Shqipe Bytyqi
POEMA E TROJËS SIME
Duke pritë vendimin
ne të gjithë ngjajmë
në copëzat e historisë së thyer
në një mbështjellse dosjesh
ligj mbi tavolinën
e një zyrtari të lartë
që gjamën e burrave
bën brryle, nofulla, ballë, djersë
të qeshura krejt të ngrira
darka nën qiej të rrejshëm
dhe një vendim
që dridhshëm
Trojën time rikonfiguron…
Është e ardhmja e mexhave t’babës
t’gjyshit e t’Kostandinit
është e ardhmja e fëmijve t’mi.
Në një univers paralel
mbase do isha princeshë e ishujve blu
ose grua e pafat në kontinentin e zi
kush e di çfarë do isha
por jo në këtë univers
ku vetëtimat djegin tokën time
e njerëzit bëhen gati për gjumë
gjumë dekadash, mbase shekujsh
nga frika se do jenë tē shtrënguar
të shohin jetën drejt në sy
të shohin një histori
që para syve tyre shkruhet
gjersa nuk ka asnjë kundërshti
për kokat që gënjejnë
mbledhur mbi tavolinë
se gënjeshtrën herët kishin mjeshtëruar
të zgjuara dhe dinake
presin Trojën time në pritë
marrëveshjeve të detyruara
lojën e shkronjave bëjnë
Në tavolinën e madhe
makthi im
kishte mbërri
disa ditë para meje.
Të zhdukurit, të vrarët
të dhunuarat me gojë të qepura
qëndronin aty
medikamentet, stimuluesit
këpucët e hapave të ngathtë
qilimi kuq në rast firmosjeje
marionetat me fytyrë prej mumje
të gjithë ishin aty
dhe mbanin nga një mollë mbi krye
rreshtoheshin para shigjetarëve
50 me 50 gjasat
E tëra ish vënë në lojē
lufta e Trojës sime
falja e gjakut të viktimave
zhdukja nga kujtesa
sikur t’mos kishin qenë kurrë
bile edhe vrasja e mbetjeve mortore…
Kurrë s’i mësova
ato sekretet e vogla të zanatit
që në fakt vidhen
ato vendimet e pista,
të parfumosura
se zaten
t’mos kundërmoj pisllëku
parfumi u zbulua!
Kurrë s’i mësova
ato mashtrime n’dukje t’vockla
arsyetime interesash regjionale, globale
hingëllima kuajsh para porte
aktvendime faljeje ujrash, tokash, malesh
të mbëshjella në letër vizlluese
rëndë-rëndë
të parfumosura
S’di pse u fiksova
pas lojës së shkronjave
shoh si vallzojnë mbi dosje
si ndryshojnë paragrafet, nenet
si riformësohen
unë kam ngecë mes dy rreshtash
aq shumë më shtypin nga jashtë
më zihet fryma brenda një teze
pastaj ato më bartin
në një kryerresht tjetër
një tjetër epokë
zgjidhja është e largët, e huaj
si shtëpi e pambaruar
e pakulm
si Trojë
në fatamorganë kthyer…

Shkruan: Dardan Berisha
Ka vite që ne lexuesit, poeten Shqipe Bytyqi e njohim për poete që i qaset thellë historisë antike, epikës, legjendës, eposit, mitologjisë dhe realitetit të dhembshëm, dashurisë së brishtë, forcës së gruas dhe heroizmit të popullit të cilit i përket me të gjitha atributet, doket dhe zakonet. Por, në këtë poezinë, POEMA E TROJËS SIME, poetja i qaset në mënyrë shumë të thellë në kuptimin historiko-antik që reflektohet në pasqyrën e qelqtë të aktuales së sotme, Trojës moderne.
Kemi të bëjmë me një poezi-poemë të gjatë, komplekse dhe e pasuruar me simbole e figura të fuqishme poetike. Përqendrohet te pritja e një vendimi politik/juridik, i cili për poeten nuk është vetëm një akt formal, por një ngjarje që rishkruan fatin e saj personal dhe kombëtar, ku pritja bëhet një metaforë e një historie të thyer, ku pushteti, korrupsioni dhe kompromiset e dhimbshme mbulojnë gjakun e viktimave dhe ngulfatin zërat e të zhdukurve:
Duke pritë vendimin
ne të gjithë ngjajmë
në copëzat e historisë së thyer
në një mbështjellse dosjesh
ligj mbi tavolinën
e një zyrtari të lartë
Në qendër të saj qëndron Troja, simbol i qytetërimit të shkatërruar me tradhti, që këtu përfaqëson atdheun e poetes, kujtesën historike dhe dinjitetin e lënduar.
Troja – nuk është vetëm një metaforë historike, por një imazh i rikthyer për të shprehur tragjedinë dhe rrezikun e humbjes së identitetit.
Dosjet dhe tavolina e zyrtarëve – shfaqen si shenjë më e zymtë e burokracisë së ftohtë dhe e vendimeve të shkruara nga njerëz pa ndërgjegje, imbecilë, thellësisht të mjerë, ku fati i një kombi, nga apetite sipërfaqësore, reduktohet në “lojën e shkronjave”.
