ARKIVI:
6 Mars 2026

Një fitore pa program dhe kriza e legjitimitetit politik

Shkrime relevante

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Pas Vjosa Osmanit qëndron një burrë që zhgënjeu, zhgënjeu kombin që e zgjodhi atë

Aurel Desarioti Gra si Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla kanë një rol...

Shpërndaj

Nga Isuf Bajraktari, Suedi

  • Kur emocionet fitojnë zgjedhjet dhe shteti mbetet pa alternativë

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 nuk u fituan nga programi qeverisës, nga performanca institucionale apo nga bilanci shtetëror. Ato u fituan nga koha politike, nga data e zgjedhur me kujdes dhe, mbi të gjitha, nga lidhja emocionale e një pjese të elektoratit me liderin, jo me shtetin. Kjo është e vërteta themelore që opozita ende nuk po e artikulon me qartësi.

Fitorja e kalendarit, jo e qeverisjes

Subjekti fitues hyri në zgjedhje pa një program të mirëfilltë qeverisës. As gjatë mandatit të kaluar dhe as gjatë fushatës nuk u prezantua një dokument serioz strategjik që të ofronte zgjidhje konkrete për problemet strukturore të vendit. Programi u zëvendësua nga improvizimi politik, nga komunikimi emocional dhe nga një narrativë e thjeshtëzuar që mobilizoi bazën militante. Kur erdhi dita e zgjedhjeve, rezultati ishte i paracaktuar. Nuk fitoi qeverisja, fitoi data.

Vota emocionale dhe pesha e mërgatës

Zgjedhjet u mbajtën në një moment kur dhjetëra mijëra mërgimtarë ndodheshin në Kosovë për festat e fund vitit. Ky nuk është një detaj teknik, por faktor elektoral me ndikim të drejtpërdrejtë. Një elektorat emocionalisht i lidhur, më pak kritik ndaj qeverisjes dhe i prirur të votojë mbi baza simbolike, u bë vendimtar në rezultat. Kjo nuk ishte rastësi, por kalkulim politik. Një pjesë e mërgatës, e pa integruar institucional në vendet ku jeton, shpesh voton emocionalisht dhe jo program, duke krijuar tension mes qytetarit rezident dhe votës nga jashtë.

Skandale pa ndëshkim dhe një iluzion i rrezikshëm

Pavarësisht dyshimeve serioze për keq menaxhim financiar, krizave në sektorë strategjikë dhe stagnimit diplomatik me partnerët ndërkombëtarë, pushteti nuk u ndëshkua politikisht. Akoma më shqetësuese është bindja naive se Kosova nuk ka nevojë të rregullojë marrëdhëniet me aleatët, sikur politika ndërkombëtare të funksiononte mbi simpati personale e jo mbi interesa dhe besueshmëri institucionale. Ky keqkuptim prodhon kosto afatgjata shtetërore.

Opozitë me program, por pa guxim

Opozita hyri në zgjedhje me programe më të strukturuara, por pa narrativë mobilizuese dhe pa guxim politik. Në një klimë ku vota është shndërruar në akt besnikërie emocionale, arsyeja nuk mjafton. Hapësira politike po tkurret dhe sistemi po shndërrohet në përballje mes një force dominuese dhe një opozite të fragmentuar.

Elektorat që voton liderin, jo shtetin

Një pjesë e elektoratit nuk voton për program apo për performancë institucionale. Ai voton liderin. Kritika perceptohet si tradhti, ndërsa përgjegjësia gjithmonë zhvendoset diku tjetër, te kaluara e shkuar. Pa një figurë të re, me autoritet moral dhe kredibilitet publik, ky cikël pushteti do të vazhdojë.

Fitorja reale: bojkoti qytetar

Rezultati më domethënës i zgjedhjeve është pjesëmarrja e ulët: vetëm 43.47%. Kjo do të thotë se mbi gjysma e qytetarëve zgjodhën të mos përfaqësohen nga asnjë subjekt politik. Ky është një mesazh i qartë politik: lodhje, mosbesim dhe refuzim i klasës aktuale politike. Një fitore elektorale e mbështetur nga pakica nuk përkthehet automatikisht në legjitimitet të plotë demokratik. Humbja më e madhe e këtyre zgjedhjeve nuk është e opozitës. Është e shtetit. Demokracia dëmtohet edhe kur qytetari pushon së besuari se vota e tij ka kuptim.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu