ARKIVI:
27 Prill 2026

Letër e Blerim Nikës, ndër organizatorët kryesorë të pagëzimeve katolicizëm në Kosovë dhe në diasporë , Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti

Shkrime relevante

Shpërndaj

Blerim Nika
_____
I nderuar Z. Kryeministër,
Po ju drejtohem me këtë letër, duke shpresuar që t’ju gjejë në gjendje të mirë dhe duke uruar që angazhimet tuaja shtetërore po ecin mbarë.
Sot gjatë ditës lexova një deklaratë tuajën dhe, në frymën e një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe me shpresë në mirëkuptimin tuaj, po ju shkruaj personalisht. Deklarata juaj e fundit: “Ka përpjekje nga jashtë për të cenuar harmoninë ndërfetare në Kosovë”, ngre shumë pikëpyetje dhe dilema lidhur me kujt i referoheni konkretisht.
A e keni pasur fjalën për xhamitë e financuara/ndërtuara nga shtete të huaja (Serbi, Katar, Iran, Turqi, Arabi, etj.), si dhe për radikalizimin e shqiptarëve myslimanë, sidomos të fëmijëve shqiptarë? Apo i jeni referuar rikthimeve të fundit të shqiptarëve në Kishën Katolike?
Nëse keni aluduar për këtë të fundit dhe mendoni se ka ndikime nga jashtë, do të ishte e udhës të konsultoheshit me Ipeshkvinë e Kosovës, e cila mund t’ju konfirmojë se në këto pagëzime nuk ka asnjë ndikim të jashtëm. Këtë mund t’jua konfirmojnë edhe njerëz nga rrethi juaj, të cilët po ashtu janë pagëzuar gjatë dy viteve të fundit.
Unë jam Blerim Metaj, rishtazi Blerim Nika. Jam një ndër organizatorët kryesorë të këtyre pagëzimeve në Kosovë dhe në diasporë. Ju siguroj se asnjëherë nuk ka pasur ndikim apo financim nga jashtë, e as nga brenda, dhe as që do të ketë në këtë proces të pagëzimeve. Këto pagëzime janë rezultat i zgjimit të kombit shqiptar, reagimit ndaj qasjeve të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilat kanë filluar të cenojnë dhe denigrojnë figura dhe simbole kombëtare dhe jo vetëm. Këto pagëzime po ndodhin si rezultat që shqiptarët nuk identifikohen me islamin. Ju e dini, Z. Kryeministër, se si erdhi Islami në tokat shqiptare së bashku me pushtuesin gjenocidal otoman. Këto pagëzime po ndodhin me vullnet të lirë e demokratik dhe si një përjetim fetar që lidhet ngushtë me rrënjët e të parëve tanë katolikë.
Shqiptarët po ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime për përcaktim fetar, të cilën na e garanton Kushtetuta e Kosovës. Në thelb, ata po rikthehen në besimin e të parëve të tyre, në Kishën Katolike.
Ne i kemi shqiptarët e besimit mysliman vëllezër e motra. Personalisht e kam babain, vëllain dhe motrën myslimanë, me të cilët ndaj të mirën dhe të keqen, si gjithmonë deri më tani.
Ne jemi të përqendruar që shteti ynë të vazhdojë të jetë laik dhe demokratik. Jezu Krishti e ka ndarë politikën nga feja para më shumë se 2000 vjetësh, dhe këtë parim nuk ka tentuar dhe nuk tenton askush nga shqiptarët katolikë ta ndryshojë.
Nëse keni dilema, ju ofroj mundësinë e takimeve me mua, me përfaqësues të Ipeshkvisë, si dhe me familje që kanë përjetuar këto rikthime. Gjithashtu, ju ftoj të merrni pjesë në ceremonitë e ardhshme të pagëzimeve, në mënyrë që t’i ndiqni këto zhvillime nga afër dhe të shihni vetë se këto pagëzime janë të sinqerta dhe se pretendimet e Bashkësisë Islame janë të pavërteta.
Ju mund të më njihni personalisht; nëse më keni harruar, mund të informoheni për mua përmes Ilmi Cakollit, Hydajet Hysenit apo Shemsi Sylës.
Nëse, ndërkaq, keni pasur parasysh financimet e jashtme që lidhen me islamin politik dhe radikal, atëherë do të ishte e rëndësishme ta deklaroni qartë, pasi ky është një problem me përmasa globale.
Dua të theksoj gjithashtu se shqiptarët që po pagëzohen po përballen me linçime dhe sulme, jo vetëm verbale, por edhe fizike, shpesh nga vetë familjarët e tyre. Kjo situatë është nxitur nga retorika e një pjese të klerit të Bashkësisë Islame, e cila ka ndikuar në stigmatizimin tonë dhe vazhdon çdo ditë pa ndërprerje.
Z. Kryeministër, ju bëj thirrje të reagoni edhe ndaj kësaj dukurie shqetësuese, e cila është e dëmshme për të ardhmen e shoqërisë sonë evropiane. Personalisht, kam fituar procese gjyqësore në Zvicër pas përballjes me kërcënime serioze për jetën nga individë të radikalizuar, të cilët po ashtu janë nxitur nga hoxhallarë të Bashkësisë Islame, dhe institucionet zvicerane janë të njoftuara në detaje për këto raste.
Situata është alarmante dhe kërkon reagim korrekte institucionale.
Me respekt,
Blerim Nika
Zvicër
18.04.2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu