ARKIVI:
26 Qershor 2026

Kur ish-komandantët e luftës i frikësohen bashkimit të shqiptarëve në paqe!

Shkrime relevante

Kur ish-komandantët e luftës i frikësohen bashkimit të shqiptarëve në paqe!

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Duke përcjellë me vëmendje të...

Islamizimi legal i Mitrovicës dhe i Kosovës, çka po ndodh në trojet tona?

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë Çka po ndodh në trojet...

The Flamingo Revolution and the Third Republic, a new chance for nationwide awareness

By; Fadil Maloku, sociologist The curious reader, I am very convinced that...

Kush falsifikoi dokumente për Dritan Goxhajn?

Bardhyl Mahmuti, Zvicër Autorizimi i Dritan Goxhajt nga “grupi koordinues i protestës”...

Shpërndaj

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Duke përcjellë me vëmendje të madhe ecurinë e protestave, apo rizgjimin e rinisë shqiptare që po kërkon, përveç ndryshimeve rrënjësore në qeverisje, edhe largimin e kastës senile shqiptare, më ranë në sy prononcimet dhe reagimet e ish-qeveritarëve të Kosovës (Ramush Haradinaj) dhe të Maqedonisë së Veriut (Ali Ahmeti), të cilët po e kundërshtojnë ardhjen e shqiptarëve nga të gjitha trevat për të protestuar në Tiranë, kur dihet se, sipas Kushtetutës shqiptare, përkujdesja për shqiptarët jashtë Shqipërisë është edhe obligim kushtetues.

Më çudit fakti se si këta ish-liderë rrezikojnë kapitalin e tyre të luftës me këso reagimesh e kundërshtimesh të pamatura. Duke bërë përpjekje t’i dekonspiroj këto prononcime, më lind dyshimi nëse vërtet këta “isha” e kanë përnjëmend apo, në gjykimin e tyre (jo politik), mendojnë seriozisht se “solidariteti organik” ad hoc me qeverisjen e kalbur dhe të komprometuar deri në palcë të autokratit Edi Rama u shërben atyre si një satisfaksion moral për vetveten, apo këtu kemi të bëjmë me një përkrahje falco, arsyet e së cilës mund t’i dinë vetëm ata.

Mirëpo, nëse këto supozime tona ia nënshtrojmë një “dioptrie” sociologjike, mendoj se do të kuptojmë shumëçka nga këto reagime e kundërshtime ndaj revolucionit demokratik që po ndodh aktualisht në Shqipëri.

Dhe tani, nëse dëshirojmë që kjo çështje të marrë një përgjigje meritore, atëherë, pa hyrë fort në ndonjë vlerësim politik të qëndrimeve individuale të këtyre dy komandantëve të luftërave që ndodhën, njëra në fund të mijëvjeçarit e tjetra në fillim të tij, mund të themi se ato, në rrafshin sociologjik, janë më shumë shprehje e tensionit historik që është duke u krijuar artificialisht midis shtetit dhe kombit si entitet etnokulturor.

Dikush do të pyesë me të drejtë: çfarë nënkupton e gjithë kjo? Për ta kuptuar më mirë këtë interpretim timin, më duhet të sqaroj se kundërshtimin dhe reagimin e këtyre ish-komandantëve e kuptoj më shumë si një përgjegjësi morale e më pak, kisha me thënë, politike, për ruajtjen e rendit institucional brenda kufijve ekzistues, por jo edhe të solidaritetit dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve, kudo që jetojnë, në çështjet që konsiderohen me interes të përbashkët kombëtar.

Natyrisht, ky keqkuptim, kur janë në pyetje protestat si shenjë e thellë e zhgënjimit që po përkrahet nga të gjitha anët, nuk mund të thuhet se lidhet aq shumë me protestimin, sa me frikën që kanë komandantët nga krijimi i një precedenti të ri politik. Sepse është e kuptueshme se, po qe se shqiptarët fillojnë të veprojnë si një trup apo si një komb i vetëm politik përtej kufijve shtetërorë, atëherë, pa asnjë dyshim, kufijtë aktualë ndërmjet shqiptarëve shemben e, ku pastaj, shtohet edhe nevoja për një vetëdije të përbashkët kombëtare, e cila do të krijonte forma e standarde të reja presioni ndaj elitave politike, ashtu siç ndodh kudo në vendet demokratike të zhvilluara.

Në gjithë këtë shpjegim të stilit weberian që po përpiqem ta bëj për këtë tematikë, më duhet ta theksoj edhe një paradoks interesant sociologjik, të cilin e identifikova si “nacionalizëm institucional”. E identifikova kështu, meqë reagimi dhe kundërshtimi ndaj protestës në Tiranë po vjen pikërisht nga dy ish-protagonistët që edhe luftën e nisën në emër dhe në adresë të një nacionalizmi romantik, në mënyrë që edhe shtetin ta ndërtonin në emër dhe në adresë të një nacionalizmi tashmë institucional.

