
Victoria Fitore Malo, Suedi
____
Ka njerëz që nuk të servirojnë lajmin, të tregojnë se si lidhen gjërat mes tyre. Haviv Rettig Gur është i tillë, një zë që e shpjegon Lindjen e Mesme jo me fraza të gatshme, por me kontekst, histori dhe strukturë.
E kam thënë edhe më herët, e pëlqej sepse nuk e trajton konfliktin si një duel propagandash ku çdo palë reciton “të vërtetën” e vet. Përkundrazi, e bën atë që pak analistë dinë ta bëjnë – të shpjegon se ç’ tregimi jeton secila palë në mendjen e saj, ç’ beson, çfarë i frikësohet dhe përse vepron siç vepron.
Në episodën e radhës (80: Who is Hamas and what do they want?), Havivi ndalet te një pyetje që shumë veta e bëjnë, por pak veta e kuptojnë deri në fund; Ç’ është Hamasi? Kush janë ata? Dhe
ç’ kërkojnë në të vërtetë?
Dhe përgjigjja e tij është tronditëse, sepse e ndërton jo si një deklaratë politike, por si një portret i plotë ideologjik dhe historik.
Hamasi: jo vetëm organizatë, por një lëvizje.
Sipas Havivit, Hamasi nuk është thjesht një grup i armatosur. Ai është njëkohësisht; lëvizje sociale, lëvizje fetare, organizatë politike dhe një aparat i plotë pushteti në terren.
U krijua në vitin 1987 në Rripin e Gazës, pikërisht në kohën e Intifadës së parë. Gaza ishte atëherë ende nën kontrollin ushtarak izraelit dhe shoqëria palestineze ishte duke shpërthyer në revoltë. Por Hamasi nuk lind nga hiçi. Ai vjen nga një traditë shumë më e hershme. Rrënjët i ka që nga fillimi si një degë e Vëllazërisë Myslimane (Muslim Brotherhood) nga Egjipti. Kjo organizatë, e krijuar në vitet 1920, kishte një ide thelbësore: Bota myslimane ishte dobësuar, ishte poshtëruar dhe kishte humbur epërsinë historike jo sepse Perëndimi ishte “i keq”, por sepse myslimanët kishin humbur rrugën e tyre. Rruga te rikthimi i fuqisë vinte vetëm duke u kthyer te Islami i hershëm, te devotshmëria dhe disiplina, te ideja se feja duhet të jetë forcë që e ngre sërish botën myslimane.
Kështu Hamasi shfaqet jo si një përgjigje e momentit ndaj Izraelit, por si pjesë e një “misioni më të madh”: rikthimit të një bote në lavdinë e saj, përmes devotshmërisë dhe luftës.
Hamasi nuk e sheh konfliktin si një çështje të kufijve, të negociatave apo të paqes. Ai e sheh si një betejë të madhe për kuptimin e historisë.
Dhe ndaj, ai nuk e pranon realisht zgjidhjen me dy shtete. Ka raste kur ai mund të pranojë pauza, armëpushime, kompromis të përkohshëm, jo sepse dëshiron paqen, por sepse e konsideron si taktikë në rrugën drejt qëllimit final. Dhe qëllimi final, sipas Havivit, është i qartë – fundosja e vetë ekzistencës së Izraelit. Karta e vitit 1988 e Hamasit nuk flet vetëm kundër Izraelit, apo kundër sionizmit. Ajo përdor gjuhë që marrin nishan: “hebrenjtë e botës” – po me atë fjalorin të hapur antisemitik, të përzier me ide të importuara nga traditat europiane të urrejtjes ndaj hebrenjve.
Ky dallim është i rëndësishëm sepse shumë njerëz sot përpiqen ta “paketojnë” Hamasin si thjesht rezistencë kombëtare. Havivi argumenton se kjo është injorim i vetë tekstualitetit ideologjik të grupit.
Një nga pjesët më të forta të episodit është kur Havivi e shpjegon Hamasin edhe si një rebelim të klasave punëtore. E lidh këtë me figurën e Al-Qassam-it (prej nga brigadat “Al-Qassam”), një predikues dhe militant i viteve 1930 që predikonte në Haifa kryesisht te punëtorët e portit dhe shtresat e ulëta. Sipas këtij miti themelues: elitat urbane palestineze (familjet e mëdha), udhëheqësit tradicionalë dhe aristokracia lokale e kishin tradhtuar çështjen, kishin dështuar ta ndalonin sionismin, kishin humbur tokën. Ndërsa “të vegjlit”, të varfrit, besimtarët, ishin ata që duhet ta shëlbonin këtë humbje.
Kjo, thotë Havivi, është edhe arsyeja pse Hamasi e urren rivalitetin me Fatahun aq thellë: nuk është vetëm politikë, por urrejtje e ngritur mbi një ndarje shoqërore dhe historike.
TUNELET: ekonomia e Gazës e kthyer në makinë lufte
Në pjesën më dramatike të episodit, Havivi shpjegon se Hamasi për vite me radhë e orientoi ekonominë e Gazës drejt një projekti gjigand: një rrjet tunelesh i jashtëzakonshëm, qindra kilometra, me depo, ventilim, energji dhe thellësi të madhe. Ai e quan këtë “arritja më e madhe infrastrukturore që palestinezët kanë ndërtuar ndonjëherë”.
Por pastaj vjen pyetja e tij therëse, për se u ndërtua?
Jo thjesht për t’u fshehur nga bombardimet. Sepse bunkerë të thjeshtë do mjaftonin për këtë. Por këto tunele lidhnin qytete me qytete, mund të mbaheshin ushtri brenda për muaj e vite.
Dhe këtu ai thekson një fakt që godet fort në ndërgjegje: gjatë luftës, asnjë fëmijë palestinez nuk u lejua të hynte në këto tunele, edhe pse ato mund të kishin qenë sistemi më i madh i strehimit kundër bombave në botë.
Pra, në interpretimin e Havivit, tuneli nuk ishte për popullin. Ishte për ushtrinë.
7 Tetori dhe “strategjia e shkatërrimit”
Haviv nuk e fsheh tezën kryesore; Hamasi e ndërtoi këtë sistem duke pritur një luftë të madhe. Dhe pastaj, duke kryer masakrën e 7 tetorit, ai e tërhoqi Izraelin në pushtim, e bëri shkatërrimin e Gazës të pashmangshëm dhe e përdori shkatërrimin si instrument strategjik.
Dhe e thotë shkoqur: Hamasi e pa shkatërrimin e Gazës si pjesë të strategjisë së tij. Sepse në logjikën e tij, kauza nuk është “shpëtimi i palestinezëve”. Kauza është një projekt historik dhe ideologjik më i madh; “përmbysja e turpit”, “rikthimi i lavdisë”, “fitimi i kuptimit”.
Në fund, Havivi e përmbledh Hamasin si një fenomen shumëdimensional; një ideologji me ambicie historike, një aparat pushteti represiv që vret kundërshtarët, një rrjet bamirësie, shkollash dhe indoktrinimi, një rebelim social kundër elitave dhe një organizatë terroriste me synime shkatërruese.
Dhe kjo është arsyeja pse, sipas tij, Hamasi nuk mund të kuptohet me etiketa të thjeshta. Sepse ai nuk është vetëm “politikë”. Është një besim, një doktrinë, një luftë për kuptimin e historisë.



Nje shkrim shumë, shumë interesant.
Faleminderit, Albert!