Kërkojmë protokoll të detyrueshëm shtetëror për varrimet e zyrtarëve të Republikës së Kosovës
Organizata Shqiptaria shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të zyrtarit të Policisë së Kosovës, Shaban Hajdari, për humbjen e rëndë të njeriut të tyre të dashur. Çdo humbje e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është humbje për familjen, institucionin dhe për vetë Republikën e Kosovës.
Megjithatë, njëkohësisht shprehim indinjatën dhe shqetësimin tonë të thellë për mënyrën se si u organizua ceremonia e përcjelljes së tij në banesën e fundit.
Është e papranueshme që një zyrtar i Policisë së Republikës së Kosovës, i përcjellë me nderime nga kolegët dhe institucionet shtetërore, të mos mbulohet me Flamurin e Republikës së Kosovës, por me një flamur fetar. Një polic nuk e ka dhënë betimin para një institucioni fetar, por para Republikës së Kosovës. Ai ka shërbyer shtetin dhe Kushtetutën e tij, prandaj edhe nderimet zyrtare duhet të pasqyrojnë identitetin shtetëror.
Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e çdo familjeje për ta organizuar ceremoninë fetare sipas bindjeve të saj. Kjo është një e drejtë themelore. Mirëpo, në momentin kur ceremonia shoqërohet nga institucionet shtetërore dhe zhvillohet me nderime zyrtare, simboli që duhet të përfaqësojë shtetin është vetëm Flamuri i Republikës së Kosovës.
Ky nuk është një rast i izoluar. Ai dëshmon mungesën e një protokolli të qartë shtetëror dhe krijon hapësirë që simbolet fetare të zëvendësojnë simbolet e Republikës në ceremoni zyrtare. Një praktikë e tillë cenon karakterin laik të shtetit dhe dinjitetin e institucioneve të tij.
Për këtë arsye, Organizata Shqiptaria kërkon urgjentisht nga Presidenca e Republikës, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës miratimin e një protokolli të detyrueshëm shtetëror për ceremonitë mortore të zyrtarëve të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ky protokoll duhet të përcaktojë qartë se:
* Çdo zyrtar shtetëror që përcillet me nderime zyrtare duhet të mbulohet me Flamurin e Republikës së Kosovës.
* Ceremonitë fetare mund të zhvillohen sipas dëshirës së familjes, por ato nuk mund të zëvendësojnë ceremoninë dhe simbolikën shtetërore.
* Nëse familja zgjedh të mos respektojë protokollin shtetëror, atëherë ceremonia duhet të zhvillohet si varrim privat, pa pjesëmarrjen ceremoniale të institucioneve shtetërore.
Republika e Kosovës është shtet laik. Institucionet e saj nuk mund të relativizojnë identitetin e tyre kushtetues duke zëvendësuar simbolet e shtetit me simbole fetare gjatë ceremonive zyrtare.
Sot nuk është në diskutim besimi i të ndjerit apo i familjes së tij. Në diskutim është dinjiteti i shtetit, respekti ndaj uniformës së Policisë së Kosovës dhe mënyra se si Republika i nderon shërbyesit e saj.
Nëse nuk vendosen rregulla të qarta sot, raste të tilla do të përsëriten edhe në të ardhmen. Republika e Kosovës duhet t’i nderojë zyrtarët e saj me simbolet e Republikës. Kjo nuk është çështje feje, por çështje e rendit kushtetues, e dinjitetit institucional dhe e respektit ndaj shtetit.


