Reçaku dhe Basha (ish-Kryetar i Kuvendit)
Nga: Naim J. Krasniqi, Munih
Përvjetori i Masakrës së Reçakut nuk është një ceremoni formale shtetërore si gjithë të tjerat. Ai është një moment i kujtesës kolektive, i dhimbjes dhe i së vërtetës historike, ku shteti i Kosovës riafirmon jo vetëm nderimin për viktimat, por edhe narrativën mbi luftën çlirimtare dhe krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë.
Në këtë kontekst, prania pranë Presidentes e Dimal Bashës, një personalitet publik i cili në të kaluarën ka shprehur qëndrime që delegjitimojnë UÇK-në dhe përkojnë me narrativa të njohura të propagandës serbe, ngre pikëpyetje serioze etike dhe simbolike.
Kjo nuk është çështje e përjashtimit politik apo e ndëshkimit të mendimit ndryshe. Është çështje e përputhjes morale me peshën e ngjarjes që përkujtohet. Reçaku është mohuar historikisht nga aparati shtetëror serb dhe çdo relativizim i luftës çlirimtare, pa korrigjim apo pendesë publike, bie ndesh me vetë arsyen pse kjo masakër përkujtohet.
Institucioni i Presidentes ka përgjegjësi të veçantë që, në ngjarje të tilla, të ruajë qartësi morale dhe simbolike. Prania e figurave kontestuese, pa një distancim të mëparshëm nga qëndrimet e tyre, rrezikon të dërgojë mesazh të gabuar te familjarët e viktimave dhe te shoqëria në tërësi.
Kritika ndaj kësaj pranie nuk është kundër unitetit shtetëror, por në mbrojtje të tij. Uniteti nuk ndërtohet mbi harresë apo relativizim, por mbi të vërtetën dhe përgjegjësinë historike.
Simbolika e Reçakut dhe përgjegjësia e përfaqësimit shtetëror
Masakra e Reçakut zë një vend unik në historinë e Kosovës. Ajo nuk është vetëm një krim lufte, por një moment që i ekspozoi botës natyrën represive të regjimit serb dhe legjitimitetin e rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Kosovës. Për këtë arsye, çdo përvjetor i Reçakut është edhe një akt politik në kuptimin më të thellë të fjalës: afirmim i së vërtetës.
Në këtë prizëm, përfaqësimi institucional merr rëndësi të jashtëzakonshme. Presidentja, Kryeministri dhe figurat e tjera shtetërore nuk janë të pranishëm si individë privatë, por si bartës të narrativës zyrtare të shtetit të Kosovës.
Pikërisht këtu lind problemi kur në këto ceremoni shfaqen personalitete që në të kaluarën kanë artikuluar qëndrime që:
kriminalizojnë UÇK-në,
barazojnë luftën çlirimtare me krimin,
ose përputhen me diskursin mohues serb për krimet e luftës, veçanërisht për këtë masakër.
Pamë Presidenten dhe Kryeministrin, si përfaqësues të dy institucioneve më të larta shtetërore, dhe në krahun e djathtë të Presidentes pamë edhe një figurë thellësisht kontraverse, e cila, për fat të keq, ka qenë edhe ish-Kryetar i Kuvendit të Republikës. Dihet se si u zgjodh në atë pozitë.
Po në ato ditë doli edhe “sihariqi” i tij: u bë publik një shkrim i Dimal Bashës që kriminalizon luftën e UÇK-së. Nuk po ndalem në përmbajtjen dhe peshën e atij shkrimi, sepse për të është shkruar mjaft. Por deri sot ai nuk ka kërkuar falje për atë që ka shkruar. Përkundrazi, ka përfituar titull akademik (master), ndonëse vetë deklaron se “nuk e di çfarë ka shkruar”. Titullin e ka marrë, ndërsa përmes kontributeve propagandistike ka arritur edhe në pozita të larta politike.
Partia e tij e mbron me arsyetimin se “nuk e ka ditur çfarë ka shkruar”, por se “është aktivist i yni”. Asnjëherë nuk është arsyetuar bindshëm as partia, as udhëheqja e saj, për mungesën e reagimit — sepse mjafton të thuhet: “është i yni, pra është i mirë”.
Mua personalisht më ka habitur qëndrimi i disa personaliteteve brenda Vetëvendosjes, të cilët kanë bagazh kombëtar dhe politik, madje edhe kanë qenë në vijat e frontit gjatë luftës, por nuk pati asnjë reagim nga ta. Le të mbetet kjo në ndërgjegjen e tyre.
Presidentja, kudo që shkon, mban fjalime për lavdinë e UÇK-së, por në ceremonitë përkujtimore nuk e sheh problem ta ketë pranë Dimal Bashën, qoftë në Reçak apo edhe në Prekaz. Para pak ditësh lexova një deklaratë të saj në një intervistë (po e parafrazoj), ku thoshte se nuk respekton ata që nuk e respektojnë luftën e shenjtë të UÇK-së, vuajtjet dhe masakrat që ka përjetuar populli ynë. Megjithatë, në përvjetorin e masakrës më të dhimbshme, e mban në anën e djathtë Dimalin.
Flet para banorëve të Reçakut për lavdinë, sakrificën dhe dhimbjen, ndërsa në krah ka një person që ka shkruar se “UÇK-ja është financuar nga grupe droge”, e të tjera deklarata të ngjashme.
Pra, edhe nëse këto qëndrime janë shprehur më herët, mungesa e një distancimi të qartë dhe publik i bën ato ende relevante në vlerësimin etik të figurës.
Prania e tillë nuk është neutrale. Ajo prodhon simbolikë: normalizon dallime thelbësore mbi të vërtetën historike dhe krijon paqartësi mbi vijat morale të shtetit. Për viktimat dhe familjet e tyre, kjo mund të përjetohet si një formë e riviktimizimit simbolik.
Në demokraci, mendimi kritik ndaj luftës është i lejuar. Por përkujtimi i masakrave nuk është hapësirë për ambiguitet historik. Aty kërkohet qartësi, ndershmëri dhe koherencë morale.
Prandaj, debati i hapur mbi këtë çështje nuk e dobëson shtetin e Kosovës; përkundrazi, e forcon atë, duke kërkuar standarde më të larta etike në përfaqësimin e kujtesës kolektive.


