ARKIVI:
8 Mars 2026

Para pesë vitesh u shua Bilbili i Kosovës, këngëtarja Nexhmije Pagarusha

Shkrime relevante

Provokim në zemër të Kosovës: Flamuri i një shteti të huaj në Mitrovicë , policia e ruan atë…!

Luan Dibrani, Gjermani Ngjarja e fundit në Mitrovica, ku policia e Kosovo...

Përçarje brenda Iranit midis Gardës Revolucionare dhe udhëheqjes politike

Njerëzit vizitojnë Parkun Kombëtar Hapësinor të Gardës Revolucionare, pak jashtë Teheranit,...

Sipas historianit Kristaq Prifti, në Kosovë nuk ekzistonte popullsi turke

Msc Belisar Jezerci, historian POPULLSI TURKE NË KOSOVË NUK EKZISTON ! Ne bazë...

Urime për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Luan Dibrani, Gjermani  Sot, më 7 Mars, në këtë ditë të shënuar të...

Fjalë respekti dhe mirënjohjeje për Mësuesin tim, Sabri Raçi

Arif Ejupi, Gjenevë Disa njerëz kalojnë në jetën tonë pa lënë fare...

Shpërndaj

Nga: Behlul Jashari, Prishtinë

-Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës shqiptare, Këngëtarja e Shekullit, Artiste e Merituar, Nderi i Kombit, janë disa prej epiteteve dhe dekoratave për këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha/

-Në 7 Shkurt 2014, Nexhmije Pagarusha qante per shuarjen e Vaçe Zeles “Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të do jetojë derisa të shkojë edhe unë te ajo…” Fliste e qante këngëtarja për këngëtaren, e pyetur nga unë/

PRISHTINË, 7 Shkurt 2025/ Bilbili i Kosovës, këngëtarja Nexhmije Pagarusha, e lindur në 7 Maj 1933 në fshatin Pagarushë, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare, njoftohej në 7 Shkurt 2020.

 Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e muzikës shqiptare, Këngëtarja e Shekullit, Artiste e Merituar, Nderi i Kombit, janë disa prej epiteteve dhe dekoratave për këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, për të cilën vlerësimet më të larta shpreheshin edhe në mesazhet e shumëta të ngushëllimit.

E vlerësonte lart edhe media, duke theksuar se “Nexhmije Pagarusha, ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit” dhe se “mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë”.

7 SHKURT 2014: QANTE KËNGËTARJA PËR KËNGËTAREN

Pikërisht në 7 Shkurt 2014, kam shkruar se  Bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha qante për Vaçe Zelen që u shua një ditë më parë në Basel të Zvicrës në moshën 75 vjeçare:

PËR VAÇE ZELEN SOT QANTE EDHE BILBILI I KOSOVËS

Prishtinë, 7 Shkurt 2014-Behlul Jashari/ Për Vaçe Zelen sot qante Nexhmija Pagarusha, u përgjigj me shumë lotë kur e pyeta si ndihet Bilbili i Kosovës në këtë ditë lamtumire nga Prishtina të Ikonës dhe Mbretëreshës së Këngës Shqiptare.

“Unë Vaçen e kam shpirt. Unë me të do jetojë derisa të shkojë edhe unë te ajo…”, flet  këngëtarja për këngëtaren.

Dhe, si ta ngushëllojë veten vazhdon: “Është me mua Vaçja.Vetëm trupi i saj nuk është, se shpirti i saj është me mua…”

“E takimi i parë ju kujtoht sot?”, e pyesim Nexhmijen.

“Takimi i parë ishte në Shqipëri në vitin 1971. E kam parë në skenë, nuk më ka ndodhë kurrë në jetë dikush të shkëlqejë si ajo, shkëlqente njerëzimi, e mira e saj, shpirti i saj i shëndritshëm…Edhe kur e kam takuar nga afër më është dukur ashtu, më e bukura, më e mira…Unë kam takuar shumë njerëz, kam parë botën, por si Vaçja që më ka hyrë në shpirt nuk kam parë”, shprehet Nexhmija.

Dhe vijon gjithnjë mes lotëve: “I dua të gjithë njerëzit, më duan…Po ajo, Vaçja, është imja, dhe unë ate e mbajë në shpirt. Trupi i saj shkoi, por shpirti i saj është te unë. Ngushëllime gjithë Shqipërisë, gjithë Kosovës, gjithë kombit dhe gjithë njerëzve…”, shprehet Bilbili i Kosovës.

Nexhmija kujton komunikimin e saj të fundit me Vaçen. “Tash kur kishte dalë prej spitalit, që ishte katër muaj, bisedova edhe u gëzova shumë se më tha ishte më mirë…”

 Nexhmije Pagarusha, mes shumë artistëve, shumë njerëzve të pikëlluar kishin ardhur pasditen e sotme në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”  në Prishtinë për të pritur mbërritjen e trupit të pajetë të këngëtares së njohur shqiptare, Vaçe Zela, dhe për lamtumirën artistes së madhe.

Mes tyre ishte, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, i cili tha se këtu në Prishtinë plotësohej amaneti i fundit i Vaçe Zelës. “Siç më thanë edhe motrat e saj, ka kërkuar vetë Vaçja që të kalojë nëpër Kosovë, drejt Shqipërisë… Me zërin e saj, me shpirtin e saj, i ka kënduar këtij vendi, i ka kënduar kombit tonë…”, tha ambasadori shqiptar Lauka.

Si një yll, Vaçe Zela, u shua dje në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 75 vjeçare.

NGA ARKIVI

4 Maj 2010: KOSOVË – NEXHMIJE PAGARUSHA DEKOROHET ME  ÇMIMIN “ARTISTE E MERITUAR”

PRISHTINË, 4 Maj 2010- B.Jashari/.- Nexhmie Pagarusha, e njohur edhe si “Bilbili i Kosovës”, u dekorua sot nga  Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.

Dekorata u dorëzua sot solemnisht në ambientet e zyrës së Presidentit të Kosovës. 

Në arsyetimin e dekorimit të znj. Pagarusha, Presidenti Sejdiu theksoi se “kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme”.

“E përkushtuar gjithë jetën për të  ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese  e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, theksohet në arsyetim.

Po ashtu vlerësohet se Nexhmije Pagarusha “është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”. 

Presidenti Sejdiu e dekoroi znj. Pagarusha në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në  bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre. 

27 Nëntor 2012: “NDERI I KOMBIT” PËR NEXHMIE PAGARUSHËN

TIRANË, 27 Nëntor 2012/ATSH/.- Presidenti Bujar Nishani nderoi të martën me Urdhrin “Nderi i Kombit” këngëtaren e madhe shqiptare, Nexhmie Pagarusha, me motivacionin: “Artistes së shquar me zë të rrallë dhe interpretim virtuoz, që i dha shpresë dhe besim popullit shqiptar të Kosovës në vitet e vështira të pushtimit serbomadh dhe që i shtoi vlera dhe cilësi të reja kulturës shqiptare, duke u bërë pikë e rëndësishme referimi në historinë e saj”.

Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, ku ishin të pranishëm personalitete të artit dhe kulturës shqiptare,
Presidenti vlerësoi veprën e madhe kulturore dhe artistike të zonjës së madhe shqiptare, Nexhmie Pagarusha.
“Gjatë 100 viteve, ne shqiptarët kemi qenë të pushtuar e të ndarë, por kulturën e këngën kurrë nuk mundën ta izolojnë, ta pengojnë, apo ta ndrydhin. Për ne është fat që, veçanërisht në momentet e vështira të izolimit, mesazhi përmes artit, përmes shpirtit të zonjës së madhe Nexhmie Pagarusha, ishte ndër gjërat e pakta që na mbante gjallë shpesën për të qenë një ditë pranë njëri-tjetrit”, u shpreh Nishani.

     Artistja e madhe, me fjalët e saj i emocionoi të pranishmit, ndërsa përcolli urimet më të mira për ditën e gëzueshme të 100-vjetorit të Pavarësisë. /a.s/ /m.m/
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=505899406781701&id=170642680307377&set=a.170652896973022&locale=bg_BG

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu