
Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë
___
SHQIPTARËT E RIKTHYER E ZGJUANË EVROPËN, NDËRKOHË QEVERITË SHQIPTARE I ZURI GJUMI!
___
Rikthimi i shqiptarëve te besimi i të parëve po vazhdon çdo ditë. Për mua, kjo është një mrekulli shpirtërore e kombëtare e një populli të lashtë, me gjuhën e vet shqipe, një degë më vete e familjes së madhe indoevropiane. Shqipja mbetet një nga dëshmitë më të çmuara të lashtësisë sonë, trashëgimi që kërkon studim shkencor, respekt dhe mbrojtje.

Ky rikthim nuk është vetëm çështje besimi, por edhe dëshmi e lirisë së ndërgjegjes dhe e kundërshtimit të çdo ideologjie që synon të imponohet në trojet shqiptare, në Evropë e më gjerë. Besimi është e drejtë personale; imponimi ideologjik është çështje tjetër. Edhe lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit kërkon dallim të qartë ndërmjet besimtarëve dhe ideologjive radikale.

Ndërsa Evropa po zgjohet përballë sfidave të ekstremizmit, dy qeveritë shqiptare duket se i ka zënë gjumi institucional. Tolerancë, natyrisht! Por çfarë tolerance është ajo kur disa kërkojnë gjithçka për vete, ndërsa të tjerët duhet të heshtin nga frika se mos shpallen «islamofobë»? Liri për njërin, heshtje për tjetrin — ja një version vërtet «modern» i bashkëjetesës!

E pastaj vjen STOP-i i Tërnavës! Por ata që e shqiptojnë këtë fjalë duhet ta dinë se shqiptarët janë përballur me perandori e sulltanë dhe kanë zhvilluar kryengritje e rezistencë kundër sundimit osman. Aq më pak mund t’i trembë një STOP i lëshuar nga një tribunë fetare.

Mos vallë, vetëm duke vënë çallmën osmane në kokë, Tërnava kujton se është bërë vetë Sulltan? Ironia bëhet edhe më e madhe kur sundimi osman paraqitet si çlirim, ndërkohë që historia shqiptare dëshmon për pushtet perandorak, rezistencë dhe një proces të gjatë të zgjimit kombëtar, që çoi te Pavarësia e Shqipërisë më 1912.

STOP-i le të mbetet fjalë, por jo urdhër mbi lirinë e shqiptarëve! Kosova dhe Shqipëria janë shtete të qytetarëve, jo prona të institucioneve fetare. Qeveritë duhet të zgjohen, të mbrojnë laicitetin, lirinë e ndërgjegjes dhe barazinë para ligjit.
Shqiptarët po zgjohen e po rikthehen te rrënjët. Evropa po debaton e po vepron.

Po qeveritë tona, kur do të zgjohen: para se t’i zgjojë qytetari, apo pasi t’ua japë alarmin STOP-i i radhës?



