ARKIVI:
6 Mars 2026

Kaltrina Hoti, një zë që deri tash na mungoj për Plavën e Gucinë

Shkrime relevante

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Pas Vjosa Osmanit qëndron një burrë që zhgënjeu, zhgënjeu kombin që e zgjodhi atë

Aurel Desarioti Gra si Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë një rol...

Shpërndaj

Nga: Gjergj – Bajram Kabashi
____
Kah fillimi i gushtit isha në Hot të Plavës për ta takuar poeten dhe piktoren e shquar të asaj ane, që njëherit është edhe aktiviste me zë e shoqërisë civile në Plavë, Kaltrina Hotin. Në Hot pata ndejtur dy netë dhe nuk kam me e harruar kurrë mikpritjen e vëllait të saj dhe të afërmve të tjerë të saj.
Kaltrina më priti me përzemërsi dhe shpitbardhësinë e njohur, që i shquan banorët e atyre malsive. Fillimisht shtroi drekë të Liqeni i Plavës, ku respekti për Kaltrinen tregohej nga të gjithë ata që i takuam në restorant e gjetiu. Fliste boshnjakisht me ta, por flisnin me gjuhën e zemrës dhe vërehej se janë pothuaj nga i njejti fis e të njejtat familje. Nga i nejti komb, prej të cilit për shkak të historisë së pamëshirshme është krijuar edhe “një komb tjetër” – ai boshnjak!
Po ashtu edhe në ndalesat që i bëmë rrugës së Plavës për të shkuar në Hot.
Kaltrina Hoti është kthyer nga SHBA-të në Hot të Plavës, ku e ka hapur në një shtëpi dërrasash edhe Galerinë Hoti.
Nuk do mend se është për t’u befasuar që Nihad Canoviq,  kryetari i komunes së Plavës, ku Kaltrina Hoti i kërkon të drejtat për shqiptarët e asaj hapësire, është një antishqiptar i madh, i cili, sipas saj, është përbetuar se “sa të jetë kryetar komune” nuk do të bëhet ajo që e kërkon Kaltrina.
Do të thotë që shqiptarët nuk do t’i realizojnë të drejtat që ua garanton Kushtetuta e Malit të Zi.
Për të qenë ironia më e madhe, vet “boshnjaku” Nihad Canoviq është me origjinë shqiptare nga Familja Gjonbalaj!
Shumë përparime që vërehen në Hot e Plavë , përgjithësisht, janë rezultat e vendosmërisë qytetëruese të saj, e cila si një qytetare amerikane dhe malaziase, nuk i ka komplekset e disa ballkansve që shtypja e dhuna u ka hyrë në ndërdija dhe për shkak të inferioritetit që ka kuptim psikologjik nuk i len të jenë qytetarë të barabartë me të tjerët. 
Kaltrina Hoti nuk kërkon asgjë tjetër, përpos atyre që i përshkruan Kushtetuta e Malit të Zi për pakicat.
A mund të tregosh se si dhe pse u shpërngulet nga Plava në Prishtinë me prindërit, babain dhe nënen? Në cilin vit? Cila ishte arsyeja? 
Kaltrina Hoti: Ne u shpërngulem në Kosovë në vitet e 70-ta , në kohën kur ishte vështirë te jetoje si shqiptar në Plavë, ku asimilimi ishte i vazhdushem në shumë aspekte. Babai im e dinte që nëse mbesim ne Plavë do ta humbim indetitetin tonë duke u boshnjakizuar detyrimisht.
Prandaj, na mori në Prishtinë…!
Si u gjendet në Prishtinë…? Sa vjeç ishe kur erdhët dhe cilën shkollë e kreve? Qysh jetonit në kryeqytetin e Kosovës në atë kohë, sa vite jetuat aty dhe çka ndodhi që sërish “e morët botën në sy…”?
Kaltrina Hoti:  Babai ishte profesor ne Fakultetin Filozofik në atë kohë. Më vonë u bë drejtor i Ngrohtores në Obiliq. Ne faktikisht ishim familja e madhe, pesë fëmijë gjithsej; nëna nuk punonte , kështu që kishim një jetë mesatare. Une fillova mësimin në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” , pastaj e vazhdova shkollën e mesme në drejtim mjekësor e mbasi që e regjistrova stomologjinë në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës, vala e jetës më detyroj të ikja për në Amerikë . Jeta në Prishtinë kur e kujtoj tash dhe u rikthehem kujtimeve, them se ka qenë pjesa më e bukur dhe e ëmbël e jetës, se aty e zbuluam vetveten, e ruajtëm identitetin tonë si shqiptarë që ishim dhe kishim rrezik të asimiloheshim në Plavë .
Andaj gjithmonë due të them dhe ta përsërisë se i kemi borxhe të mëdha Kosovës.
 
Kur u nisët në “token e premtuar”, çfarë rruge kaluat dhe në ç’farë vështirësishë u ndeshët përgjat asaj rruge? Ku kishit më shumë probleme dhe si i tejkaluat ato? A ke mundësi ta përshkruash këtë rrugëtim…? 
Kaltrina Hoti: Ishte një udhëtim i mundimshëm, me shumë sfida. Rruga e dhimbjes pati zgjatë 14 ditë dhe tani, kur e mendoj, nuk mund ta besoj që kalova nëpër ato sfida. Është e vështirë të besohet e t’i thuhet dikujt se kaluan katër ditë të plota pa ushqim dhe pa ujë, pasi kjo tingëllon e pamundur, por ishte mendja që mendonte për frikën dhe të gjithë mendonim dhe e kishim parasysh një gjë: A do të mbijetojmë? Në atë kohë, për një person që të kalonte ilegalisht kufirin duhej paguar 5000 dollarë. Dy ditë para se të niseshim personi që e krijonte lidhjen tonë, u arrestua…! Na telefonuan dhe na thanë të mos niseshim ende, por unë e mbajta sekret këtë lajm dhe e fillova rrugëtimin me një rrezik të madh.
Pamje e Liqenit të Plavës
___
Shkuam në Beograd për vizën tonë që gjoja duhej ta bënim për në Mexico City dhe pasi mbërritëm në Mexico City, i thashë ish-burrit tim se nuk kemi asnjë lidhje, ….jemi vetëm. Më duhej të mendoja shpejt, kështu që vendosa ta telefonoja tezen time që jetonte në New York dhe i thashë se kisha ardhur në Mexico City. Ajo ishte shumë e mërzitur dhe më tha se do të përpiqej të krijonte një lidhje të re.
Për këtë na u desht të qëndronim në atë hotel për tre ditë për të pritur përgjigjen. Tërë kohën ishte atmosferë e ngarkuar , pytja ishte a do të vazhdojmë për në Amerikë apo do të kthehemi ? Më në fund, në ditën e tretë dikush trokiti në derën e hotelit tonë. Hapa derën dhe pashë një djalë të gjatë meksikan. Ai dukej si një burrë gjigant. Anglishtja ime ishte e dobet në atë kohë, por nëpërmjet gjuhës së trupit arritëm ta kuptonim njëri-tjetrin. Dolëm nga dhoma dhe vazhduam në garazhën e hotelit , hipëm në makinën e tij, ku na çoi në një shtëpi private.
Udhëtimi zgjati më pak se 30 minuta. Një tjetër meksikan hyri duke bërtitur e thirrur policinë. Kështu që neve na u desh të hidheshim nga dritarja e shtëpisë dhe u përpoqëm të vrapojmë sa më shpejt që mundëm. Një person tjetër që ishte përpara neve, e që ishte i cktuar për të na dërguar për në vendin e ri të fshehjes. Qëndruam atje disa orë, ata u përpoqën të na ushqenin dhe pastaj një person tjetër hyri dhe na dha disa udhëzime që sapo të largoheshim nga kjo shtëpi, duhet të silleshim si turistë; do të hipnim në tren dhe pasi të zbrisnim nga treni, do të kishte një gardh të madh , jo shumë larg stacionit, ku duhej të hynim. Në shikim të parë dukesh si një hapësirë e hapur, ku njerëzit mblidhen për të bërë një pushim. Aty i shihnim disa njerëz duke kënduar. Të tjerët duke fjetur. Të tjerët duke u përpjekur të mbledhin bagazhet e tyre dhe disa të tjerë ishin thjeshtë të dehur. Ne nuk e kuptuam , çfarë është kjo? Hapësirë? Epo, kjo hapësirë ishte ku njerezit prisnin të binte terri e vinte nata.
Zakonisht gjithë ditën njerëzit qëndronin në atë hapësirë të hapur dhe kur vinte nata, ata në grupe të ndryshme fillonin të kalonin nëpër male, derisa të arrihej në atë gardhin tjetër që mezi presin ta shohin dhe të kalojë në anen tjeter ku ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ne provuam një natë ta kalonim atë “gardh”, por ishte punë e pa sukses, por natën e dytë arritëm ta kalojmë kufirin. Kjo ishte pjesa më e lehtë. Sapo kaluam vijën kufitare, një person na priste. Ai e kishte hapur pjesën e sipërme të kanalizimit dhe na priste të hynim në të!
Hoti …, gusht 2025
Është interesante që të kallxohet se kur ke frikë për jetën, as aroma e kanalizimit…, nuk të shqetëson aq shumë. Aty qëndruam 20 minuta të mundimshme. Vetura tjetër kishte ardhur për ne, kështu që dolëm nga kanalizimi dhe na dërguan në një shtëpi të braktisur.
Muret e thata e të zhveshura plotësisht, dritare ishin të mbuluara me dërrasa. Nuk ndizej ndonjë dritë, andaj vetëm drita e televizorit të ndezur na jepke dritën e duhur. Une për veti isha fokusuar në TV , shikoja reklamat , e dija se nga aty mund të di çka na pret, kur të dalim nga kjo shtëpi.
Kaluan 4 ditë dhe nuk vinte askush me na marrë andaj ishim në ankth dhe filluam të brengoseshim. Më në fund mbas 5 ditëve erdhi një person dhe na morri nga ajo shtëpi.
Shkuam ne banesen e Nancy it, që ishte nje grua e moshuar e cila menjëhere na dha peshqirat të bënim tush, se ende na vinte era e kanalizimit. Aty kaluam një natë, duke qenë të qetë dhe të pastër. Në mëngjes shkuam në aroport, prej nga u nisëm nga San Francisco për New York. Por ne kishim hipur në aroplan të gabuar, andaj së shpejti erdhen të na largojnë nga aroplani. Të shqetësuar nuk dinim ku të shkonim dhe kujt t’ia mësynim. Na u afrua një punëtor i aroportit, duke e kërkuar pjesën e mbetur të biletës. Pasi e shikoj mirë na kqyri me buzqeshje dhe na çoi te gejti i duhur. Tashmë e dinim që jemi ne drejtim të duhur. Kur arritem në New York, aty nuk i njihja kusherinjt që duhet të na takojnë. Shikonim përreth lëvizjet e njerëzve si të hutuar , ata njerës që ishin në lëvizje të shpejtë, ndërsa ne ishim si ai filmi i ngadalësuar!
Dikur e gjetëm telefonin publik, e ndala një të panjohur dhe e luta të thërret numrin që e kisha shënuar në një letër. U lajmërua tezja ime , ajo ishte e befasur qe ne ishim në aroport, ajo mendonte qe edhe 3 ditë nuk do të vinim.
Na tha të qëndrojmë aty ku jemi.
Kaloi nje orë dhe më në fund një njeri na u drejtua në Gjuhën Shqipe!
Më në fund ishim në duartë e sigurta…! 
Kaltrina Hoti në Hot, afër Galerisë Hoti, me 4 gusht 2025 
Si u gjendet në Amerikë…?
Kaltrina Hoti:  Në Amerikë arrita si një fletë e bardhë — pa gjuhë, pa lidhje, pa emër, pa pothuaj asgjë. Vetëm me trupin tim, shpresën time dhe zhgënimin që e kisha ndeshur asaj rruge. Ishte e vështirë të kuptoja se kush isha në këtë vend të huaj. Në një vend ku nuk dija gjuhën me të cilën komunikohej, nuk njihja traditat, dhe njerëzit më dukeshin të largët dhe të huaj. Për tre vjet luftova për të marrë lejen për të jetuar ligjërisht.
Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por qëndrova.
Pastaj erdhi pyetja: Çfarë tani? Dëshira ime për të provuar veten nuk u shua. Regjistrova dy vjet kolegj për dizajn të brendshëm dhe përfundova mes dhjetë studentëve më të mirë, edhe pse anglishtja ime nuk ishte e përsosur.
Por burri im në atë kohë nuk ishte mbështetës. Prandaj, duhej ta mbaja të fshehur ëndrrën time. Më vonë, ndoqa edhe dy vjet shkollë për shkencat shëndetësore dhe sërish isha në mesin e tre më të mirëve.
Kjo periudhë ishte për të provuar që unë nuk isha vetëm “punëtore pastrimi” — edhe pse për një kohë punova si e tillë. Unë doja të tregoja se mund të arrija diçka më shumë, edhe në këtë tokë të huaj. Por shume pengesa kisha ende , një ditë vendosa t’i largoja nga vetja të gjithë ata persona dhe çdo energji negative që më ndalonte nga vetja ime. Nuk ishte fare e lehtë, por e dija që duhet ta bejë.
Çfarë bëtë në fillim, me kë u takuat, si e gjetët njëri-tjetrin? 
 
Kaltrina Hoti: Në fillim qëndruam me tezen time dhe pas 4 javësh fillova të punoja si pastruese për një familje hebreje. 
 
A filluat të punonit menjëherë apo më vonë… A ju kujtohet dhe si e përshkruani jetën tuaj “të re” në SHBA? 
Pse nuk pate mbështetjen e burrit tënd dhe a të është dashur të shkosh në shkollë fshehurazi prej tij? Sa zgjati martesa juaj dhe çfarë ndodhi dhe pse i ndatë rrugët tuaja në jetë?
 
Kaltrina Hoti: Nuk ishim në të njëjtën faqe në jetë. Pas 20 vitesh vendosa të heq të gjitha pengesat përreth meje që nuk më lejonin të isha vetvetja dhe e bëra. Kërkova më shumë nga vetja, se brenda furçës ishin ngjyrat për gjërat që flenin në vetën time dhe që ishin të ndrydhura aty, por që zienin. Ndjenjat e mija nuk më pyetën më, vetë shpirti im donte të pikturonte. 
 
Çfarë bëtë gjatë verës? 
 
Kaltrina HotiPastaj shkuam në Teksas dhe u bëmë pronarë restorantesh. E gjeta veten atje, e imagjinova sallën si një skenë teatri dhe çdo ditë luaja rolin që zgjidhja…! 
 
Sa fëmijë keni nga martesa juaj…? 
 
Kaltrina HotiNjë djalë, Albinin, dhe një vajzë, Sarandën. 
 
Çfarë shkollash ndoqën fëmijët, çfarë kanë arritur dhe çfarë po bëjnë tani…? 
 
Kaltrina HotiTë dy fëmijët ishin të trajnuar në drejtësi. Vajza është ushtare amerikane, ndërsa Djali është në akademinë e policisë
Në Galerinë Hoti, në Hot të Plavës
___
Sa vite keni që jeni këtu dhe a kishit probleme që të përshtateshit?
Kaltrina Hoti: Tani u bënë gjithsej 8 vite, une u ktheva të jem vetja ime, fillimisht nuk iu përshtata ambientit që e gjeta, se nuk është ajo që dua ta perjetoj dhe atë që e gjeta ishte proces i asimilimit të pakicës shqiptare. Por, nuk jam ndalur kurrë dhe besoj që për ditë e më shumë jam pjesë e këtyre njerëzve, e ëndërrave dhe shpresave të tyre që domosdo do të realizohen, se janë të të gjithëve, pa përjashtim, e shqiptarët janë njerëz të kësaj toke, autokton, njerëz që jetojnë e duan të jetojnë në vendin e vet. 
Ku jetove në fillim…? A kishe ndonjë koncept se çka do të bëje, me çka do të mirreshe?
Kaltrina Hoti: Nga fillimi jetova në Hot dhe vetëm dimrit kur binte borë dhe rrugët këtu bëheshin të patejkalueshme, rrija në Plavë, sepse në Hot s’kishte rrugë e as rrymë. Situata e Hotit më rrëmbeu dhe krijoj konceptin e adhmerisë tek une duke menduar se çka duhet të bëjë. Me artin tim dua që t’i hapi dyert e Hotit ndaj botës. Bëra 25 ekspozita në vende të ndryshme, kudo që shkova u prezentojsha se jam nga Hoti. Filloj TV i Mali te Zi ta vizitonte Galerinë e Hotit, i bënë gjithsej 3 emisione dhe Hoti filloj të njifet, filluan ta kuptojnë se ka shqiptarë në Hot, se ai ende është i gjallë!
Pamje nga Hoti
___
Ti Kaltrina Hoti tash je një emër i njohur, jo vetëm si poete dhe artiste e pikturës, por edhe si aktiviste për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive njerëzore në këtë pjesë të Malit të Zi. Gjuhën malaziase e flisni në mënyrë perfekte dhe kjo besoj që u hap rrugët e domosdoshme të komunikimit me organet komunale dhe shtetërore malaziase. Çka keni vërejtur që nuk shkon, se nuk është në harmoni me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me të drejtat e njeriut në Plavë e Guci?
Kaltrina Hoti: Qeveria e Mali te Zi don me e zhdukë shqiptarin në Plavë, nuk i përfshin në mbrendësi të sistemit. Ky sistem arriti shqiptarin ta shnërroi në “boshnjak” dhe sot ai shqiptar i asimiluar e lufton shqiptarin qe e ruan identitetin e vete!
Paralelja e Shkollës Fillore “Husein Bashiq” të Plavës, në hyrje të Hotit
___
Në paralelen e ndarë të shkollës fillore “Huso Bashiq” të Hotit, pjesë e shkollës fillore të Plavës, pesë nxënës shqiptarë mësojnë detyrimisht në gjuhën serbishte dhe mësuesi, qysh më the kur isha në Hot, është nga Serbia. Shkolla të thuash ishte e shkatërruar, pa dyer e dritare. Thjeshtë si e menduar për t’i dëbuar ata nxënës nga shkolla. Ndërkaq, në krejt Hotin nuk ishin as pesë veta të punësuar dhe ata të punësuar mbi bazat partiake. Nuk ishte asnjë polic shqiptarë…?!
Kaltrina Hoti: Shqiptaret nuk punësohen, e kan vështirë të mbijetojnë , andaj duhet të ikin në Kosovë mbas shkollimit. Kjo shkollë i shkel te gjitha te drejta njerëzore. Ti e pe vet gjendjen e asaj shkolle. Ua mohojnë shqiptarëve të drejtat në arsimimin fillor, të mesëm, në përdorimin e gjuhës duke i krijuar të gjitha parakushtet që njerëzit të mos mendojnë të rrijnë në vendin e vet, por ta braktisin atë. Dhe ky është një mohim e diskriminim i hapur, që bëhet pa e fshehur fare. Kam bërë shumë ankesa, por çështja mbetët ende e hapur dhe nuk duan ta zgjidhin. Por, nuk do të ndalem dhe do te vazhdoj me ankesa për realizimin e të gjitha të drejtave njerëzore që u takojnë shqiptarëve, edhe për të drejtën për arsimim në gjuhën shqipe.
Në disa video shiheni duke i kundërshtuar pjesëtarët e pushtetit komunal për shenjat në rrugë, sipas të cilave Peja qenkësh në Serbi!? Vallë si është e mundur kjo, si është e mundur që, megjithëse kanë kaluar kaq shumë vite nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe po aq vite nga shpallja e Pavarëisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, ende dikush në Mal të Zi, vend që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ta mendoj Kosovën si pjesë të Serbisë?!
Kaltrina Hoti: Ne territorin e Plavës – Gucisë është e çuditshme situata, boshnjakët (shqiptarë të asimiluar) sundojnë dhe në këtë territor duan ta zhdukin shqiptarin, Kosovën nuk e duan edhe pse thojnë “ne i kemi marrëdhënjet e mira“ . Askujt nuk i pengoj ajo shenja (Peja-Serbi!) mbasi kaluan 24 ore nuk durova, shkova te shenja që qëndronte në rrugë, ku më kontaktoj Ambasadorja e Kosovës Ariana Zherka-Hoxha , mbas postimit te fotos të shenjes që e kisha bërë, dhe rrinte në kontakt kur bëra video te shenja, ajo ishte e mrekullushme, e vendosur dhe e qytetëruar. Mbasi ika nga vendi i shenjës atë ditë, mbrenda 30 minuta shenja u largua. U gezova pa masë….!
Si e shihni perspektivën kësaj pjese të Malit të Zi, që me aq ngulm ua mohon të drejtat shqiptarëve të pakët të kësaj ane. Si është e mundur kjo, kur po thuaj të gjithë banorët janë të afërt me njëri tjetrin, qoftë si kusheri apo me lidhje të tjera. Si është e mundur që “boshnajkët”, që e përbëjnë shumicën në komunë, të mos i pranojnë shqiptarët, vëllezërit e motrat e deridjeshme. Si është e mundur në një pjesë e familjes Feraj apo tjetër, të jenë “boshnjak” e tjetra, shqiptare? A keni biseduar me dikë rreth këtyre temave…?
Kaltrina Hoti: Ky popull është viktimë e asimilimit, nuk i pranojnë shqiptarët sepse e dijnë që jan vet shqiptarë , kan frikë dhe “ dikush” nga qeveria e Mali te Zi i detyron të mos i pranojnë shqiptarët. Duan përqindjen e shqiptareve që kan ruajt indetitetin e vet, të jenë gjithnjë të heshtur dhe të mos e kërkojnë asnjë të drejtë që u takon, Duan që shqiptarët  të zhduken ngadal e me kohë. Atyre nuk ju konvenon të ruhet kultura shqiptare. Në kohën e tashme kemi kryetarin e komunes Nihad Canoviq , i cili është antishqiptar më i madh i të gjitha kohërave – megjithëse është me origjinë shqiptare. Ai i refuzon tabelat që të jenë dygjuhëshe në Plavë dhe hapur e thotë se “kjo nuk mund të ndodhë në mandatin tim”.
“ Ministri për pakica te Mali te Zi është Fatmir Gjeka dhe kam biseduar për këtë temë dhe ai nuk e zgjidhë problemin, sepse nuk i konvenon për shkak të karrierës politike. Askush nuk don të mirret me njeriun tonë.
Ti edhe si piktore je mjaft aktive në ringjalljen e jetës kulturore shqiptare në këto anë të harruara. A mendon se është bërë ndonjë përparim…?
Kaltrina Hoti: Po ka ndryshime pozitive, tani e kemi Festivalin e Lahutes në Hot, që tashmë ka marre një jehonë te madhe; në Guci kan filluar me takime letrare dhe muzikore. Kemi takime me piktorë nga hapësira shqiptare dhe rajoni në Hot.
Galeria Hoti në Hot, ku jeton e punon Kaltrina Hoti
___
Je pjesëmarrëse aktive në aktivitetet të ndryshme kulturore të këtyre anëve të Malit të Zi , pastaj e aktiviteteve të ndryshme kulturore që organizohen në Mal të Zi apo më larg këtij vendi. Si pritesh si shqiptare e kësaj ane?
Kaltrina Hoti Po, jam aktive. Në çfarëdo aktivitetesh që marr pjesë si shqiptare, jam e pritur shume mirë, perpos ne Plavë. Në Plavë nuk me duan sepse e ngris zërin shqiptar dhe ata nuk e duan atë zë, më akuzojnë që po e shkatërroj paqen e komunitetit, se janë mësuar shqiptari mos të bëjë zë, të mos i dëgjohet zëri.
Pamje nga Festivali i Lahutës në Hot, që u mbajt në hyrje të verës aty
Shtëpia e Kulturës në Hot, ku në fillim të verës qe mbajtur Festivali i Lahutës
___
A mendon që hapja e rrugëve (apo vonesat për hapjen e tyre) të jenë pengesë që këto anë periferike të Malit të Zi të mbesin ende të ngujuara dhe të braktisura? Si e sheh rolin e shtetit të Shqipërisë, Kosovës etj në këtë aspekt?
Kaltrina Hoti: Ne Hot rruga erdhi para 2 vitesh, dhe ky ishte ndryshim i madh për të mirën e kësaj ane. Kjo rrugë i solli 4 themele të reja shtëpishë, do të thotë u shtuan shtëpitë dhe nisi të ringjallet jeta e shuar. Hotjanët në mërgatë shprehin vullnetin për t’u kthy e me jetua në Hot. Cen Haxhaj u kthy me jetu në Hot, nga familja Sinanaj u kthyn të jetojnë në Hot , ku po ndertohen edhe 2 kulla nga guri. Hapja e rrugëve është e rëndësishme për ringjalljen e vendit. Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë më shumë aktive në çështjen e pakices shqiptare ne Mal te Zi , e sidomos të trevës sonë. Ato duhet të na vizitojnë që ta shofin gjendjen reale, të bëjnë presion ndaj Komunes të Plavës dhe qeverisë për t’i zbatuar të drejtat e pakicës shqiptare.
Takimet zyrtare që i bëjnë me Malin e Zi, mund të thuhet se nuk janë reale dhe nuk e tregojnë të vertetën.
Ti vazhdimisht rri tuj pikturue, sikur do që zëri i brendshëm i yt, ai “vullkan” shpirti, do të shpërthej e shpërfaqet publikisht…?!
Shumë piktura tuajat qëndrojnë të varura në muret me dërrasa të Galerisë Hoti, ku ti i kalon në shumicë ditët e jetës tënde…?
Kaltrina Hoti: Po, ashtu është… Nganjëhere është zëri i brendshëm që më thërret të pikturoj, duke ma dhënë idenë e temën e pikturimit. Ndodhë që shpesh të “grindem” me ndonjë pikturë timen. Në këto piktura është jeta personale, historia, traditat, doket dhe zakonet tona të mohuara. Une mendoj se përmes pikturës e jep një mesazh tjetër nga këto malësi, ku “flas” me zërin e jehonës së jetës këtu, për të shkurën dhe të tashmen, për trimëritë dhe besën e malsorëve dhe zhgënjimin dhe përbetimin e tyre për këtë Dhe.
Perëndimi i dillit në Hot…
___
Kjo pra është piktorja, poetja dhe publiçistja Kaltrina Hoti. Fotot janë të bëra prej meje në malsitë e Hotit, më 4 gusht 2025. Kaltrina është ndër gratë më të kulturuara të kohës sonë, që ka sjellë frymë të re në ato anë të lëna vetëm dhe të braktisura të atyre malsive. Kaltrina është një poete që shkruan poezi meditative dhe pikturon të thuash gjithë kohën në «Galeria Hoti», duke jetuar «e humbur» me pikturat e saj që shpesh «i thonë se ke harruar këtë apo atë detaj», qysh më tha, pikturoja.
Kaltrina e rikthen kujtimin e trimnive të asaj ane të njohur nëpër histori.
Ajo e flet gjuhën angleze dhe boshnjake dhe është aktiviste e shquar për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive njerëzore.
Hoti, dhjetor 2025, fotografuar nga Kaltrina Hoti
Kaltrina Hoti, poezi
Zëri apo heshtja
Kush jam unë, kur askush s’më sheh?
A jam zëri im në kokë,
apo heshtja që më ndjek?
E di
përgjigjja s’ka nevojë të ekzistojë.
______
ps!
Kjo intervistë me poeten dhe piktoren e njohur Kaltrina Hotin, që njëherit është aktiviste e shoqërisë civile në Plavë e Guci, do të vazhdoj derisa të jetë intervistim i plotë me të dhe bashkëbisedim i gatshëm për librin “Intervistë e papërfunduar me Hasan Mekulin dhe intervista të tjera nga Sanxhaku, Plava e Gucia” . E them me keqardhje se aktivitetet dhe angazhimet e Kaltrina Hotit për këtë anë, i zbulova me vonesë të theksuar, andaj konsideroj se nëse intervista me të nuk do të jetë pjesë e librit që do të ribotohet deri kah fundi i vitit, libri për malsitë tona të lëna mënjanë e të harruara, do të jetë i mangët.    

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Nji intervistë shumë interesante kjo e paraqitun nga gazetari Gjergj – Bajram -Kabashi.
    Po aqë interesante dhe prekse asht edhe rruga e veshtirë e jetes se zojes Kaltrina Hoti, gadi si e pabesushme.
    Ne fillim ishe në dyshim qe ta lexoj o jo kete interviste te gjate. Por ishte kaq interesante sa qe leximi rrjedhi deri ne fund pa u kujtu se i erdhi fundi.
    Pergezime zotni Kabashi.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu