NE DHE ATA
(Poemë liriko-epike kushtuar minatorëve të Trepçës)
Ne,
me durim e urtësi, nëpër dekada
kemi gjurmuar
në çdo damar të nëntokës
së Stantërgut, Hajvalisë, Artanës dhe Goleshit.
Me duar të përgjakura,
buzë të shkrumbuara
e fytyra të nxira katran
nga pluhuri, bloza e balta,
kemi ushqyer djajtë e kuq.
Ne,
me litarët e lidhur në bel
dhe vdekjen më afër
se këmisha në trup,
kemi jetuar
në zgafellet e errëta
si zogjtë në kafaz.
Ne,
që jemi flijuar për të tjerët,
jemi trajtuar
si skllevër të damkosur.
Ata,
që na kanë shfrytëzuar deri në palcë,
na kanë ofenduar
e denigruar.
Ata
na kanë mbajtur
shtatë ditë e shtatë net
të ngujuar si kafshët në thark,
pa ngrënë
e pa pirë.
Ata
e kanë përgjakur Kosovën,
e ne jemi munduar
t’ia ruajmë fytyrën
dhe t’ia pastrojmë plagët.
Me llambën e Diogjenit në ballë
e kazmën në duar,
kemi shkruar
në çdo shkëmb e gur
historinë e Kosovës.
Të 1300,
aq sa ishim,
prej thellësive 900 metërshe të nëntokës,
i kemi thirrur
lirisë së Kosovës.
Ata,
që na pinë gjakun
e na gërryen edhe kockat,
të dëshpëruar me ne,
na burgosën,
na rrahën,
na përzunë
pa rroba në trup
nga vendet tona të punës;
menduan
se na shuan fare.
Por ata harruan
se ne,
me urtësi e dinjitet,
u bëmë
roje e Atdheut.
Ata,
të turpit.
Ne,
të së vërtetës.
Ata,
të shkatërrimit të vetvetes.
Minatorë të Stantërgut,
Hajvalisë, Artanës dhe Goleshit —
rrënjë, trung dhe fryt
i pemës komb,
heroizmi juaj
u kujtoftë
për jetë e mot!

Arif Ejupi
Gjenevë, 20 shkurt 2026



Poezia “Ne dhe ata” është një himn i fuqishëm poetik kushtuar minatorëve të Trepçës — simbol i sakrificës, qëndresës dhe ndërgjegjes kombëtare të Kosovës.
Me një ndarje të qartë strukturore ndërmjet “Ne” dhe “Ata”, autori ndërton një kontrast moral, historik dhe ekzistencial. “Ne” përfaqëson punën, mundin, gjakun, flijimin dhe dinjitetin. “Ata” mishëron shtypjen, shfrytëzimin, dhunën dhe poshtërimin. Kjo përballje nuk është thjesht sociale — është etike dhe kombëtare.
Figura poetike është e fortë dhe e prekshme:
“me duar të përgjakura”
“vdekjen më afër se këmisha në trup”
“zogjtë në kafaz”
“llambën e Diogjenit në ballë”
Veçanërisht metafora e “llambës së Diogjenit” është brilante — minatorët paraqiten si kërkues të së vërtetës në errësirën fizike të nëntokës, por edhe në errësirën politike të kohës. Ata nuk nxjerrin vetëm xehe, por shkruajnë histori “në çdo shkëmb e gur”.
Referenca ndaj 1300 minatorëve që nga thellësitë 900 metërshe i thirrën lirisë së Kosovës e lidh poezinë drejtpërdrejt me momentet më dramatike të rezistencës sonë kombëtare, kur minatorët e Trepçës u bënë zëri i ndërgjegjes së popullit.
Poema ka ritëm të qëndrueshëm, përsëritje të fuqishme anaforike (“Ne…”, “Ata…”), gjë që e bën tekstin pothuajse epik, me jehonë kolektive. Nuk është thjesht elegji — është akt akuze dhe njëkohësisht akt lavdie.
Vargjet përmbyllëse janë kulmore:
“Minatorë të Stantërgut,
Hajvalisë, Artanës dhe Goleshit —
rrënjë, trung dhe fryt
i pemës komb…”
Këtu minatorët ngrihen nga figura punëtori në simbol të trungut kombëtar. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë — ata janë themeli i saj.
Kjo poezi është dëshmi se letërsia jonë vazhdon të mbajë gjallë kujtesën e sakrificës. Ajo flet me gjuhën e dhimbjes, por edhe të krenarisë. Është një tekst që meriton të lexohet në përvjetorë, në shkolla, në tubime përkujtimore — sepse ruan dinjitetin e atyre që luftuan në heshtje, nën tokë, për dritën mbi tokë.
Heroizmi i minatorëve të Trepça mbetet kapitull i artë i historisë sonë — dhe poezia e Ejup Arifi e përjetëson me forcë artistike dhe ndjeshmëri të thellë kombëtare.
Zonja Nexhmije, e kam të pamundur të gjejë fjalë për t’u falenderuar për përkrahjen dhe motivimin e vazhdueshëm që më bëni . Këtë analizë të kësaj poeme dhe poezive të tjera e marrë privilegj të veçantë ,ngase është e shkruar nga një grua që gjithë jetën e saj me dashuri dhe përkushtim punoi për kombin shqiptar dhe arsimimin e tij .
Madje ngjarjen e trajtuar nëpërmjet këtyre rreshtave e njihni hollësisht sepse e keni jetuar dhe përjetuar së bashku me shumë bashkëmoshatarë tanë .
Vërtet drama e Minatorëve të Trepçës , ishte një ngjarje e papërsëritshme në historinë e Evropës . Paçi shëndet ! Faleminderit për vlerësimin dhe qëndrimin korrekt ndaj punës së gjithsecilit . Për vlerësimin tuaj objektiv dhe të paanshëm flasin edhe sot, ish- kolegë e nxënës të gjimnazit ” Xhevdet Doda ” të Prishtinës . Me respekt dhe dashni , Arif Ejupi