Në diskursin publik të viteve të fundit po konsolidohet një narrativë që synon ta reduktojë mërgatën shqiptare në një masë emocionale, të mobilizueseve përmes tubimeve spektakolare, fjalimeve të ngarkuara emocionalisht dhe një patriotizmi të zhveshur nga përmbajtja institucionale. Kjo qasje nuk është as spontane dhe as e pafajshme; ajo është e ndërtuar mbi kalkulim politik dhe mbi keqinterpretimin e qëllimshëm të rolit historik të mërgatës në proceset shtet formuese. Mërgata shqiptare nuk është audiencë, nuk është skenografi politike dhe as rezervë votash për konsum elektoral. Ajo është një faktor i rëndësishëm politik, financiar dhe diplomatik, i formësuar në dekada sakrifice, përkushtimi dhe vetëdije kombëtare. Kontributi i saj nuk mund të relativizohet nga entuziazmi i përkohshëm i një tubimi apo nga retorika e një fjalimi të vetëm.
Historia politike e Kosovës dëshmon qartë se mërgata e fitoi fuqinë e saj reale përkrahëse dhe shtet formuese në vitet ’90, në kohën e rezistencës paqësore dhe ndërtimit paralel të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ky proces u udhëhoq nga vizioni shtet formues i Presidentit Ibrahim Rugova dhe u institucionalizua përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në atë periudhë, mërgata nuk u thirr për spektakël, por u organizua për përgjegjësi politike dhe kombëtare; nuk u përdor për imazh, por për ndërtim institucionesh; nuk u mashtrua me emocione, por u përfshi me vetëdije dhe qëllim shtet formues. Në kontrast me këtë traditë, sot po promovohet një model tjetër marrëdhënieje me mërgatën: vite të tëra mungesë komunikimi institucional dhe afrime të shkurtra, intensive, në prag të cikleve politike. Ky nuk është respekt politik dhe as partneritet strategjik; ky është kalkulim afatshkurtër elektoral.
Dhe mërgata, falë përvojës së saj historike dhe pjekurisë politike, e dallon qartë këtë ndryshim. Respekti ndaj mërgatës nuk matet me duartrokitje të orkestruara, me prezencë simbolike në skenë apo me imazhe të kontrolluara për konsum mediatik. Ai matet me politika konkrete, komunikim të vazhdueshëm institucional, përfshirje reale në vendimmarrje dhe gatishmëri për llogaridhënie, edhe atëherë kur nuk ka kamera, tubime dhe brohoritje. Veçanërisht shqetësuese është përpjekja për ta paraqitur mërgatën si “shtyllë të pakontestueshme” të një subjekti apo lideri të vetëm politik, duke injoruar pluralizmin e saj të brendshëm dhe vetëdijen e saj kritike. Një qasje e tillë nuk e forcon mërgatën, por e nënvlerëson atë, duke e trajtuar si turmë, e jo si komunitet me mendim politik të pjekur dhe autonom. Gjeneratat e reja të mërgatës, përfshirë brezin e tretë që po rritet jashtë Kosovës, janë më të ekspozuara ndaj kësaj retorike boshe për shkak të mungesës së përvojës direkët me proceset e shtet ndërtimit. Megjithatë, historia dëshmon se manipulimi politik ka jetë të shkurtër. Realiteti institucional dhe politik gjithmonë e gjen rrugën e tij, përtej skenës dhe fjalimeve.

Trashëgimia rugoviane nuk është nostalgji, por kapital politik dhe moral. Ajo përfaqëson idenë e shtetit, të dialogut, të durimit politik dhe të legjitimitetit institucional. Kjo trashëgimi nuk zhduket me heshtje, as zëvendësohet me spektakël. Ajo mbijeton dhe rikthehet përmes pjekurisë qytetare, përgjegjësisë shtetërore dhe respektit ndaj ligjit. Historia është e qartë: mërgata shqiptare ishte shtyllë e shtetit atëherë kur u trajtua si pjesë themeluese e tij. Çdo model tjetër që e sheh atë si dekor elektoral është i përkohshëm, i brishtë dhe politikisht i pasinqertë. Në fund, nuk duhet të mbetet kënaqësia e duartrokitjeve, por institucionet funksionale, vlera e punës, forca e ideve dhe respekti real ndaj qytetarit. Këto duhet të dëshmohen edhe pas zgjedhjeve, përmes praktikës dhe jo vetëm retorikës, sepse përndryshe vizioni shndërrohet në iluzion dhe mërgimtari rrezikon të humbasë lidhjen emocionale me vendlindjen dhe origjinën e tij.




