ARKIVI:
6 Mars 2026

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë forcon urat kulturore me Arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë

Shkrime relevante

Etihad Airways rifillon fluturimet nga Abu Dhabi, aftësia e Iranit për sulme është zvogëluar ndjeshëm

A displaced man with his family fleeing Israeli airstrikes in Beirut's...

Mbrojtja e identitetit nuk është urrejtje, është instinkt normal i çdo kombi që respekton veten

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Ta quash “banalitet” mbrojtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar...

“6 Marsi – Dita e Dëshmorëve” – të zyrtarizohet sa më parë…!

Bashkim Fazliu - "Migjeni", Ferizaj  Sot është Dita e Dëshmorëve në Kosovë...

Lufta e Jasharajve dhe ndikimi i saj

Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së 28...

Shpërndaj

Ing.Dip. Shqipe Bytyqi , Hora e Arbëreshëve, maj 2025

Pranvera Arbëreshe 2025”, LKSHM zgjeron bashkëpunimin me ngulimet arbëreshe në Itali  Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) ka thelluar bashkëpunimin kulturor me ngulimet arbëreshe në Itali, duke përfshirë për herë të parë edhe komunitetet në Sicili.

Këto veprimtari u zhvilluan në kuadër të manifestimit letrar “Pranvera Arbëreshe 2025”, me epiqendër Horën e Arbëreshëve, dhe u shtrinë në disa qendra të rëndësishme historike. Hora e Arbëreshëvet, është një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës arbëreshe, e themeluar në fund të shekullit XV nga arbëreshët që ikën nga Shqipëria pas rënies së Skënderbeut dhe pushtimit osman.

Hora ka ruajtur me fanatizëm gjuhën, zakonet, fenë dhe identitetin kombëtar arbëresh për më shumë se 500 vjet.

Kjo pranverë nuk solli veç lule, por edhe fjalë, këngë, kujtesë e mall. Dr. Ornela Radovicka, studiuese dhe drejtore e Qendrës Albanologjike në Kalabri, ishte zemra rrahëse e këtyre ditëve, bashkë me gazetarin Rexhep Rifati, që prej vitesh punojnë për të mos humbur fijet e gjuhës dhe identitetit arbëresh.

Përgjatë pesë ditëve (27 prill – 2 maj), krijues dhe artdashës nga diaspora morën pjesë në aktivitete kulturore, letrare e përkujtimore, në bashkëpunim me autoritetet lokale arbëreshe dhe nën mikpritjen e ngrohtë të kryetarit të bashkisë së Horës, z. Rosario Petta.

Manifestimi nisi më 28 prill me një mbrëmje letraro-muzikore të organizuar nga dy figura të reja të kulturës arbëreshe: shkrimtari Mario Calivà dhe muzikanti Pierpaolo Petta. Në këtë mbrëmje mbizotëroi një atmosferë vëllazërore, që emocionoi mysafirët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të Evropës, duke u përcjellë edhe me lot malli e gëzimi. Më 29 prill, programi vazhdoi me homazhe pranë shtatores së Skënderbeut, vizita në biblioteka, muze, katedrale, si dhe këmbime librash mes autorëve të mërgatës dhe atyre arbëreshë. Në sallën e bashkisë së Horës u mbajt një orë letrare me pjesëmarrje të poetëve arbëreshë dhe shqiptarë.

Po atë ditë, Musa Jupolli, kryetar i LKSHM-së, e nderoi shkrimtarin arbëresh Schirò Di Maggio me titullin “Anëtar Nderi”. Më 30 prill, delegacioni vizitoi dy qendra të rëndësishme arbëreshe në Sicili: Pallaci (Palazzo Adriano) dhe Kuntisa (Contessa Entellina). Në Pallaci, të njohur për sheshin historik ku u xhirua filmi i famshëm “Nuovo Cinema Paradiso”, pjesëmarrësit u pritën nga kryetari i bashkisë, z. Nicola Grana.

Megjithëse gjuha arbëreshe flitet pak në këtë qytezë, disa të rinj ende ruajnë gjuhën dhe traditat e të parëve. Një projekt i mirëfilltë për mësimin e gjuhës arbëreshe, me mbështetjen e institucioneve dhe komunitetit lokal, do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në ringjalljen e kësaj pasurie kulturore. Në Kuntisë, gjuha dhe zakonet arbëreshe janë ende të gjalla.

Prifti vendas emocionoi të pranishmit me këndimin e këngëve të vjetra arbëreshe, të cilat u përcollën me lot nga të pranishmit. Më 1 maj, në Ditën Përkujtimore të Masakrës së Portella della Ginestra (1947), delegacioni mori pjesë në ceremonitë përkujtimore për 11 viktimat e pafajshme të masakrës mafioze – mes tyre edhe fëmijë. E gjithë rruga, prej katër kilometrash, u përshkua në këmbë nga pjesëmarrësit shqiptarë dhe arbëreshë, në nderim të viktimave, në një natyrë të mrekullueshme me lule, si askund tjetër, që dukeshin si një det i pakufi ngjyrash pranverore, kodra, shkėmbinj e ajër të pastër.

Aktivitetet përfunduan më 2 maj me një pritje vëllazërore në zyrën e kryetarit të bashkisë së Horës, ku u diskutuan mundësitë për projekte të reja kulturore dhe bashkëpunime në të ardhmen. Hora e Arbëreshëve frymon arbërisht dhe mirëpret çdo shqiptar që dëshiron të rikthehet te rrënjët.

Aty, gjithmonë të pret shtatorja krenare e Gjergj Kastriotit – simbol i lidhjes shpirtërore ndër shekuj.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu