Në foto: Linda Rexhaj Maliqi

Nga: Nexhmije Mehmetaj
Në prag të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Gjenevë u prezantua nisma “Zëri i Gruas LIRA”, një platformë që synon të fuqizojë zërin dhe rolin e grave shqiptare në diasporë. Veprimtaria mblodhi profesioniste, studente dhe aktiviste të komunitetit shqiptar, të cilat ndanë përvoja dhe reflektime mbi integrimin, sfidat dhe kontributin e gruas shqiptare në shoqërinë zvicerane.
Nisma u prezantua nga juristja Linda Rexhaj Maliqi, me origjinë nga Istogu dhe këshilltare juridike në sindikatën zvicerane Unia. Ajo theksoi se iniciativa “Zëri i Gruas LIRA”, pjesë e platformës e-drejtajote.ch, synon të krijojë hapësira dialogu dhe ndërgjegjësimi për çështjet që lidhen me të drejtat e grave, barazinë gjinore dhe integrimin në shoqërinë zvicerane.
Sipas saj, emri LIRA përfaqëson një ide të dyfishtë: lirinë për të shprehur dhe afirmuar zërin e gruas, por edhe vlerën që gruaja shqiptare përfaqëson në familje, komunitet dhe shoqëri. Duke folur për procesin e integrimit, ajo theksoi se rrugëtimi i grave shqiptare në Zvicër ka qenë i gjatë dhe shpesh i vështirë, por sot ato janë të suksesshme dhe të pranishme në shumë fusha të jetës profesionale dhe shoqërore.

Të pranishmit i përshëndeti edhe udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi Ademaj, e cila vlerësoi kontributin e grave shqiptare në jetën publike dhe profesionale të diasporës. Ajo theksoi se sot gratë shqiptare janë të pranishme në shumë profesione, si mjeke, juriste, mësimdhënëse, inxhiniere dhe sipërmarrëse.
Në këtë veprimtari përshëndeti edhe kryetari i shoqatës Komuniteti Shqiptar në Gjenevë, Nasuf Nuhiu, i cili shprehu mbështetjen për këtë iniciativë dhe vlerësoi rolin e grave shqiptare në jetën e komunitetit. Ai theksoi se në shumë veprimtari kulturore, humanitare dhe shoqërore të organizuara nga komuniteti shqiptar në Gjenevë, gratë kanë qenë gjithmonë në ballë të organizimit dhe mobilizimit, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe traditave shqiptare në mërgatë.
Një nga momentet qendrore të mbrëmjes ishte paneli i diskutimit, ku morën pjesë Luljete Hoxha Sylejmani, Rrezarta Sejdiu Shatri, Dr. Fortesa Mehmeti dhe Elda Gashi. Ato ndanë përvojat e tyre mbi integrimin, ndërtimin e karrierës profesionale, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor, si dhe sfidat e balancimit mes jetës familjare dhe asaj profesionale.

Programi u pasurua edhe me një pjesë artistike-kulturore, ku interpretuan Laura Goga, Fatime Kallimashi dhe Vesa Ilazi.
Në fund, kjo veprimtari dëshmoi se rrugëtimi i gruas shqiptare në diasporë nuk është vetëm histori përpjekjesh individuale, por një proces i përbashkët që ndërtohet mbi solidaritetin, bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke. Nisma “Zëri i Gruas LIRA” synon pikërisht të krijojë një hapësirë ku përvojat, sfidat dhe sukseset e grave shqiptare të ndahen dhe të shndërrohen në një forcë që fuqizon komunitetin dhe forcon identitetin shqiptar në diasporë.
Gjenevë, 08. 03. 2026