Ky paradoks, nëse e zbërthejmë më tej, nënkupton se të gjithë ish-liderët, por edhe këta të sotmit, pa dallime partiake, politike e ideologjike, kur është fjala për festat, përvjetorët dhe manifestimet e ndryshme kulturore, e promovojnë pa hezitim dhe pa ngurrim retorikën e unitetit kombëtar. Ndërkaq, kur vjen puna te nisja e ndonjë iniciative konkrete për ta ushtruar dhe manifestuar po këtë unitet kombëtar, ata bëhen skeptikë e madje shpesh shfaqin edhe rezerva absurde, sidomos kur deklarohen dhe japin lloj-lloj arsyetimesh banale, sa të mbushet mendja se nuk janë të njëjtët.

Këta liderë, në momentin kur veshin “jakat e bardha” me kostume, pa hamendje dhe pa ngurrim e pranojnë entitetin kombëtar si simbol kulturor, madje bëjnë edhe kompromise të dëmshme që prekin interesat e shtetit, por kur është fjala për një aktivizëm apo hap konkret politik për ta çuar përpara idenë dhe konceptin e unitetit, stepen. Kaq për paradoksin “made in Albanian”!

Tani, nëse sondën tonë e kthejmë kah obligimet kushtetuese, jo te ato morale e politike, për përkujdesjen që e ka Shqipëria ndaj shqiptarëve jashtë kufijve, duhet përkujtuar se, ndonëse Kushtetuta e Shqipërisë parashikon këtë “përkujdesje”, ajo assesi nuk nënkupton vetëm një “lexim” rigoroz në formë dhe përmbajtje të një “germe juridike”, por lexim dhe interpretim të një norme, përgjegjësie dhe obligimi politik, kushdo që gjendet apo do të vijë në krye të shtetit shqiptar. Ashtu siç thuhet (“Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”) edhe në Nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Atëherë lind pyetja kruciale: nëse shqiptarët jashtë Shqipërisë konsiderohen pjesë e interesit të shtetit dhe të kombit, e në veçanti kur bëhet fjalë për kulturën, gjuhën dhe identitetin, përse të njëjtit duhet të përjashtohen kur duan të shprehin solidaritet qytetar me vëllezërit e tyre kur janë në pyetje zhvillimet politike në shtetin amë?

Kjo pyetje legjitime sociologjike dhe politike e ka, apo duhet ta ketë, një përgjigje adekuate. Unë këtë përgjigje po bëj përpjekje që ta ndërlidh me disa arsye. E para ka të bëjë me frikën, por edhe frustrimin e elitave aktuale, të cilat, të dalldisura nga pushtetmbajtja e gjatë dhe nga deliriumi i privilegjeve, e besa edhe nga mirëqenia që krijuan gjatë udhëheqjes maratonike të dy shteteve, nuk dëshirojnë assesi ta humbin kontrollin e fituar me lloj-lloj dredhish dhe mashtrimesh mbi qytetarinë e zhgënjyer shqiptare dhe t’ia dorëzojnë dikujt tjetër. Fenomen ky i njohur edhe para se këta liderë ta “shijonin” atmosferën dhe ndjenjën e sundimit, por jo edhe artin e qeverisjes, siç theksojnë sociologët e njohur V. Pareto, G. Mosca dhe R. Michels.

Së fundi, duhet theksuar se kundërshtimi ndaj ardhjes së protestuesve nga Kosova apo Maqedonia e Veriut, nga kushdo qofshin ata, nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për ta kufizuar zgjerimin e protestës së parë gjithëkombëtare në historinë e kombit shqiptar dhe një angazhim jomoral për ta ruajtur kontrollin mbi narrativën e tyre të tejkaluar politike. Thënë edhe më thjesht, ata e kanë për imperativ shmangien e krijimit të një solidariteti mbarëshqiptar (organik, durkheimian), që nesër mund të prodhojë dinamika të reja dhe të dobishme për gjithë kombin dhe shtetin shqiptar.

Dhe, për një sociolog që e ka obligim ta paralajmërojë qytetarin shqiptar lidhur me proceset dhe zhvillimet deformuese në shoqëri, ky pozicionim aktual i qytetarisë shqiptare është një konflikt tipik klasik që po zhvillohet midis frymës së komprometuar sovraniste dhe shpresës apo ambicies për një solidaritet mbarëkombëtar. Ky konflikt do të “kalërojë” pandalur deri në përmbysjens e njërit opsion! Uroj që kjo t’i ndodhë opsionit të parë…

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu