Tragjedia e vërtetë e plakjes nuk është të bëhesh i vjetër por që shpirti mbetet i ri.
Ka dhe plakja një lloj bukurie në vetvete por që krahasuar me vështirësinë fizike që ajo sjell, njerëzit pothuajse nuk e vënë ré.
Pastaj, shumica e njerëzve duke u plakur kuptojnë gabimet që kanë ardhur si pasojë e papjekurisë dhe që shpesh faktori moshë, siç e mendonin dikur, nuk është përgjegjësi kryesor.
Njeriu me moshë urtësohet, thellohet, kujtimet bëhen strehë kthjellimesh e nostalgjie.
E megjithatë, brenda nesh, jeton shpesh i njëjti shpirt kurioz e rebel i rinisë.
Bota pret që “të sillemi sipas moshës sonë”, por shpirti ende ëndërron njësoj, ende dëshiron, ende kërkon të qeshë, të veprojë e të jetojë si në të njëzetat.
Kjo ndodh sepse shpirti nuk jeton me vitet kohore por me momentet që na bëjnë të ndihemi gjallë.
E sa kohë është kështu ne refuzojmë të plakemi, derisa e kundërta bëhet e pashmangshme.


