Për inati të resë, më vdektë djali ! -thotë urtësia popullore
A nuk e ditën organizatorët e protestës së 17 shkurtit se Sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu është qendra tradicionale e marshimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës për shënimin e 18 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?
Po zyrtarët e Komunës së Prishtinës, a nuk e kanë ditur këtë fakt kur lejuan mbajtjen e kësaj proteste?
Ku do të zhvillohet parakalimi i trupave të FSK-së dhe të PK-së, kur Sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu bllokohet nga protestuesit?
Mendja më thotë se protesta e 17 shkurtit 2026 me moton “Drejtësi, jo politikë” ngjason plotësisht me të ashtuquajturën “ekspozitë” të BIK-ut në tendën arabe më 6 maj 2025.
Qëllimi i asaj “ekspozite” ishte i qartë, zënia dhe bllokimi i sheshit ku duhej të mbahej manifestimi i 6 majit në nder të kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Edhe për këtë kishte përgjegjësi komuna e Prishtinës.
Ndërsa protesta e 17 shkurtit 2026, me moton “Drejtësi, jo politikë”, për drejtësinë nuk ka të bëjë asgjë. Ajo është tërësisht politike dhe synon zënien dhe bllokimin e sheshit ku do të mbahej manifestimi i 18 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nën patronatin e presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Duke i ditur acarimet e OVL-së së UÇK-së dhe të opozitës me LVV-në dhe presidenten Osmani, më erdhi ndër mend kjo urtësi popullore:
A rroken dy të mençëm ndërmjet veti?
Jo, sepse të mençmit merren vesh me njëri-tjetrin.
Po një i mençëm dhe një budalla?
Jo, sepse i mençmi lëshon rrugë.
Po dy budallenj?
Eh, aty mos qillofsha unë!
Fatkeqësisht, në këtë rast kanë qëlluar dy palë që nuk lëshojnë rrugë asnjëra.
“Pastë faqen e zezë kjo kajta, që s’la burrë të mirë kërkund”, thoshte bashkëfshatari im Avdullah Sh. Suka.
“Të kisha me ditë kush po i mëson shqiptarët kaq keq me punue kundër vendit dhe popullit të vet”, pyeste shpesh daja im Zeqir Gërdalla.
Po nuk e dite nga ke ardhë dhe ku je, nuk mund të dish se kah po shkon.
Të gjitha thirrjet tingëllojnë bukur,
“Liria ka emër”,
“Drejtësi për çlirimtarët”,
“Drejtësi, jo politikë”, por janë të kota, sepse nga njëra anë është humbur kaherë adresa dhe dera e trokitjes dhe nga ana tjetër po përdoren politikisht nga organizatorët.

Deri më sot, asnjë protestë nuk i është drejtuar adresës dhe derës së duhur. Pra parlamentit të Kosovës. Le të dalë kush të dojë dhe të thotë të kundërtën. Këto protesta janë vetëm satisfaksione personale për një pjesë qytetarësh dhe mbushje baterish për politikanët opozitarë nga njëra anë dhe pengim i aktiviteteve shtetrore të presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë Kurti nga ana tjetër. Protesta e ardhëshme me 17 shkurt ka për qëllim, jo vetëm sabotimin por edhe pengimin fizik të mbajtjes së manifestimit shtetror me rastin e 18 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Mjeku së pari gjen diagnozën e sëmundjes, pastaj shikon librin për terapi. Ilaçe nuk jepen pa diagnozë.
Organizatorët e protestave me motot “Liri për çlirimtarët”, “Liria ka emër” dhe tani “Drejtësi, jo politikë”, asnjëherë nuk e kanë shtrydhur mendjen për të gjetur diagnozën, pra adresën e saktë ku dhe kundër kujt duhet drejtuar kërkesat.
Edhe kjo na qenka patriotizëm: – Të sabotosh dhe të pengosh edhe fizikisht parakalimin e FSK dhe PK në Sheshin Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Sinqerisht më vjen keq për ta.
E di se pas botimit të këtij shkrimi, në vend të një debati të argumentuar, do të pasojnë sharje, ofendime, etiketime dhe kërcënime, si zakonisht.
Por unë jam vetvetja, ballëlartë dhe me dinjitet. Forca shpirtërore e individit është në raport të drejtë me paqen e brendshme, edhe kur e gjithë bota është kundër tij. Më mirë të më thonë “thiu” sesa “gjynahu”.

“Çdo individ që është njeri i vërtetë duhet të mësohet të mbesë vetëm mes të gjithëve, të mendojë vetë për të gjithë dhe, nëse është e nevojshme, kundër të gjithëve. Të mendosh ndershëm, qoftë edhe kundër të gjithëve, do të thotë të mendosh për të gjithë”, Romain Rolland.
Një nanëloke e pyet Xhemaj Abrinë:
– Kur âsht shpija ma së ngushti, Xhemajl Abrija?
– Kur e ka belanë mbi krye, përgjigjet Xhemajli.
– Po Xhemajl Abria, por shpija âsht edhe ma ngushtë, kur e ka ahmakun mbrenda, ia kthen nanëlokja
Fatkeqësisht, organizatorët dhe opozita as nuk dinë, as nuk pyesin, as nuk dëgjojnë. Inatet kundër presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë Kurti, por edhe egoja e tyre mjerane i ka vërbuar. Ata nuk shohin më larg se hunda e tyre.
Zoti im Perëndi, jep mend aty ku s’ka !





