ARKIVI:
6 Mars 2026

Pse tranzicionet shoqërore tek shqiptarët zgjasin kaq shumë dhe si mund të përshpejtohen?

Shkrime relevante

Djallëzor dhe mashtrues

Isuf Bytyçi, Munih Dinakëritë janë për të marrë, kurse sinqeriteti dhe...

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Shpërndaj

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Historia shqiptare në shekullin XX dhe fillimin e shekullit XXI karakterizohet nga një seri tranzicionesh të vështira e të papërfunduara. Shqipëria, pas përfundimit të një regjimi të izoluar totalitar, nisi një rrugë të brishtë drejt demokracisë, e cila ende sot shfaq pasiguri dhe tensione institucionale. Edhe Kosova, ndonëse me një histori politike të ndryshme dhe të lidhur me robërinë jugosllave, përjetoi një tranzicion të gjatë nga dhuna dhe mungesa e lirisë drejt shtetformimit dhe vetëvendosjes. Në të dy rastet, rruga drejt demokracisë ka qenë më e ngadaltë sesa pritej dhe shpesh duket e pafundme.

Prandaj ngrihet pyetja: përse tranzicioni shqiptar zgjat kaq shumë? Një arsye themelore lidhet me trashëgiminë e sistemeve autoritare. Komunizmi në Shqipëri ishte ndër më të mbyllurit në Evropë, që kufizonte kulturën demokratike, dhe lirinë e mendimit. Në Kosovë, ndonëse realiteti politik ishte ndryshe, represioni, kontrolli ideologjik dhe izolimi institucional prodhuan pasoja të ngjashme. Sistemet autoritare vetvetiu krijojnë kultura të varësisë, frikës dhe mosbesimit, të cilat mbeten edhe pas rrëzimit formal të regjimeve. Një tjetër faktor është mungesa e elitave të formuara demokratike.

Tranzicionet kërkojnë udhëheqje me vizion dhe kulturë politike, mirëpo, pas vitit 1990, shumica e elitave politike në Shqipëri ishin ose pjesë e sistemit të vjetër, ose individë të papërgatitur demokratikisht, që shpesh riprodhuan mentalitetin autoritar në kushte të reja. Edhe në Kosovë, pavarësia solli një elitë të re politike, por jo domosdoshmërisht kulturë të re qeverisjeje. Në këtë mënyrë tranzicioni është shndërruar më tepër në ripërtëritje të elitave sesa në transformim të tyre.

Procesi demokratik ndikohet edhe nga mentalitetet shoqërore. Demokracia kërkon qytetar aktiv, kulturë organizimi, besim në institucione dhe përgjegjësi politike. Shoqëritë shqiptare kanë trashëguar një model mbijetese, individualizmi të tepruar, klientelizëm dhe nepotizëm, të cilat zëvendësojnë meritokracinë dhe barazinë e mundësive. Kështu, tranzicioni mbetet formal në planin politik, ndërsa transformimi i vërtetë shoqëror lëviz me ritme shumë më të ngadalta.

Edhe faktori ndërkombëtar ka luajtur rol të rëndësishëm. Shqipëria dhe Kosova kanë qenë të kushtëzuara nga zhvillimet e jashtme politike dhe ekonomike, duke u përballur me presione dhe modele të importuara, shpesh pa një bazë të qëndrueshme lokale.

Kosova veçanërisht vuan nga statusi ende i brishtë ndërkombëtar dhe nga proceset e pazgjidhura politike, që e vonojnë konsolidimin e shtetit dhe fuqizimin e institucioneve të veta sovrane.

Në këtë kontekst, veçanërisht i rëndësishëm është roli i inteligjencies dhe elitës intelektuale shqiptare. Në shumë shoqëri, intelektualët kanë qenë zëri kritik, korrigjues dhe emancipues i shoqërisë, duke ndërhyrë në proceset historike me ide, debat dhe vetëdije qytetare.

Tek shqiptarët, një pjesë e elitës është politizuar, një pjesë ka zgjedhur të heshtë, dhe një pjesë tjetër është margjinalizuar. Kjo ka krijuar boshllëk të thellë kritik dhe mungesë presioni intelektual ndaj devijimeve të pushtetit.

Demokracia ka nevojë për intelektualë të pavarur, jo të lidhur me interesa politike, të cilët mbrojnë interesin publik dhe formësojnë opinionin qytetar. Ai që hesht, bëhet pjesë e problemit. Inteligjencia duhet të marrë rol aktiv, që nga universitetet te media dhe nga shoqëria civile te kultura publike, duke mbrojtur vlerat demokratike dhe duke udhëhequr transformimin shoqëror.

Për të përshpejtuar tranzicionin, kërkohen disa hapa të domosdoshëm: forcimi i institucioneve, luftë reale kundër korrupsionit, rritja e kulturës qytetare dhe reforma e sistemit arsimor.

Demokracia fillon në shkollë dhe rritet në hapësirën publike. Nevojiten elita të reja, të formuara profesionalisht dhe me etikë qytetare, por edhe shoqëri më aktive, që i kërkon llogari politikës, e jo vetëm e vëzhgon atë nga larg. Në përfundim, tranzicioni i gjatë shqiptar nuk është vetëm pasojë e së kaluarës, por edhe e mënyrës se si po e ndërtojmë të tashmen.

Liria dhe demokracia nuk janë dhurata historike, por procese që kërkojnë punë të vazhdueshme. Vetëm duke kaluar nga heshtja tek angazhimi, nga pritja tek veprimi, dhe nga mentaliteti i varësisë tek kultura demokratike, tranzicioni mund të kthehet nga një gjendje e përhershme në një realitet të përfunduar.

Shqipëria dhe Kosova kanë potencial të madh, por ai mund të shfrytëzohet vetëm nëse shoqëria, elitat politike dhe inteligjencia bëhen bashkë në ndërtimin e një demokracie të vërtetë.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. EKZAKT: “Liria dhe demokracia nuk janë dhurata historike, por procese që kërkojnë punë të vazhdueshme.”.
    EKZAKT: “Tranzicionet kërkojnë udhëheqje me vizion dhe kulturë politike,”.

    Si cdo bime ka rrajte e veta dhe pa rraje nuk mund te mbijetoje, krejte njashtu asht edhe shoqnia shqiptare. Po ku i ka rrajte shoqnia shqiptare?

    Kete e ka spjegu Profesor Sami Repishti:
    Këtu ma poshtë po jap nji pjesë të nxjerrun nga “Pershëndetje të gjithë vllezenve dhe motrave shqiptare: gëzuar vitin 2000 “ , nga Profesor Sami Repishti, Badwin, New York, USA 01.01.2000.

    “….Mbas vdekjes së Skenderbeut traktati i 1479-s në mes Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman të Shqiprisë. Dritarja e Botes Perendimore iu mbyll Shqiperisë pikrisht në nji kohë kur era frymëdhanse e Renaissances (Rilindjes) dhe idete fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europe të Ré me nji etje të vrullshme per njohuni të reja, per hapsina dhe nji botë të ré me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kerkues e thellësisht njerzor. Pamvarsisht nga faktori fetar – që mbetet gjithherë nji çeshtje krejtësisht intime per çdo ndergjegje personale – okupacioni otoman ka nxjerrë Shqiperinë nga historia e kontinentit europian dhe e ka denuar atë të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundert nga ajo e Europes, që po rilindte në Perëndim….“.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu