AKADEMIA E MENDIMIT BARDHEZI DHE TELEVIZORI „RUDI ÇAJEVAC“ I HISTORISË
____
Budallenjtë e kanë një talent të rrallë:
Pyetjeve shumëngjyrëshe u përgjigjen bardhezi.
Jo sepse realiteti është bardhezi, por sepse mendimi me më shumë se dy ngjyra ua mbingarkon trurin.
Disa organizma njëqelizorë, në krahasim me ta, duken sikur i kanë përfunduar studimet pasuniversitare në filozofi.
Prandaj, kur kryebudallai i tyre e shpalli togfjalëshin madhështor: „Ose je me UÇK-në, ose me Slobodan Milosheviqin“, ata nuk e kuptuan budallallëkun e tij si një slogan politik tashmë të stërkonsumuar.
E morën për hartë gjeografike, për busull morale dhe për udhërrëfyes të përjetshëm turistik.
Që atëherë, kushdo që guxon ta bëjë një pyetje të tretë, dyshohet se e ka humbur rrugën për në Beograd.
Kjo është shkolla politike e PDK-së, e cila që nga themelimi e trajton realitetin si një televizor bardhezi: ose je hero, ose tradhtar; ose je me ne, ose je me armikun.
Ngjyrat e tjera janë të ndaluara, sepse mund të zbulojnë gjëra që nuk duhet të shihen.
Në këtë akademi të mendimit me dy butona, Hashim Thaçi e ka pasur statusin e rektorit të përjetshëm, ose, më saktë, e ka pasur statusin e idhullit legjendar dhe të mishërimit ceremonial të UÇK-së.
Sa herë që shpërthente ndonjë aferë mafioze, rektori dilte para publikut me tri shkronjat e shenjta të UÇK-së, të cilat i përdorte si çati politike.
Nën atë çati mund të fshihej gjithçka: ndonjë vjedhje e pasurisë publike, ndonjë tender i manipuluar, ndonjë vrimë në arkën e shtetit apo ndonjë shitje e pronës publike, zyrtarisht për disa qindarka, ndërsa jozyrtarisht për shuma që do ta bënin edhe ndonjë sheik të Gjirit të kërkonte mundësinë e pagesës me këste.
Çatia ishte patriotike. Prona ishte publike. Dyshimet për përfitime kërkonin hetime. Ndërsa qytetari duhej të qëndronte në shi dhe të mos pyeste se kush ia kishte marrë çelësin e shtëpisë.
Por historia bëhet edhe më interesante kur rektori duhej të përballej me akuzat e Gjykatës Speciale në Hagë.
Papritur, heroi i televizorit bardhezi u shndërrua në një figurë që, sipas paraqitjes së tij mbrojtëse, nuk e kishte parë kurrë me sytë e vet vijën e parë të frontit, nuk e njihte asnjë komandant të asnjë rajoni dhe nuk e kishte asnjë njohuri të drejtpërdrejtë për çështjet për të cilat duhej të përgjigjej para drejtësisë.
Deri dje, UÇK-ja ishte biografia e tij politike. Kur erdhi puna te përgjegjësia penale, biografia e tij filloi të dukej si një libër që dikush ia kishte futur gabimisht në bibliotekë.
Natyrisht, akuzat nuk janë dëshmi dhe secili ka të drejtë të mbrohet.
Por pikërisht këtu lind pyetja që televizori „Rudi Çajevac“ nuk mund ta transmetojë:
Si mund të jesh për vite me radhë mishërimi politik i një lufte, ndërsa, kur vjen puna te përgjegjësia konkrete, të sillesh sikur luftën e ke njohur vetëm nga fotografitë?
PDK-ja, megjithatë, nuk u mjaftua me kaq. Ajo e bëri një zbulim të ri që do t’i trondiste edhe laboratorët e biologjisë politike:
UÇK-së ia huazoi ADN-në e vet.
Sipas kësaj gjenetike të re partiake, meritat e luftës trashëgohen jo vetëm në familje, por edhe në parti, ndërsa prona publike mund të trajtohet si trashëgimi private.
Mjafton të kesh qenë në luftë, ose ta kesh njohur dikë që ka qenë, dhe papritur shteti të duket si shtëpia e gjyshit tënd: hyn brenda, merr çfarë të duash dhe u thua të tjerëve se nuk kanë të drejtë të të pyesin, sepse ti e ke çliruar shtëpinë.
Kështu, përmes propagandës, qytetarëve të Kosovës iu shit një përrallë madhështore:
Jo UÇK-ja, por PDK-ja e kishte çliruar popullin dhe territorin autokton të Kosovës nga armiku shekullor serb.
NATO-ja dhe populli i Kosovës, sipas kësaj tragjikomedie, paskëshin qenë thjesht spektatorë të rastësishëm, të ulur para televizorit bardhezi të markës „Rudi Çajavec“, duke i ndjekur me emocione të papërshkrueshme operacionet e PDK-së kundër ushtrisë serbe.
Në ekran, në krye të frontit që na e përshkruan kjo fantazi partiake, me siguri qëndronte gjenerali Enver Hoxhaj nga Peçani i Therandës, me zëvendësin e tij, kolonelin Shpend Maxhuni.
Mungonte vetëm spikeri që të njoftonte:
Të dashur shikues, NATO-ja mund t’i vazhdojë bombardimet, por ju lutemi, mos e ndërroni kanalin!
Fitorja është pronë e PDK-së.
Pas përfundimit të transmetimit do të fillojë privatizimi i lavdisë kombëtare, ndërsa reklamuesit tanë do t’ju njoftojnë për tenderët e radhës!“
Nëse ky version i historisë do të ishte i vërtetë, atëherë do të duhej të rishkruheshin edhe librat e historisë ushtarake.
Akademitë botërore do të duhej ta zëvendësonin studimin e strategjisë me studimin e konferencave partiake, ndërsa NATO-ja do të duhej ta pranonte se kishte shpenzuar miliarda dollarë për një luftë që, në të vërtetë, e kishte fituar një parti me telekomandë në dorë.
Madje, në vend të medaljeve ushtarake, veteranëve do t’u shpërndaheshin karta anëtarësie partiake, ndërsa çdo qytetari që kërkon llogari për pronën publike do t’i kërkohej fillimisht të dëshmonte se në cilin kanal e kishte ndjekur luftën.
Dhe tani vijmë te pyetja themelore.
A janë njerëzit që mendojnë bardhezi të vetëdijshëm se, kur e reduktojnë një realitet shumëngjyrësh në dy ngjyra, rrezikojnë të përfundojnë në njërën nga dy kategoritë më tragjikomike të historisë:
Ose janë manipulues që e keqpërdorin patriotizmin për t’i mashtruar të tjerët, ose janë njerëz që e kanë ngatërruar të menduarit me funksionimin automatik të një tostieri?
Sepse ekziston edhe një mundësi e tretë: të jenë budallenj sa lopët e Banatit.
Megjithatë, për hir të lopëve të Banatit, duhet bërë një sqarim shkencor: ato, të paktën, nuk pretendojnë se e kanë çliruar Kosovën, nuk kërkojnë tenderë në emër të UÇK-së dhe nuk e shpallin veten pronare të shtetit vetëm pse kanë kullotur në të njëjtën livadh.
Lopët kullosin. Qytetarët paguajnë taksa. Shteti duhet të funksionojë.
Ndërsa disa politikanë, pasi e përfundojnë kullotjen politike, vazhdojnë të na shpjegojnë se bari u takon vetëm atyre, sepse dikur kanë luftuar për livadhin.
Dhe nëse dikush guxon t’i pyesë se ku përfundoi bari, ata ia kthejnë me formulën e famshme:
„Ose je me UÇK-në, ose me Slobodan Milosheviqin!“
Në atë çast, debati përfundon, televizori mbetet bardhezi dhe lopët e Banatit, për herë të parë në histori, duken si e vetmja palë që nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta.



