ARKIVI:
6 Mars 2026

“Ma dëmshpërbleni kalvarin e tin bir”, Janulla Rrapi i shkruan Edi Ramës

Shkrime relevante

Etihad Airways rifillon fluturimet nga Abu Dhabi, aftësia e Iranit për sulme është zvogëluar ndjeshëm

A displaced man with his family fleeing Israeli airstrikes in Beirut's...

Mbrojtja e identitetit nuk është urrejtje, është instinkt normal i çdo kombi që respekton veten

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Ta quash “banalitet” mbrojtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar...

“6 Marsi – Dita e Dëshmorëve” – të zyrtarizohet sa më parë…!

Bashkim Fazliu - "Migjeni", Ferizaj  Sot është Dita e Dëshmorëve në Kosovë...

Lufta e Jasharajve dhe ndikimi i saj

Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së 28...

Shpërndaj

Djali që dashuroi vajzën e I.Kadaresë. E ëma, Janulla Rrapi i shkruan Edi Ramës: Ma dëmshpërbleni kalvarin e tim biri

(Postimi i plotë i Janulla Rrapit në Facebook).

Po ndaj me ju miqt e mi hallin tim ..

Pas më shumë se 25 vjetësh vetëm “luftë” e përpjekje për të vënë në vend nderin e nëpërkëmbur të familjes sonë Rrapi, por mbi të gjitha të djalit tim të vetëm Renato, vendosa ta bëj publikisht të njohur mohimin që na është bërë nga shteti ynë i sotëm demokratik i gjymtimit të Renatos dhe persekutimit të familjes nga diktatura e sistemit komunist-socialist në Shqipëri.

Historia e dashurisë së fëmijëve të familjeve Rrapi-Kadare u bë shumë e njohur në Tiranën e viteve 80. Nuk është rasti i parë kur dy familje nuk bien dakord për dashurinë midis fëmijëve të tyre. Dallimet klasore apo racore kanë penguar shumë dashuri dhe shpesh këto kanë përfunduar edhe tragjikisht.

Qëllimi i letrës sime nuk është të tregoj dashurinë e pastër të dy adoleshentëve dhe pengimin e tyre prej prindërve, pasi çdo prind gjykon dhe dëshiron më të mirën për fëmijën e tij.

Pas shembjes së diktaturës në Shqipëri na mori në mbrojtje shteti amerikan dhe me asistencë mjekësore e juridike edhe sot vazhdon ta mbajë në jetë Renato Rrapin, djalin e shkëlqyer që “mëkatoi” duke dashuruar vajzën e të paprekshmit shkrimtar të madh të Realizmit Socialist që mbrohej direkt nga vetë diktatori Enver Hoxha.

Me kurajën e nënës gjymtimin e tim biri e kam bërë publike nëpër shumë media të shkruara dhe televizive në Shqipëri. Gjithashtu i kam shkruar edhe komisionit të Çmimit Nobël, ku prej vitesh shkrimtari Ismail Kadare pret të nominohet për ta fituar.

Dhuna dhe gjymtimi i Sigurimit të Shtetit shqiptar që është ushtruar ndaj familjes Rrapi dhe djalit tim Renato Rrapi është e dokumentuar, e njohur dhe e publikuar. Disponoj të gjitha aktet e persekutimit, të njohura nga organet që shqyrtojnë çështjet e të persekutuarve në Shqipëri, por deri më tani dëmshpërblimi nuk i është dhënë djalit tim.

Vetvetiu lind pyetja: Përse nuk ligjërohet nga shteti shqiptar dëmshpërblimi i Renato Rrapit?

Logjika ta shpjegon fare thjesht: Nëse do të dëmshpërblehej Renato Rrapi, atëherë edhe de jure do të fajësohej persekutori i tij, i paprekshmi i regjimit Hoxha, Ismail Kadare.

Ashtu si gjithë populli shqiptar që është larguar nga sytë këmbët nga atdheu kam besuar se në Shqipëri do të vendosej një ditë demokracia e vërtetë, por edhe pas një çerek shekulli të ashtuquajtur demokraci në atë vend nuk ka drejtësi për njeriun e pambrojtur.

Po pyes përsëri: Përse shteti me ligjet më të forta në botë, ShBA-ja, e njohu persekutimin e familjes sonë dhe të Rrenato Rrapit dhe na mori në mbrojtje, ndërsa shteti i tij, aty ku i ndodhi gjymtimi tim biri nëpër tortura, nuk ia njeh të drejtën juridike dhe dëmshpërblimin?

Para dy ditësh dëgjova nga mediat televizive në Shqipëri kërkesën dhe lutjen që po i bëhet Presidentit të Republikës për t’ia falur dënimin që po kryen në burg një vajze të re që ka bërë vrasje. Në përkrahje të saj prej më shumë se dy vjetësh po lobojnë shoqata në mbrojtje të grave, gazetarë dhe persona të tjerë publikë, duke e quajtur vajzën-vrasëse viktimë të viktimës së saj. Në mbrojtje të kësaj vajze këto ditë i lutet Presidentit për ta amnistuar ministri i Drejtësisë, si dhe shkrimtari ynë i madh me famë botërore Ismail Kadare. Unë e përkrah kërkesën për ta ndihmuar këtë vajzë të re të fillojë një jetë të re larg imoralitetit dhe vrasjes, pasi jam nënë. Pak a shumë në moshën e saj ishte djali im Renato kur njohu dyshemetë e ndyra të birucave të burgjeve të diktaturës së komunizmit dhe Realizmit Socialist, e më keq akoma të spitaleve psikiatrike ku e gjymtuan përjetë. Renato Rrapi ishte një ndër djemtë e edukuar e të talentuar të kohës së rinisë së tij, ëndërronte të përfundonte studimet e larta, të luante në violinë e të aktronte në sheshet e xhirimit.

Por ëndrra Renatos iu pre në mes, u dënua dhe u gjymtua. Burgjet shqiptare, ku po kryen sot dënimin vajza-vrasëse, nuk u ngjasojnë birucave ku u dergj Renato.

Mirë bën I madhi Kadare që e merr në mbrojtje dhe me autoritetin e gjeniut po ndikon mbi Presidentin, por a është kujtuar ndonjë natë para se ta vërë kokën në jastëk për të fjetur se një viktimë e tij, në moshën e vajzës-vrasëse, është i dënuar përjetë vetëm se mori guximin të DASHUROJË vajzën e tij?

Me shpresën se ligji do të funksiononte në Shqipëri dhe djalit tim do t’i jepej e drejta, para ca kohësh i kam shkruar një letër edhe Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama, por pa asnjë përgjigje deri më sot.

Kjo heshtje është përgjigjja në mbrojtje të ISMAIL KADARESË.

Sot po e bëj publike letrën që i kam nisur Kryeministrit të Shqipërisë. Si përdorues i rregullt i Facebook kam shpresë që do ta lexojë e t’i kthejë përgjigje Renatos, shokut të tij të klasës, i cili ia njeh mirë historinë e dashurisë tragjike që e gjymtoi përjetë.

Letra drejtuar Kryeministrit

Mora kurajën për të të shkruar këtë letër të shkurtër, por me shumë dhimbje për një nënë si unë. Nuk është e nevojshme të përshkruaj historinë e birit tim Renato, pasi ju e njihni shumë mirë jetën e tij dhe rininë e tij të vrarë. Para një muaji Renato ishte në buzë të varrit, por falë kujdesit të mjekëve këtu në Nju-Jork dhe ndjeshmërisë së tyre që e kanë të përshkruar në kartelën e tij mjekësore historinë e sëmundjes e kaloi rrezikun e jetës edhe këtë herë, por është mjaft i dobët fizikisht dhe shpirtërisht.

Për vite me radhë kam kërkuar në Shqipëri të drejtat që na u mohuan: pas largimit tonë të menjëhershëm në vitin 1990 për të shpëtuar jetën e Renatos na u grabit shtëpia dhe me gjithë përpjekjet nëpër gjyqet shqiptare nuk na u kthye. U lodhëm e nuk e kërkuam më, pasi ishte e pamundur të vendosej drejtësia.

Vazhdova përpjekjet, në emër të Renatos të pafajshëm e të pamundur t’i jepej dëmshpërblimi material për internimin dhe trajtimin çnjerëzor në spitalin psikiatrik të Elbasanit, por përsëri “luftë” e kotë me drejtësinë dhe burokracinë shqiptare.

Ju ndjek me shumë interesim këto dy vjet që po drejtoni punët e mbrapshta që janë bërë për 25 vjet në Shqipëri dhe shpresoj shumë te Ju për t’u vënë drejtësia edhe te Renato i pafat.

Jam nënë e vojtur, por nëse shkaktari i fatkeqësisë së Renatos do të kishte kërkuar falje publike (edhe pas librit tim të thjeshtë “Djali i ëndrrës së vrarë”, ku përshkrova me shumë vërtetësi kalvarin e Renatos dhe të familjes sonë) do ta kisha falur, se falja është fisnikëri, dhe Renatos me siguri do t’i ishte dhënë dëmshpërblimi, pasi jo vetëm është në vështirësi ekonomike (me asistencën që i jep shteti amerikan), por diçka do të ndihej mirë edhe moralisht.

Ju uroj shëndet të mirë juve dhe familjes suaj, të dy djemve që t’i keni me jetë e me fat, si dhe vetëm suksese në detyrën shumë të rëndë që po mbani mbi supe!

Mbetem me shpresë se do të kem një përgjigje pozitive nga ju.

Me shumë respekt,

Janulla Rrapi

(https://share.google/XLTKJdelLxwjcAgNK)

K O M E N T E

5 KOMENTE

  1. Habitem se pse ithtart e Kadares nuk kan ba asnji koment rreth ketij Krimi çnjerzor nga Kadare vetem e vetem se e bija e tij u dashuru me djalin e shitses se bukes ne lagjen e tyne, bile per ma teper ai ka ba edhe Krimin ma te madh qe ka mbyte nji femij te pafajshem, nji qenje njerzore pasardhes te gjakut te tij ( te pistë). Ky asht morali i shkrimtarit te komunizmit ne Shqipni.
    Ky soj njeriu nuk metiton “nderime”. Keto katila kan shite moral. Kulmi.
    Po nderohet nji kriminel, i cili ka ba edhe krime te tjera tuj i marre ne qafe jeten njerzve te pafajshem. Keto kriminela i kan sherby rregjimit kriminal.

  2. Teksti i Janulla Rrapit është një dëshmi tronditëse e dhimbjes së një nëne, e cila për më shumë se një çerek shekulli kërkon jo hakmarrje, por drejtësi dhe dinjitet për djalin e saj. Ai nuk është thjesht një rrëfim personal; është një akt akuze morale ndaj një shoqërie që ende nuk ka arritur të përballet plotësisht me plagët e së shkuarës.

    Në qendër të këtij rrëfimi qëndron fati tragjik i Renato Rrapit, një i ri që, sipas nënës së tij, u ndëshkua brutalisht nga mekanizmat represivë të regjimit komunist për një “faj” që në thelb ishte njerëzor: dashuria. Përballë kësaj historie, figura e shkrimtarit Ismail Kadare shfaqet në mënyrë polemike, jo si autor letrar, por si simbol i një epoke ku pushteti dhe arti shpesh ndërthureshin në mënyrë të pabarabartë. Po ashtu, letra i drejtohet drejtpërdrejt Kryeministrit Edi Rama, si përfaqësues i shtetit që, sipas autores, vazhdon të heshtë.

    Forca e këtij teksti qëndron në tonin e tij: nuk është një gjuhë urrejtjeje, por një gjuhë lëndimi. Janulla Rrapi e thekson se do të kishte falur, nëse do të kishte pasur një kërkimfalje publike. Kjo e ngre tekstin në një nivel etik, ku falja paraqitet si fisnikëri, ndërsa mungesa e pendesës si barrë morale.

    Një dimension i rëndësishëm i këtij rrëfimi është kontrasti që autorja vendos midis reagimit të shtetit amerikan – që sipas saj e ka njohur dhe trajtuar persekutimin – dhe shtetit shqiptar, i cili ende nuk ka dhënë dëmshpërblimin e kërkuar. Kjo e kthen tekstin në një reflektim më të gjerë mbi tranzicionin shqiptar: a është bërë realisht drejtësi për viktimat e diktaturës? A funksionon ligji njësoj për të gjithë?

    Natyrisht, teksti përfaqëson këndvështrimin e një pale dhe mbart një akuzë të rëndë morale e historike. Pikërisht për këtë arsye, ai kërkon trajtim serioz institucional dhe verifikim të plotë juridik, larg polemikave emocionale apo glorifikimeve të njëanshme.

    Në thelb, ky është një tekst që ngre një pyetje thelbësore për shoqërinë shqiptare: a mund të ketë pajtim të vërtetë pa njohjen e plotë të së vërtetës dhe pa drejtësi për viktimat?

  3. Me thanë sinqerisht te drejten, un habitem shume per Zojen Nexhmije, jo vetem se un kam nji respekt personal per té si mesuese, si mesuese e ndergjegjeshme dhe e apasionume tue kry detyren patriotike me nder dhe pa kurrefar interesi, pra un habitem per mungesen e sensibilitetit te saj si gru dhe si nane ndaj ketij krimi te Ismail Kadares dhe te shoqes se tij te nderume Helena Kadare (per te cilen kam shumë çka te flas), me mbyte ne barkun e se bijes nji foshnje të formume gjasht mujshe mbesen/nipin e tyne te formuem, qe ndoshta mbas nji muji mund te kishte dalë në jetë. E pse? Sepse Shoku Ismail, tashti autoritet i njohun, i cili propagandonte BARAZI SHOQNORE, NUK E PRANOI që vajza e tij tu martonte me djalin e nji shitsje buke te lagjes se tij te cilin e donte.
    Ku do te ulej prestigji i nji personaliteti te famshem?
    Atëhere zgjidhja u gjet: ta mbysim kete foshnje (te pafajshme) te gjakut te tij (te pistë).

  4. Z. Paul,

    E kuptoj që kjo çështje ngjall emocione të forta, por akuzat që po bëni janë jashtëzakonisht të rënda dhe kërkojnë prova shumë serioze.

    Të pretendosh publikisht se Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij Helena Kadare kanë “mbytur” një foshnje gjashtëmuajshe është një akuzë penale shumë e rëndë. Deri më sot nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor, asnjë dokument i publikuar zyrtar, që ta vërtetojë një krim të tillë. Pa prova konkrete, këto mbeten pretendime.

    Nëse ka pasur një abort, edhe ai – në çdo sistem juridik – trajtohet si çështje mjekësore dhe private, dhe jo automatikisht si “vrasje”. Përdorimi i termave si “mbytje”, “gjak i pistë” apo “krim” pa bazë ligjore nuk ndihmon të vërtetën, por e zhvendos debatin drejt emocioneve dhe etiketimit.

    Nëse qëllimi ynë është drejtësia, atëherë ajo kërkon:

    dokumente,

    dëshmi të verifikuara,

    dhe hetim institucional.

    Nëse qëllimi është debat moral mbi rolin e intelektualëve gjatë komunizmit, ai është i ligjshëm – por duhet bërë me argumente historike, jo me akuza penale të paprovuara.

    Në raste kaq të ndjeshme, sidomos kur përfshihen persona që nuk janë më në jetë për t’u mbrojtur, përgjegjësia për fjalën bëhet edhe më e madhe. Drejtësia nuk ndërtohet mbi thashetheme, por mbi fakte.

    Respekt për të vërtetën do të thotë para së gjithash respekt për provën.

  5. Zoja Nexhmije ju sugjeroj te lexoni disa shkrime rreth ketij problemi:

    1-Janulla Rapi E verteta e lidhjes se Renatos me vajzen e Kadarese si e detyroi Kadareja te abortonte vajzen qe ishte 6 muaj shtatzene
    • Botuar: 14 vite më par
    https://www.shqiperia.com/Janulla-Rapi-E-verteta-e-lidhjes-se-Renatos-me-vajzen-e-Kadarese-si-e-detyroi-Kadareja-te-abortonte-vajzen-qe-ishte-6-muaj-shtatzene.16104/

    2-Janulla Rrapi: Ja si e organizoi Ismail Kadare kurthin ndaj meje, me sigurimsit që kishte fshehur në shtëpi 13-11-2013
    https://sot.com.al/intervista/intervista-janulla-rrapi-ja-si-e-organizoi-ismail-kadare-kurthin-ndaj-meje-me-sigurimsit-qe-kishte/

    3-Janulla Rrapi: Historia tragjike e dashurisë së tim biri me vajzën e Kadaresë
    Elida Zylbeari Send an email13:42, 03-11-2013
    https://arkiv.portalb.mk/18855-janulla-rrapihistoria-tragjike-e-dashurise-se-tim-biri-me-vajzen-e-kadarese/
    Vajza e Kadares shtatzan ne muajin e 6° abortu me dhune.

    4-“Kadareja e detyroi vajzën të abortojë” – Janulla Rrapi gruaja që pretendon se shkrimtari ia la të gjymtë djalin veç pse u dashuruan me vajzën e tij 02/07/2024 IK vdiq me 1 luglio 2024
    https://www.llapi.info/kadareja-e-detyroi-vajzen-te-abortoje-janulla-rrapi-gruaja-qe-pretendon-se-shkrimtari-ia-la-te-gjymte-djalin-vec-pse-u-dashuruan-me-vajzen-e-tij/

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu