Kur argumentet zbehen, kallëzimi penal bëhet strehë !
Kallëzimi ndaj Musë Musës (Gjergj Musës) lë përshtypjen se synon më shumë të frikësojë një zë kritik sesa të zgjidhë një çështje juridike. Në një shtet demokratik, mendimi nuk luftohet me kallëzime penale, por me argumente.
Në vlerësimin tim, shqetësimi i vërtetë nuk është Musë Musa, por fakti se gjithnjë e më shumë shqiptarë po flasin hapur për identitetin e tyre kombëtar, për trashëgiminë historike dhe për karakterin laik të Republikës së Kosovës. Ky është një debat legjitim në një shoqëri të lirë. Nëse kjo prirje e shqetëson dikë, ai shqetësim është i tij, jo i qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u shprehur.

Sarkazma e kësaj historie është e thjeshtë: kur nuk arrin ta fitosh debatin me fjalë, përpiqesh ta zhvendosësh në zyrat e prokurorisë. Por idetë nuk mposhten me dosje dhe bindjet nuk ndryshohen me kallëzime.
Musë Musa, si çdo qytetar, ka të drejtë të shprehë bindjet e tij brenda kufijve të ligjit. Përgjigjja ndaj një qëndrimi publik duhet të jetë një qëndrim tjetër publik, jo përpjekja për ta heshtur autorin e tij.
Kosova nuk ka nevojë për roje të mendimit. Ka nevojë për debat të lirë, për respekt ndaj ligjit dhe për besim se argumenti është gjithmonë më i fortë se frikësimi.