Ajo që na vret më së shumti dhe na shkakton plagë të përhershme është Molla mbi krye para shigjetarëve, që na kujton dramën/legjendën, “Wilhelm Tell“-it, të autorit Fridrich Schiller, por këtu është metaforë e gjendjes së pasigurt të popullit: jeta ose vdekja përcaktohet nga një shigjetë, kur trolli dhe egzistenca e popullatës hidhen n’treg të tradhtisë:
falja e gjakut të viktimave
zhdukja nga kujtesa
sikur t’mos kishin qenë kurrë
Parfumi mbi pisllëkun – një figurë që denoncon hipokrizinë: krimet e mëdha fshihen pas arsyetimeve diplomatike dhe premtimeve të bukura:
ato vendimet e pista,
të parfumosura
se zaten
t’mos kundërmoj pisllëku
Fatamorgana – përmbyllja e poezisë me imazhin e Trojës së kthyer në iluzion: një shtëpi e pambaruar, pa kulm, që ekziston mes realitetit dhe zhgënjimit:
zgjidhja është e largët, e huaj
si shtëpi e pambaruar
e pakulm
si Trojë
në fatamorganë kthyer…!
Stili poetik,
është i ashtuquajtur rrëfim proteste, ku poetja Sh. Bytyqi ndërthur lirizmin personal, dhe jo vetëm, me kritikën politike në përgjithësi. Kjo poezi ka një fuqi të madhe metaforike dhe emocionale. Ajo ngjan më shumë me një monolog dramatik sesa me një poezi klasike, ku përmendet në thurjen mes historisë mitike (Troja, Kostandini) dhe realitetit politik bashkëkohor.
Pa dyshim se kjo poemë është një akt akuze poetike kundër padrejtësisë historike dhe politike. Ajo ndërthur simbolin e Trojës me përvojën e një kombi të lënduar, ku pritja e vendimeve të fuqive të mëdha shndërrohet në makth. Forca e saj është në metaforat tronditëse, gërshetimin e historisë me të tashmen dhe në shpirtin e saj rebel, që nuk pranon harrimin.
Poezia, POEMA E TROJËS SIME, është një tekst i ngjeshur me metafora, figura historike e mitologjike, dhe njëherësh me tone të forta politike e etike. Ajo mund të lexohet si një monolog dramatik, në të cilin subjekti lirik shfaq revoltën, ankthin dhe zhgënjimin ndaj një procesi historik e politik që nuk përcakton vetëm fatin individual, por të një kombi të tërë.
Tematika dhe motivet
Motivi qendror është pritja e një vendimi, që në dukje i takon një zyrtari të lartë apo një institucioni, por në kuptimin e thellë simbolizon pafuqinë e individit dhe të një populli të tërë përballë mekanizmave burokratike e politike. Në këtë kontekst, pritja nuk është akt pasiv, por makth i gjallë, një ngjarje që risjell trauma dhe rrezikon të rikonfigurojë Trojën e subjektit, pra atdheun dhe kujtesën historike kolektive.
Simbolikat:
Troja shndërrohet në metaforën qendrore të tekstit: qytetërimi i tradhëtuar, djegia dhe humbja e dinjitetit. Kjo Trojë është njëkohësisht atdheu i poetit dhe një hapësirë mitike e universale.
Dosjet, ligjet, tavolina e zyrtarëve: shenjë e ftohtësisë së pushtetit, që e redukton fatin njerëzor në “lojën e shkronjave”, ku jeta, gjaku dhe kujtesa fshihen me një firmosje.
Molla mbi krye para shigjetarëve: metaforë e gjendjes së pasigurt të popullit, ku ekzistenca varet nga një akt arbitrar, me gjasë të barabarta mes shpëtimit dhe zhdukjes.
Parfumi mbi pisllëkun: një figurë e fuqishme e hipokrizisë, që shfaq si mbulim artificial të krimeve dhe kompromisve politike.
Fatamorgana e mbylljes: e ardhmja shfaqet si një shtëpi e pambaruar, e pakulm, një iluzion i paqëndrueshëm, ku identiteti dhe kujtesa kombëtare mbeten në rrezik.
Struktura dhe stili
Poezia shmang strukturën klasike të strofave dhe ndërtohet si një rrjedhë lirike e thyer me vargje të shkurtra, të ngjeshura e retorike. Kjo e bën tekstin të ketë karakter dramatik e performativ, më afër monologut teatror se sa poezisë tradicionale.
Përsëritjet, Kurrë s’i mësova… i japin forcë akuzës, duke shfaqur një varg denoncimesh të shkallëzuara. Pra, stili është i ngarkuar me tone epike, protestuese, por njëkohësisht ruan intimitetin e lirikës, sidomos aty ku përmenden figura familjare (babai, gjyshi, fëmijët).
Mesazhi
Poema është një akt akuze kundër harresës, kompromisit dhe tradhtisë politike. Ajo denoncon mekanizmat e pushtetit që fshijnë gjakun e viktimave, zhdukin kujtesën kolektive dhe imponojnë marrëveshje të padrejta. Subjekti lirik i kundërvihet këtij realiteti me anë të fjalës poetike, duke ngritur një klithmë që shkon përtej një kohe të caktuar dhe merr përmasë universale.
Kjo poezi ndërthur elementin historik (Troja, Kostandini), mitologjinë dhe realitetin politik bashkëkohor në një tekst të vetëm. Ajo është poezi e kujtesës, e rezistencës dhe e akuzës. Forca e saj qëndron te metaforat e goditura, imazhet tronditëse dhe gërshetimi i përjetimit personal me tragjedinë kolektive.
Në këtë mënyrë, POEMA E TROJËS SIME, hyn në traditën e poezisë protestuese shqiptare, duke ofruar një vizion poetik që është njëkohësisht intim dhe universalisht i kuptueshëm.
Poetes Shqipe Bytyqi i jam mirënjohës për artin poetik që na e dhuron pa asnjë kusht, por vetëm ta lexojmë me endje dhe të mësojmë dy gjëra: artin poetik dhe historinë e vërtetë!
I uroj shëndet dhe shumë forcë dhe krijimtari të mbarë në artin poetik, siç është kjo poema me vlera shumë të larta artistiko-kombëtare!
22.09.2025, Prishtinë


