Mark Lleshi / Kolë Lleshi / Prend Lleshi / Memë Lleshi
Ismet M. Hasani, Suedi
Pak fjalë për Luftëtarët e mëdhenj
___
Mark (Tunë) Lleshi kur ju bashkua UÇK-së ishte 72 vjeç. Tash do t’i kishte rrafsh 100.
___
N’lapidar kur ju shiqova.
Bukur shumë u permallova,
Mora lapsin do fjalë i shkrova,
Kah i shkruaj po m’dridhet dora
Po m’dhemb zemra edhe koka,
E nder kembë po m’dridhet toka.
Mbrojtët Mëmëdheun, o Luftëtarë
Fytyrat e juaja në lapidar,’
po shndërisin si me qenë ar,
E ngritim kokën, jemi krenar,
I tregojmë botës mbarë
Nuk vajtojmë, se jem’ shqiptarë.
(autori – IMH)I
*
Përkujtesë
Përkujtomë dëshmorët e familjes Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës që ranë për lirinë e Kosovës – axhën Mark, Kolën, Prendin dhe Mëmën.
Më 7 gusht 1998, në njërën prej periudhave më të vështira të luftës për çlirimin e Kosovës, në Vraniq të Gjakovës ranë Mark (Tunë) Lleshi dhe Kolë (Gjon) Lleshi.
Njëzet e tetë vjet ma vonë, fryma e tyre vazhdon me qenë pjesë e historisë dhe kujtesës së Kosovës. Sakrifica e tyre nuk përfaqëson vetëm historinë e katër burrave, por edhe historinë e një familjeje shqiptare që pagoi shtrenjtë lirinë e atdheut.
Mark (Tunë) Lleshi, i lindur në Vraniq të Gjakovës, më 24 mars 1926, kur iu bashkangjit Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte 72 vjeç. Pavarësisht moshës, kur lufta mbërriti në fshatin dhe familjen e tij, ai qëndroi përkrah atyne që po e mbronin vendin.
Më 7 gusht 1998, gjatë sulmit të forcave serbe në Vraniq, baca Mark u vra.
Edhe luftëtari tjetër i familjes Lleshi, Kolë Gjon Lleshi, i lindur më15 mars 1967 – dhe ky u vra krah me axhën Mark. Nderkaq, Prendi dhe Mëma u vranë më 28 janar 1999 në Zonën e Godenit në Has.
*
Historia e Kolës asht veçanërisht prekëse, sepse ai kishte jetue në Gjermani, mbasi ishte largue prej Kosovës për shkak të përndjekjes. Mund të kishte qëndruar jashtë, larg luftës dhe rrezikut.
Por kur Kosovës i duheshin bijtë e saj, Kola u kthye prej Gjermanisë dhe iu bashkue Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 7 gusht 1998, Marku dhe Kola ranë bashkë në Vraniq.
Katër luftëtarë të familjes Lleshi
Sakrifica e Markut dhe Kolës nuk do të ishte humbja e fundit për familjen Lleshi.
Sot, Marku dhe Kola pushojnë përkrah Prend (Zef) Lleshit dhe Memë (Zef) Lleshit, dy pjesëtarë të tjerë të familjes që luftuan në radhët e UÇK-së.
Prendi dhe Mema vazhduan luftën edhe mbas gushtit të vitit 1998. Më 28 janar 1999, edhe ata ranë në luftimet kundër forcave serbe në zonën e Godenit të Hasit.
Brenda pak muajve, nji familje kishte humbë katër burra në luftën për çlirimin e Kosovës
*
Në Lapidarin e tyre në Vraniq qëndrojnë sot pranë njëri-tjetrit si katër yje, që shndërisin Qiell e Tokë, si rreze dielli – si kujtesë e përhershme e asaj që kjo familje dha për Kosovën.
Ata na kujtojnë edhe nji të vërtetë të rëndësishme për historinë tonë kombëtare. Lufta e Kosovës u përkiste shqiptarëve prej krahinave, familjeve dhe traditave të ndryshme, me përkatësi të ndryshme fetare. Shqiptarë – katolikë dhe myslimanë luftuan, vuajtën dhe ranë për të njejtin qëllim, për këte tokë…
Familja Lleshi vinte prej traditës shqiptare katolike të Kosovës, por liria për të cilën këta burra luftuan i përkiste tërë Kosovës.
Sakrifica e tyre ishte për atdheun, për popullin dhe për brezat që do të vijnë…
Nji traditë më e vjetër se Lufta
Historia e familjes së Markalleshëve nuk filloi me luftën e viteve 1997, 1998 dhe 1999.
Kjo familje është përkujtuar për nji traditë shumë më të vjetër qëndrese dhe sakrifice. Në përkujtimet për Historinë e Markalleshëve janë kujtue edhe brezat e më hershëm të familjes, të cilët kishin përjetuar përndjekje dhe kishin dhënë jetën në periudha të ndryshme të historisë së vështirë të Kosovës.
Kjo i bën katër luftëtarë të Lirisë të familjës Lleshi në Vraniq veçanërisht domethënëse.
Ato tregojnë historinë e katër burrave, por edhe historinë e brezave.
Na kujtojnë se liria e Kosovës nuk erdhi lehtë.
Ajo u fitua përmes sakrificave të jashtëzakonshme të familjeve anembanë atdheut tonë.
Përkujtetesë me nderim
Pra, 28 vjet prej ditës kur Mark (Tunë) Lleshi dhe Kolë (Gjon) Lleshi dhanë jetën. Dhe 27 vjet nga rënia e Prend (Zef) dhe Memë (Zef) Lleshi.
I përkujtojmë me krenari Axhën Mark, Kolën, Prendidn dhe Mëmën.
Poashtu, Përkujtojmë secilën familje shqiptare që i përcolli bijtë dhe bijat e veta në luftë, pa e dijtë a do të ktheheshin ndonjëherë të gjallë në shtëpi.
Ata u flijuan për Adhè,
e dhanë jetën si me lè!
Liria që gëzon Kosova sot nuk na erdhi dhuratë.
Ajo mban emra.
Ajo mban sakrificë.
Ajo mban historitë e familjeve, si familja Lleshi.
Njëzet e tetë vjet ma vonë, ua kemi borxh me ua përmendë emnat e tyne dhe me u tregua brezave që vijnë ta kuptojnë çfarë kanë dhënë për Kosovën?
Axha Mark me Kolën, Prendin dhe Memën dhanë jetën për Lirinë e Kosovës.
Ata kurrë mos u harrofshin,
N’zemrat tona gjithmonë rrofshin.
(At’ Gjergj Fishta)
Lavdi Dëshmorëve të Kombit!


