Kryengritja antishtetërore e bukëpërmbysëve, sipas Ibrahim Kelmendit

Shkrime relevante

Kryengritja antishtetërore e bukëpërmbysëve, sipas Ibrahim Kelmendit

Ibrahim Kelmendi, Gjermani LAJTHITJA E BUKËSHKALËVE Për fillim, më mjafton të konstatoj se...

Çyçeku i studios – kur burrat dalin pa brezin e fakteve

Sak Muji, Zvicër Ooo burra të studiove, ju lumtë vallja! Haaaaa! Mikrofonin...

PDK-ja, Albin Kurti dhe hipokrizia politike: Kur dhimbja shndërrohet në armë për pushtet

Lirim Gashi, Prishtinë ___ Mbetem pa fjalë kur i dëgjoj gazetarët Lirim Mehmetaj,...

Ta mbrojmë fitoren e madhe!

Florim Zeqa Për aq sa jam pro zgjedhjes së presidentes së re,...

Shpërndaj

LAJTHITJA E BUKËSHKALËVE
Për fillim, më mjafton të konstatoj se ekzistojnë dy lloje bukëshkalësh: ata naivë dhe ata të kriminalizuar.
Tashmë në Kosovë janë bërë bashkë të dyja këto kategori dhe fenomeni ka marrë përmasa shqetësuese. Ai i ka përfshirë pothuajse të gjithë analistët, opinionistët e moderatorët që dominojnë emisionet kryesore televizive, e deri te shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Mashtrimi virtual rreth përmasave të protestave të mbështetësve të Hashim Thaçit kundër dënimit të tij ka prodhuar një lajthitje të gjerë shoqërore. Kjo lajthitje tashmë rrezikon edhe interesat shtetërore të Kosovës, sepse po shtyn drejt një konflikti politik me aleatët që na ndihmuan ta bënim e ndërtonim shtetin.
Mendoj se bukëshkalët e kriminalizuar e dinë fare mirë se SHBA-ja dhe Bashkimi Europian nuk e ideuan dhe nuk e mbështetën Gjykatën Speciale thjesht për të dënuar krimet e luftës në Kosovë. Ata u ndien të sfiduar më shumë se ne nga Raporti i Dik Martit, i cili u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (APKE) në janar të vitit 2011.
Për ata që nuk e dinë, Këshilli i Europës nuk është Bashkimi Europian dhe as Parlamenti Europian. Në vitin 2011 ai kishte 47 shtete anëtare dhe 318 parlamentarë, të deleguar nga parlamentet 47 shteteve. Rusia përfaqësohej me 18 deputetë, Serbia me 7 dhe Shqipëria me 4. Përfaqësimi përcaktohej sipas numrit të banorëve. Rusia u përjashtua nga Këshilli i Europës pas agresionit kundër Ukrainës në vitin 2022.
Sipas bindjes sime, SHBA-ja dhe BE-ja iniciuan, mbështetën financiarisht dhe vazhdojnë ta mbështesin Gjykatën Speciale, formalisht pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës, edhe për të demantuar dhe diskredituar pretendimet e Raportit të Dik Martit, i cili e kishte damkosur UÇK-në dhe luftën tonë çlirimtare me akuza tepër monstruoze.
Fatkeqësisht, në atë periudhë shteti ynë ishte i kapur nga një bandë politike në krye me presidentin Hashim Thaçi, të cilën unë e quaja ndërmarrje e përbashkët kriminale – zgjatim i bandës komplotistë, e cila na ishte penetruar në UÇK. Për pasojë, shumica e 318 parlamentarëve të APKE-së e miratuan atë raport, i cili edhe sot vazhdon të prodhojë pasoja politike për Kosovën.
Sot dëgjojmë kërkesa që të mobilizohet i gjithë shteti: institucionet shtetërore e publike, partitë politike dhe shoqëria në tërësi, për ta jetësuar ligjin e miratuar nga 88 deputetë të Kuvendit të Kosovës kundër Gjykatës Speciale. Kjo po ndodh sepse sindroma e thaçofilisë është shndërruar në një obsesion politik, i cili po paraqitet si interes më i rëndësishëm se vetë shteti i Kosovës.
Më racionale do të ishte të ndiheshim të turpëruar që katër ish-funksionarë të lartë të shtetit janë dënuar për krime lufte dhe vrasje, dhe të pyesnim veten se si arritën ata të ngjiteshin në krye të institucioneve tona. Po ashtu, do të ishte më e mençur që t’i linim të qetë ekipet e avokatëve të ndiqnin procedurat ligjore dhe të paraqisnin ankesat në gjykatën e apelit, nëse mendojnë se do të kenë sukses.
Në vend të kësaj, u nxituam nga propaganda e profiterëve thaçistë ende pa u publikuar aktgjykimi i plotë. Vetëm pas publikimit të plotë do të mund të kuptonim për cilat vepra konkrete janë dënuar Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi, si është arsyetuar vendimi dhe sa të bazuara janë shpresat për ndryshim të tij në apel.
Harbutëria ka arritur deri aty sa disa po trimërohen me retorikë sovraniste të tipit fashistoid dhe sugjerojnë përplasje me aleatët tanë strategjikë, madje edhe largimin e forcave ndërkombëtare që vazhdojnë të garantojnë sigurinë e Kosovës.
Kjo do të ishte kulmi i lajthitjes së bukëshkalëve, qoftë atyre të kriminalizuar, qoftë atyre naivë.
Uroj, Presidentja të mos e dekreton atë ligj komplotist, i cili komprometon famën e legjendarizuar të UÇK-së dhe rrezikon shtetësinë tonë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu