ARKIVI:
4 Korrik 2026

Respekti për gazetarët e Rilindjes nuk dëshmohet me ceremoni, por me drejtësi

Shkrime relevante

Rubinetet e shtëpive të klinasve me këtë pamje të pist e të neveritshme

Lekë Mrijaj, Klinë Përgjegjësia për gjendjen e ujit të pijshëm në Klinë...

Luan Dibrani i reagon hapjes së xhamisë në Itali në emër të “kulturës shqiptare!”

Luan Dibrani, Prevallë REAGIM PUBLIK KULTUROR DHE INTELEKTUAL Qendra Kulturore Shqiptare po —...

Respekti për gazetarët e Rilindjes nuk dëshmohet me ceremoni, por me drejtësi

Albin Kurti me disa gazetarë të Rilindjes..., ndonjë prej të cilëve...

4 Korrik, 2026 – 250 vjet Amerikë: Një miqësi që ndryshoi përgjithmonë historinë e shqiptarëve

Nga Frank Shkreli   ____ Megjithë problemet e brendshme dhe protestat prej më shumë...

Shpërndaj

Albin Kurti me disa gazetarë të Rilindjes…, ndonjë prej të cilëve ka qenë i shquar për vjedhjen pubike të pasurisë së përgjithshme të gazetarëve. Të tillët nuk ishin “arkivë”, por hajna të gazetës.
Përkujtimi i 2 Korrikut, një prej datave më të rëndësishme të historisë së Kosovës, duhej të ishte edhe një rast për të reflektuar mbi sakrificën dhe kontributin e gazetarëve të gazetës „Rilindja“ dhe të Radio Televizionit të Prishtinës në kohët më të rënda të okupimit serb. Në vend të kësaj, organizimi i një takimi formal në Kabinetin e Kryeministrit la më shumë pyetje sesa përgjigje.
Përzgjedhja e një grupi të vogël gazetarësh të „Rilindjes“, ndërsa u anashkaluan tërësisht gazetarët e RTP-së, krijoi përshtypjen e një qasjeje selektive dhe jo gjithëpërfshirëse. Edhe më shqetësues është fakti se gjatë këtij takimi nuk u tha asnjë fjalë për problemet e shumta që prej vitesh i rëndojnë punonjësit e „Rilindjes“.
Uzurpimi i pronave, dëbimi nga vendet e punës, mosnjohja e stazhit të punës për pension të plotë, zvarritja e proceseve gjyqësore dhe mohimi i së drejtës në 20 për qindëshin nga prona e ndërmarrjes janë plagë të hapura që presin zgjidhje. Në sirtarët e gjykatave prej vitesh pluhurosen lëndët e punonjësve të „Rilindjes“, ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin.
Po aq shqetësues është edhe fakti se prona e gazetës në Zvicër është zhdukur e plaçkitur, „Euro Rilindja“ në Tiranë është uzurpuar, ndërsa askush nuk jep përgjegjësi. Heshtja institucionale vazhdon edhe për tjetërsimin e truallit prej 5.5 hektarësh në Prishtinë, ku ish-punonjësve të „Rilindjes“ u mohohet e drejta ligjore në përfitimet që u takojnë.
Në këto rrethana, një takim ceremonial, pa asnjë angazhim konkret për zgjidhjen e këtyre padrejtësive, rrezikon të perceptohet më shumë si një akt propagandistik sesa si një nderim i sinqertë për kontributin e gazetarëve të „Rilindjes“. Përkujtimet dhe fotografitë nuk mjaftojnë kur njerëzit që mbajtën gjallë fjalën e lirë vazhdojnë të përballen me padrejtësi dhe neglizhencë.
Respekti i vërtetë për gazetarët dhe punonjësit e „Rilindjes“ nuk matet me pritje protokollare dhe fjalë të bukura. Ai dëshmohet me vendime konkrete, me kthimin e të drejtave të mohuara, me zgjidhjen e çështjeve pronësore, me njohjen e stazhit të punës dhe me garantimin e dinjitetit të atyre që sakrifikuan për informimin e publikut në një nga periudhat më të vështira të historisë së Kosovës.
Vetëm atëherë përkujtimi i tyre do të ketë kuptim të plotë. Deri atëherë, çdo ceremoni mbetet vetëm një kujtesë e hidhur se ata që dikur mbrojtën të vërtetën, sot ende presin drejtësi.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu