gusht të vitit 1991 me vendimet që dolën nga Konferenca e Hagës. Në këto kohë të kthesave të mëdha historike, vendimtar ishte përcaktimi për botën perëndimore, si formulë e Rilindjes Kombëtare, e kthyer në kërkesë politike të lëvizjes Kombëtare të fundviteve të tetëdhjeta dhe të fillim viteve të nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj historik Ibrahim Rugova. Kjo Kosovën e ktheu në interes gjeostrategjik të perëndimit, për ç’gjë NATO edhe intervenoi ushtarakisht ndaj Serbisë nga 24 marsi deri më 19 qershor 1999.
Ku kuadër historik, i parë nga këndvështrimi i sotëm, shtetin e Kosovës, strategjikisht e gjen në anën e duhur, pra në kuadër të aleancës me Perëndimin (SHBA-të, NATO-n dhe BE-në paçka se disa anëtarë të saj ende nuk e njohin formalisht pavarësinë). Kjo u pa edhe me rastin e lëvizjeve të fundit politik të presidentit amerikan, ku Kosova shfaqet pjesë e aleancës me SHBA-të.
Por, pozicioni i sigurte gjeostrategjik, nuk paraqet relevantë gjeopolitike. Përkundrazi, ne shohim se shteti i Kosovës, viteve të fundit po e humbë rëndësinë gjeopolitike që e kishte. Nga qendra e dikurshme, po kthehet tek periferia me rrezikun që nga subjekti politik të degradohet në objekt politik për kusuritje?
Humbja e ndjeshme e kredibilitetit politik në raport me aleatët perëndimor, ka të bëjë edhe me dy faktorë të brendshëm, tejet shqetësues. Ngaqë çlirimi nuk është kthyer në liri, pra në një sistem vlerash që krijojnë shoqëri të lirë me mirëqenie. Dhe, po ashtu, parlamentarizmi nuk është kthyer në demokraci.
Ndërsa faktori i dytë – dështimi i parlamentarizmit që të kthehet në demokraci, siç ndodhi edhe me vjedhjet masive të votave të fundit përbrenda subjekteve politike, por askush nuk dha përgjegjësi, parlamentit të Kosovës ia jep atributet e një kuvendi feudalësh, te një sofre oligarkësh dhe plaçkitësish, të cilët votën e abuzojnë në mënyrën më të shëmtuar kriminale! Sot, garniturat parlamentare, që janë pothuajse të njëjta prej njëzet vitesh, vinë nga feudet e njëjta, me logjikë fisnore pse jo edhe mafioze. Ato ushqehen nga klientela “stabile”, siç janë veteranët e rremë (mbi 40 mijë sosh), elektorati i feudeve të lidhura me haraçin dhe elektorati i mejtepeve dhe xhamive. Këtu bën një ndryshim të vogël elektorati i diasporës, që kërkon ndryshimin me çdo kusht, me shpresën se Kosova përmes votës së tyre të pastër, të lirohet nga monopoli politik i kontaminuar prej vitesh prej nga kanë ikë.
“Bota Sot”: A njeh historia një emër kyç që simbolizon lirinë dhe pavarësinë e Kosovës?
J. Buxhovi: Shtetndërtimi i Kosovës, paraqet një proces të gjatë historik, përpjekjesh dhe sakrificash të vazhdueshme për çlirim nga pushtimi serbo-jugosllav si dhe për çlirim nga ideologjia komuniste. Ky rrugëtim nuk do të ishte i mundur pa SHBA-në si përkrahës kryesor i këtij procesi dhe NATO-n, që përmes ndërhyrjes ushtarake, çliroi Kosovën. Pra, ky emër kyç është: SHBA dhe NATO.
J. Buxhovi: Ideja e bashkimit kombëtar është e drejtë historike, që ka lindur në rrethanat e shqiptarizmit politik dhe e sforcua pas vendimeve të Konferenca e Londrës të vitit 1913 kur shqiptarëve iu vu kufiri i ndarjes përgjysmë. Si e tillë, me retorikë folklorike dhe ideologjike jetoi për shumë kohë. Por, ndryshimet politike dhe gjeostrategjike të kohës, që e prodhuan shtetin e Kosovës, kësaj formule ia ndryshuan konfigurim, meqë pos formulimeve në kushtetutat e të dy shteteve që përjashtojnë bashkimet, janë edhe faktorët tjerë kulturor siç është identiteti kosovar, si krahinor, në rrugë e sipër, që të kthehet edhe në identitet shtetëror, gjë që është fare e natyrshme. Identiteti shtetëror kosovar sot gjithnjë e më shumë shfaqet rivalizues (në kuptimin pozitiv) me atë të shtetit shqiptar, në sport, kulturë, ekonomi po veçmas në politikë, meqë dy shtetet shqiptare në Ballkan, paraqesin një favor të madh gjeopolitik rajonal. Kjo nuk e përjashton mundësinë, që kërkesa tradicionale e bashkimit kombëtar, e riformuluar në kuadër të neoshqiptarizmit, të shtrohet si kërkesë për një federate apo konfederate shtetërore, gjithnjë në përputhje me vullnetin demokratik të të dy shteteve dhe në bashkëveprim të plotë me aleatët perëndimorë. Hapja e këtyre temave, siç ndodhi para do kohe, përmes shkëmbimit të territoreve me Serbinë, apo të ngjashme, i sjellin dëm stabilizimit të të dy shteteve shqiptare në Ballkan. Kështu që, tash për tash, prioriteti politik dhe diplomatik i dy shteteve shqiptare është stabilizimi nga brenda dhe nga jashtë, integrimi sa më i plotë me strukturat veriatlantike dhe ato europiane.
“Bota sot”: A ka qenë e duhura qasja jonë ndaj Serbisë, apo nevojitet ndryshim?
J. Buxhovi: Shteti i Kosovës, është ndërtuar mbi konsensusin e vendeve perëndimore të udhëhequra nga SHBA-ja si një vend demokratik, që merr përsipër garantimin e të drejtave të minoriteteve edhe përmes diskreditimit pozitiv në parlament dhe institucioneve të tjera të shtetit. Pakoja e Ahtisarit është parë si një kornizë mbi të cilën duhet të arrihet ky standard, e ku parashihet edhe asociacioni i komunave serbe, pa kompetenca ekzekutive. Kjo pako garantuese ndaj minoriteteve, ka paraparë edhe një varg çështjesh të tjera nga e kaluara, që duhet të rregullohen me Serbinë, për të ardhur te një marrëveshje historike midis dy shteteve, paçka se kjo së paku në aspektin de jure, duket e pabesueshme nga ana e Beogradit. Sidoqoftë, vendimi i GJND-së i gushtit të vitit 2010, Kosovës ia ka kthyer tapitë shtetërore për dallim prej atyre historike, që me Pakon e Ahtisarit iu dhuruan Serbisë (krishterimi ortodoks dhe objektet e kultit – pronësi e Kishës Ortodokse serbe), sado që politikisht kjo nuk mori rrugën e duhur. Marrëveshjet e vitit 2013 si dhe ato të parimeve të vitit 2017, të dirigjuara edhe nga ndërkombëtarët, devijuan dukshëm nga parimet kushtetuese, meqë lejuan që strukturat paralele serbe në veri të drejtuara nga Serbia e të lejuara nga UNMIK-u dhe KAFOR-i gjatë kohës së protektoratit, në emër të integrimit, të kthehen në struktura të njëmendta paralele, të kthimit të shtetit në shtet, siç lejuan që Beogradi përmes “Listës serbe”, të kthejë ndikimin politik në Kosovë. Kjo solli edhe deformimet tjera, meqë bisedimet gjoja teknike midis Kosovës dhe Serbisë, nën mbikëqyrjen europiane, u kthyen në bisedime politike, të cilat Beogradi, pak nga pak, filloi t’i kthejë në favore të veta. Pushteti paralel në veri, krijoi fakte me dhunë, gjë që shtetin e Kosovës e privoi nga prania administrative dhe politike në Veri. Tolerimi i kësaj gjendje ishte gabim i madh, gjë që me ardhjen në pushtet qeverisë Kurti – 2, filloi të ndryshojë, qoftë edhe jashtë marrëveshjeve paraprake, që për pasojë pat vënien e sanksioneve dhe ftohjen e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, përfshirë edhe SHBA-të. Sidoqoftë, me apo pa pëlqimin nga jashtë, Kosova ia doli që të eliminojë strukturat paralele në veri, veçmas pas sulmit terrorist në Banjë, duke e shtrirë sovranitetin policor, por jo edhe atë politik, që u hapi udhë reagimeve ndërkombëtare, veçmas atyre europiane. Por, edhe në këtë “ecejake krynvete”, përkundër vërejtjeve dhe sanksioneve nga europianët dhe SHBA-të, Kosova ruajti raportet strategjike me NATO-n dhe SHBA-të. Pra, Perëndimi, ndaj veprimeve “të njëanshme” të qeverisë Kurti, reagoi politikisht madje edhe përmes disa sanksioneve, por pa pasoja për sigurinë e Kosovës, gjë që len për të kuptuar, se kjo kartë, ndër shumë sosh në pokerin diplomatik dhe politik nga jashtë, ishte në lojë. Kjo gjen mbështetje edhe te vazhdimësia e paprekur e raporteve të sigurisë së Kosovës me SHBA-të dhe NATO-n, që shfaqen edhe më të lidhura, që tumirë atë që u tha në fillim, se Kosova gjeostrategjikisht mbetet e në sferën e SHBA-ve, NATO-n dhe Perëndimit, por me pikëpyetje për tretmanin gjeopolitik, veçmas kur dihet se SHBA-të paqen midis Ukrainës dhe Rusisë, e lidhin edhe me futjen e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kudër të Aleancës Veriatlantike, ku edhe Serbia përfshihet. Përfshirja e Serbisë në këtë ekuacion, mund të ketë pasoja për tretmanin e Kosovës, me koncesione ndaj Beogradit, të lidhura nga Marrëveshjet e Brukselit dhe parimet e Ohrit, obligative ndërkombëtarisht, paçka se Kurti po mundohet “të eskivojnë” me nënshkrim apo mosnëshkrim të tyre nga Serbia. Pika e shtatë e marrëveshjes, parasheh autonomi hapësinore, ekonomike, institucionale në formë të vetëqeverisjes plus asociacionit, që e lëndojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës, sidomos çështja e arbitrazhit ndërkombëtar kur nuk ka marrëveshje midis pushtetit qendror dhe atij komunal. Kjo ka ndikuar edhe krizën parlamentare prej një viti, së cilës, këto ditë, me zgjedhjen e qeverisë Kutri 3, i erdhi fundi. Në këto rrethana, qeverisë Kurti, me shumicë numrash, i ngushtohet e gjithë hapësira e deritanishme e manovrimeve, meqë e ballafaqon me sfidën e pashmangshme të zbatimit të marrëveshjeve edhe me diktatin: merr ose lë, që mund t’i vijë nga pokeri diplomatik dhe politik i Trampit. Që t’i ikë këtij diktati, qeveria Kurti, ngarkohet me përgjegjësi historike.
J. Buxhovi: Kritikat nga aleati ynë SHBA-ja dhe vendet europiane, vinë për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të klasës politike, të mëparshmes dhe të tashmes, që të përmbushen marrëveshjet ndërkombëtare për asociacionin e komunave serbe, të filluar qysh në vitin 2013 dhe të zvarritura qëllimisht edhe atëherë kur faktori ndërkombëtar ka qenë i gatshme që të gjejë zgjidhje përmes nismave të ndryshme, në mënyrë që të mos ketë konflikt të papërfunduar midis Kosovës dhe Serbisë, që është edhe interes strategjik dhe politik i Perëndimit për ta mbajtur rajonin jashtë fokusit të Moskës për destabilizim, veçmas pas agresionit rus në Ukrainë.
Edhe pse sot qeveria aktuale e Kosovës është me disa sanksione europiane dhe e privuar nga takimet më të larta zyrtare me administratën amerikane, megjithatë, ajo që mund të quhet “ftohje politike”, nuk vlen për çështjet e sigurisë jetike, ngaqë KAFO-ri është përgjegjës për sigurinë shtetërore të Kosovës, me çka përjashton çfarëdo retorike politike rreth “rrezikimit” nga Serbia kur dihet se kjo paraqet luftë me NATO-n që dihet se çfarë epilogu mund të ketë për çfarëdo aventure ushtarake të Beogradit. Është parë se edhe atëherë kur Uashingtoni ua ka mbyllur dyert qeveritareve të Kosovës, bashkëpunimi ushtarak me SHBA-të dhe NATO-n në fusha të rëndësishme të sigurisë dhe mbrojtjes edhe është intensifikuar.
Kjo tregon se SHBA-të, Kosovën dhe Shqipërinë i konsiderojnë aleatë të rëndësishëm strategjik; se Kosova dhe Shqipëria në NATO paraqesin një nyje të rëndësishme të sigurisë perëndimore në rajon.
Kjo megjithatë, nuk do të thotë se shtetet shqiptare (Shqipëria dhe Kosova) nuk duhet t’u përshtaten rrethanave të reja ndërkombëtare kur rendi i ri botëror po u nënshtrohet ndryshimeve të mëdha gjeostrategjike dhe gjeopolitike.
“Bota sot”: Si janë shqiptarët sot, cili është mesazhi juaj për bashkëpunimin mes politikanëve shqiptarë?
J. Buxhovi: Nëse me pyetjen si janë shqiptarët sot, nënkuptohet gjendja e përgjithshme e tyre në të dy shtetet (Shqipëri dhe Kosovë), atëherë, mund përsëritet ajo që u tha më sipër: gjeostrategjikisht si aleatë të SHBA-ve dhe NATO-s, i takojnë hemisferës perëndimore, përkatësi kjo që shqiptarëve u ka munguar në rrethanat kyçe historike, së paku të atyre nga Kriza Lindore e këndej, kur është vendosur për fatin e popujve evropian para, në prag dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Por, pozicioni tejet i përshtatshëm gjeostrategjik dhe ai gjeopolitik i shqiptarëve në rajon, nuk është në përputhje me sjelljen e faktorit politik në të dy shtetet. Elitat politike dhe ato qeveritare në Tiranë dhe Prishtinë, nuk çajnë kokën për bashkëpunimin e ndërsjellë midis dy shteteve, që ai të jetë i gjithanshëm dhe në përputhje me synimin e një integrimi kulturor, ekonomik e politik në mënyrë që kufiri i tyre të mos hetohet fare. E përbashkëta e kësaj sjellje absurde, nxjerr në pah modelin e njëjtë politik të qeverisje në Tiranë dhe Prishtinë, ku shteti shihet si një feud për plaçkitje dhe shfrytëzim të gjithanshëm! Për fat të keq, kjo ka ndikuar që Shqipëria dhe Kosova, gjatë këtyre njëzet viteve të tranzicionit të zbrazën nga popullata e re, përmes një eksodi të paparë historik, që po vazhdoi kështu, demografikisht, Shqipëria e Kosova, do të përballohen me murtajën e bardhë. Ndërkohë që mungesa e të rinjve, do të plotësohet me emigrantë nga Lindja e Mesme dhe e Lagët dhe Afrika!


