(Ahmet Musa)
“Letër për bijën time dhe për opinionin publik :
A do t’ia mbulojnë edhe nënën Qendresës?
Qendresën e pagëzova unë. Ishte emri që zgjodha me gjithë shpirt, si simbol i qëndresës sonë kombëtare, shpirtërore e kulturore. U rrit larg vendlindjes, por me dashuri për rrënjët. E mbështeta që të arsimohej siç i ka hije një vajze shqiptare: Mbaroi shkollimin në vendin ku jetonim, përfundoi studimet në Angli dhe më vonë i vazhdoi ato pasuniversitare në Universitetin e Helsinkit – një rrugëtim për t’u respektuar.
Para se të lidhte jetën me një djalë nga Kosova, Qendresës i thashë:
“Nëse kam fatin që bija ime të krijojë lidhje me një djalë që vjen nga një familje e mirë shqiptare, unë fitoj një djalë. Në të kundërtën, humbas edhe vajzën.”
Mua më ndodhi kjo e fundit.
Ajo u martua dhe solli në jetë tre fëmijë të mrekullueshëm. Por jeta bashkëshortore nuk ishte e lehtë. Përjetoi nënçmim dhe madje edhe kërcënim fizik. Ishte e policia e shtetit që e largoi burrin e saj nga banesa, por ai u strehua te një i afërm i tij, i lidhur me qarqe ekstremiste islamike. Jo vetëm ai, por e gjithë familja e tij ishte e zhytur në një frymë jetese që nuk përputhet me vlerat e mia, me rrënjën dhe krenarinë shqiptare që ia kam mësuar vajzës sime.
Qendresën, për aq kohë sa unë isha aty, nuk e mbuluan. E dinte se nuk do ta pranoja në shtëpinë time me shami – njësoj siç nuk do ta pranoja as motrën time, as tezen, as hallën nëse do i shihja të mbuluara sipas standardeve të huaja, të atyre që përpiqen të na zhbëjnë kulturën dhe identitetin.
Por, më pas, vajzën ma mbuluan.
Sipas informacioneve që kam, ajo u nënshtrua pavarësisht se deklaron se mbulesa ishte vendim i saj i lirë, në faktë ishte një akt i imponuar – madje me porosi dhe me pagesë, sepse ishte fjala për bijën e Shqiptar Shaljanit. A u pagua dhëndrri? Apo rrjeti i njerëzve të tij? Nuk e di me siguri, por e di se bija ime nuk do pranonte kurrë para për të shitur dinjitetin. Ajo bëri një kompromis të hidhur për të ruajtur paqen, për të mbrojtur fëmijët, për të shpëtuar një familje që ishte duke u rrënuar.
Por, unë, si atë shqiptar, si burrë i rritur në frymën e arbërit, nuk mund të rrija pa reaguar.
Kur ma tregoi atë që kishte ndodhur, i thashë me dhimbje, por me bindje:
“Nga kjo ditë e tutje, derisa ta mbash shaminë, nuk ke të drejtë të më quash baba.”
Ky nuk është refuzim ndaj fëmijës tim, por një protestë ndaj ideologjisë që po na e mbyt identitetin kombëtar. Nuk është urrejtje, por dhimbje. Nuk është largim, por qëndresë.
Unë nuk kam luftuar gjithë jetën për ta parë bijën time të kthyer në simbol të një kulture që nuk është e jona. Nuk dua që nipërit e mbesat e mi të rriten në frymën e frikës, nën mbulesën e imponuar nga mendësi të huaja që nuk kanë lidhje me krenarinë tonë kombëtare, me kulturën tonë arbërore, me besimin e të parëve.
Bijë, nëse lexon këtë letër, dije se dashurinë time nuk e ndal shamia, por e lëndon thellë. E di që ende ka forcë brenda teje – forcën që ta kam dhënë kur të quajta Qendresë. Nëse e mbulove shpirtin, zbuloje të vërtetën. Nëse e mbulove kokën, lëshoje mendjen të flasë lirshëm. Sepse emri yt nuk ka lindur për të heshtur.”
Mitrovicë, 29.06.2025 .
Shqiptar Shaljani.



Në ditën e Shën Palit të shenjtë, një dhimbje e pafund e një prindi shpalosur në mënyrë publike, me dhimbje të madhe, të pamatshme ngase dhimbja nuk ka njësi matëse. Një letër e cila shpalos dhe zbraz dhimbshëm dhimbjen e pafund të një babai i cili e deshi më shumë se çdo gjë fëmijën e tij, vajzën për të cilën sakrifikoi veten dhe jetën, por me aktin dhe dobësinë e së cilës nuk mund të pajtohet kurrësesi e për asnjë çast deri në atë masë sa të refuzojë që ajo t’a thërras baba…!
Nuk është babai ai i cili heq dorë dhe e largon bijen e vetë. Është vetë e bija e cila heq dorë fillimisht nga vetvetja, nga jeta e saj, pastaj edhe nga babai i cili po bën përpjekje prej Sizifi duke mos hequr dorë për asnjë çast nga qëllimet e tij për rikthimin dhe shpëtimin e së bijës. Edhe s’duhet hequr dorë për asnjë çast. Por as duhet pranuar për asnjë moment dobësinë dhe aktin e së bijës ngase në këtë mënyrë ne dorëzojmë kombin dhe Atdheun në ndikimet e kësaj ideologjie vrasëse.
Është një letër që duhet lexuar me vëmendje.
Me zemër e shpirt! Me mendje të kthjellët e me kujdes! S’është një letër e rëndomtë. Gjatë leximit dhimbja të pushton e të mban pushtuar me orë të tëra pa mundur të kthjellësh sepse tashmë dhimbja tejkalon atë dhimbjen njerëzore dhe bëhet dhimbje kombëtare. Është një dhimbje të cilën jo të gjithë arrijnë t’a kuptojnë.
Një letër e cila shqyen jo vetëm krahërorin e zemrën por shpartallon edhe krejt qenësinë e një babai i cili nuk e pranon aktin e së bijës të cilën e rriti me dashni e sakrifica, nuk pranon kurrësesi të dorëzohet në dobësinë dhe ngulfatjen vrasëse që ajo i bëri vetes,….një baba i cili nuk pranon t’a dorëzojë dashninë e tij për fëmijën e tij por i cili do të qëndrojë si qëndrestar për t’a ndihmuar bijen e tij Qëndresë dhe qëndresën e kombit deri në çastet dhe forcat e fundit të qenësisë së tij!
Një baba e një prind nuk dorëzohet as nuk do të duhej të dorëzohej kurrë sepse dashuria për fëmijën e tij dhe për kombin është më e madhe se për veten e tij! Ky është martirizim i vetvetes dhe familjes në emër të një dashurie më të lartë: dashuria për Kombin dhe Atdheun!
Qielli i bekoftë shqiptarët dhe dashurinë e tyre për njëri tjetrin dhe për kombin!🙏
Marsiena faleminderit që ndave me mua dhembjen dhe krenarinë e të qenurit shqiptar(e) . Qielli të bekoftë !