Mitrovicë e veriut, 12 qershor 2025
Në objektin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Mitrovicë të veriut sot u mbajt takimi i parë i Bordit të Përbashkët të Mitrovicës me përfaqësues dhe anëtarë nga Komuna e Mitrovicës së jugut dhe Komuna e Mitrovicës së veriut.
![]()
Në këtë takim të parë, i cili u kryesua nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njëherësh përfaqësues i kryeministrit, i pranishëm ishte edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri tha se është kënaqësi dhe nder për të që jetë aty me rastin e formalizimit të një të detyre të rëndësishme siç është Bordi i Përbashkët. Ai falënderoi Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza dhe Kryetarin e Mitrovicës së veriut, Erden Atiq për propozimet e tyre për anëtarë të këtij Bordi. Anëtarët, kryeministri Kurti i uroi për detyrën e re dhe u dëshiroi shumë suksese dhe punë të mbara e të mira, teksa u zotua për mbështetje të plotë përballë sfidave që mund të kenë.
Bordi i Përbashkët Funksional ka një rëndësi të veçantë për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy komunave. Ai parashihet në Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave.
![]()
Përmes bashkërendimit në fusha kyçe si infrastruktura, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet komunale, ky Bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe ndërtimin e besimit reciprok.
![]()
Me pjesëmarrje të barabartë nga të dy komunat dhe nën kryesimin e përfaqësuesit të Kryeministrit, ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit ndaj interesit të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim.
![]()


