
Luan Dibrani, Prevallë
REAGIM PUBLIK KULTUROR DHE INTELEKTUAL
Qendra Kulturore Shqiptare po — maskimi i xhamisë me emër kulture jo
Të nderuar qytetarë, bashkatdhetarë, intelektualë, artistë dhe njerëz të ndërgjegjes kombëtare,
Pas reagimit publik të Asociacionit të Kulturës Shqiptare Islame në Piza, e ndiej për detyrë morale, kulturore dhe kombëtare të shpreh një qëndrim të hapur, të qartë dhe të pa maskuar.
Askush nuk e mohon të drejtën e besimit. Askush nuk ka të drejtë të fyejë një qytetar për bindjen e tij fetare. Shqiptarët kanë jetuar me shekuj me myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashinj dhe njerëz pa përkatësi fetare, dhe pikërisht kjo bashkëjetesë ka qenë një nga shtyllat më të bukura të kombit tonë.
Por një gjë duhet thënë hapur: nuk mund të ngatërrohet feja me kulturën kombëtare, as xhamia me qendrën kulturore shqiptare.
Nëse dëshironi të ndërtoni xhami, thoni hapur se po ndërtoni xhami. Ky është emërtim fetar dhe duhet të trajtohet si i tillë. Por mos e mbuloni me emrin “qendër kulturore shqiptare”, sepse kultura shqiptare është shumë më e gjerë, shumë më e lashtë dhe shumë më e thellë se çdo objekt fetar.
Qendra Kulturore Shqiptare duhet të përfshijë artin, gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin, muzikën, teatrin, shkencën, teknologjinë, edukimin qytetar, figurat kombëtare, rilindësit, dëshmorët dhe vlerat tona evropiane. Ajo duhet të jetë shtëpi e të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje, krahine apo bindjeje.
Unë nuk jam kundër një qendre kulturore shqiptare. Përkundrazi, jam për të me gjithë shpirt. Vetë kam themeluar dhe kam përkrahur veprimtari kulturore shqiptare në mërgatë, ku arti, kultura, kombi, shkenca dhe identiteti shqiptar kanë qenë në qendër. Por jam kundër çdo përpjekjeje që, nën emrin e kulturës, të futet një agjendë fetare e ngushtë, e cila nesër mund ta ndajë shqiptarin nga shqiptari.
A nuk po e shohim çfarë ka ndodhur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në shumë vende të mërgatës? Xhamitë janë shtuar me mijëra, por shkollat shqipe, qendrat artistike, bibliotekat, teatrot, laboratorët e rinisë, akademitë e teknologjisë dhe institucionet kombëtare kanë mbetur pas. Kjo nuk është rastësi. Kjo është deformim i prioriteteve kombëtare.
Kombi shqiptar nuk u mbajt gjallë vetëm me lutje. U mbajt gjallë me gjuhë, me pushkë, me penë, me shkollë, me sakrificë, me burgje, me gjak dëshmorësh, me Rilindje Kombëtare, me alfabet, me flamur dhe me ideal evropian.
Si mund të heshtim kur shohim se në disa rrethe flamuri kombëtar lihet në hije, ndërsa simbolet fetare vendosen mbi identitetin shqiptar?
Si mund të heshtim kur dëgjojmë njerëz që nuk njohin mjaftueshëm rilindësit, por flasin me fanatizëm për dogma të importuara?
Si mund të heshtim kur veshja jonë kombëtare, që e ka lakmi bota për bukuri, lashtësi dhe dinjitet, përpiqet të zëvendësohet me modele të huaja arabe, aziatike apo të tjera që nuk janë pjesë e trungut tonë kulturor?
Si mund të heshtim kur disa predikues i japin më shumë rëndësi ndarjes fetare sesa bashkimit kombëtar, madje në raste të caktuara e shohin më të pranueshme lidhjen me të huajin sesa lidhjen me shqiptarin e të njëjtit gjak vetëm pse ai i përket një besimi tjetër?
Kjo nuk është fe e pastër. Kjo është politikë fetare. Kjo është ideologji ndarëse. Kjo është rrezik për kombin.
Shqiptari nuk duhet të jetë as anti-mysliman, as anti-katolik, as anti-ortodoks. Shqiptari duhet të jetë pro-shqiptar. Por të jesh pro-shqiptar do të thotë të mos lejosh që asnjë ideologji, asnjë sekt, asnjë financim i huaj dhe asnjë projekt i maskuar të vendoset mbi kombin, mbi gjuhën, mbi flamurin dhe mbi trashëgiminë tonë.
Bota sot ecën me shkencë, me teknologji, me inovacion, me arsim, me universitete, me industri, me inteligjencë artificiale, me mbrojtje moderne, me ekonomi dhe me dije. Ndërsa disa duan të na kthejnë në debate të shekujve të kaluar, duke na mbajtur të lidhur pas dogmave të verbra dhe duke e shitur këtë si shpëtim.
Jo, kombi shqiptar nuk shpëtohet duke u mbyllur në fanatizëm. Kombi shqiptar shpëtohet duke ndërtuar shkolla, qendra kulturore, biblioteka, akademi, teatro, muze, laboratorë, qendra teknologjike dhe institucione që i përgatisin fëmijët tanë për botën moderne.
Prandaj, pyetja ime është e thjeshtë:
Pse nuk ndërtoni një Qendër të mirëfilltë Kulturore Shqiptare, ku të ketë art, gjuhë, histori, shkencë, teknologji, bibliotekë, ekspozita, debate, akademi rinore dhe hapësirë për të gjithë shqiptarët?
Pse duhet që gjithçka të sillet rreth objektit fetar?
Pse kultura shqiptare të përdoret si mbulesë për një projekt që në thelb është fetar?
Pse të mos jetë qendra një vend ku fëmija shqiptar mëson për Gjergj Kastriotin, Naim Frashërin, Sami Frashërin, Pashko Vasën, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Shotë Galicën, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën, Nënë Terezën, Anton Çettën, Fan Nolin, Migjenin, Lasgushin, At Gjergj Fishtën dhe për të gjitha figurat që e mbajtën gjallë shpirtin shqiptar?
Unë nuk jam këtu për të ndezur urrejtje. Jam këtu për të mbrojtur kufirin midis fesë private dhe identitetit kombëtar publik.
Besimi le të mbetet zgjedhje personale. Por kombi, gjuha, flamuri, kultura dhe historia nuk mund të bëhen pronë e asnjë grupi fetar.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për ndarje të reja. Mjaft na kanë ndarë perandoritë e huaja, pushtimet, ideologjitë e importuara, varfëria, emigrimi dhe politikat antikombëtare. Sot kemi nevojë për bashkim rreth vlerave kombëtare, jo për përçarje me petk fetar.
Unë kërkoj nga çdo asociacion shqiptar në mërgatë që të jetë transparent: kush e financon, cili është qëllimi, çfarë programi kulturor ka, sa vend i jep gjuhës shqipe, historisë, artit, shkencës, rinisë dhe figurave kombëtare?
Nëse projekti është xhami, quajeni xhami. Nëse është qendër kulturore shqiptare, atëherë ajo duhet të jetë vërtet shqiptare, gjithëpërfshirëse, kombëtare, moderne dhe evropiane.
Ne nuk do të nënshtrohemi para asnjë kulture të huaj që kërkon ta zëvendësojë kulturën tonë. Nuk do t’i nënshtrohemi as arabizimit, as turqizimit, as sllavizimit, as çdo forme tjetër që synon ta dobësojë trungun shqiptar.
Kombi ynë ka vend për besimtarë dhe jobesimtarë, por nuk ka vend për fanatizëm, për sheriat, për përçarje, për mohimin e flamurit, për përbuzjen e rilindësve dhe për zhveshjen e shqiptarit nga identiteti i tij historik.
Unë reagoj si njeri i artit, kulturës dhe sakrificës kombëtare. Reagoj si ish i burgosur politik. Reagoj si krijues, publicist, poet, piktor, afarist dhe atdhetar. Reagoj hapur, pa maska, me emër dhe mbiemër, i gatshëm për debate, tryeza, konsultime dhe ballafaqim publik me argumente.
Por një gjë nuk e pranoj: që në emër të fesë të zhbëhet kombi.
Feja është personale. Kombi është i përbashkët.
Xhamia është objekt fetar. Qendra Kulturore Shqiptare duhet të jetë shtëpi e gjithë kombit.
Kush e do shqiptarin, le ta forcojë me dije, kulturë, shkencë, gjuhë, art dhe dinjitet kombëtar.
Me respekt për çdo qytetar të ndershëm, por me kundërshtim të prerë ndaj çdo forme të islamizmit politik dhe çdo projekti që e vendos fenë mbi kombin,
Luan – Asllan Dibrani
Krijues, publicist, piktor, poet, afarist dhe ish i burgosur politik
I hapur për debat publik, për kulturë shqiptare dhe për mbrojtjen e vlerave kombëtare


