Nga: Safet Sadiku
Humoreskë
Ka fjalë, që nuk janë vetëm fjali, por verdikt. Njëra prej tyre është kjo: “Po u shite, kanë me të ble.” E thjeshtë, brutale dhe e vërtetë. Sepse çdo shitje është një dorëzim, çdo dorëzim hap rrugë për pushtim. Proceset janë të lidhura njëra pas tjetrës!…
Në politikë, mashtrimi nuk ndodh gjithmonë me thikë pas shpine. Shpesh ajo ndodh me një buzëqeshje, gjëja diplomatike, me një marrëveshje të heshtur, me një llogari bankare në parajsa fiskale. Dhe kur ndodh, arsyetimi është po aq i rremë sa justifikimi i një hajduti që thotë se vodhi nga halli. Por halli nuk është i popullit! Halli është i pushtetarëve që kanë humbur dinjitetin dhe e kanë shndërruar atë vlerë njerzore në valutë. Sot, mund të them në gjithë real politikën globale, më shumë se kurrë, kombet gjenden në ankand. Kush ofron më shumë? Një karrige në një tryezë ndërkombëtare? Një kredi e butë nga lindja apo Perëndimi? Një premtim për stabilitet në këmbim të heshtjes? Ka çmime për gjithçka, përveç për një gjë ende nuk po ka: për nderin dhe përfaqësimin shtetëror!… Sepse kur shitet nderi, si përfaqësim shtetëror, nuk ka kthim prapa. E bashkë me të, shiten edhe idealet, po shiten edhe gjeneratat që ende nuk kanë lindur. Prandaj, rruga e mesme është iluzion. Nuk mund të jesh gjysmë i lirë, as gjysmë i shitur. O qëndron, o shembesh. Dhe kur shembesh, gjithmonë ka dikush gati të të blejë. Sepse tregu për shpirtin e njeriut, për ndërgjegjen e shoqërisë, është treg që nuk fal boshllëqe. Kështu, pyetja e sotme nuk është për pazarin: Sa vlen shteti yt? Pyetja e vërtetë është: A je në shitje si shtet? Nëse përgjigjja është po, atëherë mos harro: kanë me të ble. Dhe kanë me të përdorë. Dhe kur të kenë mbaruar me ty, kanë me të hedhë. Kjo po ndodh fare natyrshëm dhe hapur sepse po të sabotohet shteti, po kalohet në anarshi, sepse çdo gjë tani po shitet, deputetët e Kuvendit, që vetëm deputet nuk janë më! Ata janë në shitje e ne heshtim…Ata do të blihen, e ne përsëri po heshtim…
Rrugë të mesme më nuk ka
Ka momente në histori kur kombet përballen me pyetje që nuk lënë hapësirë për përgjigje të zbehta. Është ajo kohë kur dilemat nuk mund të zbuten me kompromis, kur “rrugë të mesme nuk ka më pas gjithë këtij konsumimi”. Kjo nuk është thjesht një thënie poetike; është një akt akuzë ndaj gjysmëzgjidhjeve që për dekada kanë ushqyer apatinë dhe kanë shuar idealet. Shoqëritë që rrinë pezull, që besojnë se mund të ecin midis dy botëve pa zgjedhur çështjen e ekzistencës, janë të dënuara të blihen nga e para që ofron çmimin më të lartë. Sepse, po u shite, kanë me të ble. Po e ktheve parimin në mall, lirinë në monedhë, identitetin në dekor politik, atëherë tregu do të gjendet gjithmonë. Nuk do të mungojnë as blerësit, as çmimi, por do të mungosh ti. E rruga e mesme, që dikur dukej si shteg shpëtimi, kthehet në kurth. Në një botë ku fuqitë e mëdha blejnë me ndikim dhe shesin siguri, kush zgjedh neutralitetin si strategji, zgjedh të bëhet pre. E kush zgjedh të gabuarin futet në listën e zezë të të fortëve, në listën e SHBA-së. Këtu mbyllet perdja e karierës! Ndërkohë, nuk ka tregti më të shtrenjtë se ajo që bën me ndërgjegjen tënde, sepse çdo shitje e saj është humbje e përhershme. Prandaj, pyetja që ngrihet sot nuk është për pazarin, por për qëndrimin: A do të jemi shtet që ka çmim, apo komb që ka dinjitet? Nëse nuk zgjedhim tani, të tjerët do të zgjedhin për ne. Ata na kanë klasifikuar, nivelet tona se çfarë jemi gati të pranojmë, e çfarë jo? Tregu i lirë, ndonjëherë të fundos… Vazhdoni sabotoni edhe ju deputetë maskarenj! Rrugë të mesme nuk ka, po u shite kanë me të ble!…


