
Drizan Shala, ekspert i sigurisë,Prishtinë
___
Qëndrimi i Komandantit të KFOR-it, gjenerallejtënant Özkan Ulutaş, për të theksuar “mandatin origjinal nën UNSCR 1244” në takimin me komandantin e FSK-së, nuk është vetëm deklaratë standarde diplomatike – është një rikthim i fortë tek formula e vjetër ligjore, e cila bie ndesh me realitetin faktik të transformimit të FSK-së që nga viti 2019.
Shumë shtete anëtare që e njohin Kosovën kanë partneritete të thelluara bilaterale me FSK-në, por në qarkun e mandatit të KFOR-it ruajnë neutralitetin formal – e kjo ndodh sepse Prishtina nuk ka shtyrë mjaftueshëm për harmonizimin e realitetit të ri me doktrinën ekzistuese të misionit.

Megjithatë, mesazhi i Komandantit Ulutaş mbart edhe një element pozitiv: ai vë theksin tek “koordinimi i ngushtë” dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm, duke lënë hapësirë për rivendosje të balancave nëse Kosova aktivizon diplomacinë e saj të sigurisë. Kjo është një ftesë e heshtur që Prishtina të ndërtojë një ofensivë të re strategjike për të sinkronizuar mandatin politik të FSK-së me trajtimin ndërkombëtar që meriton si forcë moderne dhe kontribuuese në rendin e sigurisë në rajon.


