ARKIVI:
19 Mars 2026

Shën Jozefi, rojtari i Misterit Hyjnor dhe Fati i Bekuar i Marisë Virgjër

Shkrime relevante

Shën Jozefi, rojtari i Misterit Hyjnor dhe Fati i Bekuar i Marisë Virgjër

Don Fran Sopi, Pejë “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta...

Fitore në sipërfaqe – por lufta po vendoset diku tjetër

Victoria Fitore Malo, Suedi Nuk mund të mohohet ajo që është arritur. Struktura...

Irani ka qenë një kërcënim i vazhdueshëm

Hans Rustad / Document.no Drejtori i CIA-së, John Ratcliffe, tha të mërkurën...

Të vrarë e të pa varre, poezi që iu kushtohet Aliut, Jahjas dhe Lucie Geo-Fushës

Të vrarë e të pa varre Poezi (Kjo poezi u kushtohet Aliut, Jahjas...

Shpërndaj

Don Fran Sopi, Pejë

“Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të është prej Shpirtit Shenjt.” (Mt 1, 20)

Sa herë që vjen dita e Shën Jozefit, unë, si meshtar i Kishës Katolike të Dioqezës Prizren-Prishtinë, ndalem përpara kësaj fjale të Ungjillit me një ndjenjë të thellë përulësie dhe meditimi. Ndalem e meditoj në mënyrë të veçantë edhe në Kishën e Stubllës, ku ai është Pajtori i kësaj famullie të denjë të martirëve të Karadakut dhe pinjojve të tyre. Kjo frazë ungjillore, e shpallur nga engjëlli në një natë të heshtur, mbart në vetvete një thellësi të jashtëzakonshme shpirtërore dhe një mister që vazhdon të flasë në zemrën e Kishës ndër shekuj.

Për mua, si meshtar i Kishës Katolike, kjo fjali nuk është vetëm një fragment i historisë së shpëtimit, por një dritë e butë dhe udhërrëfyese që më ka shoqëruar përmbi gjysmë shekulli dhe që vazhdon të më ndriçojë në përvojën time pastorale dhe në rrugëtimin e brendshëm të fesë sime.

Figura e Shën Jozefit më fton vazhdimisht në reflektim mbi mënyrën se si Zoti zgjedh shpesh njerëzit më të thjeshtë për të përmbushur veprat më të mëdha të historisë së shpëtimit. Jozefi nuk ishte një princ i fuqishëm, as një dijetar i njohur, as një predikues që tërhiqte turma pas vetes, por një zdrukthëtar nga Nazareti, një burrë i drejtë që jetonte në heshtjen e përditshme të punës dhe të jetës familjare. Pikërisht në këtë thjeshtësi, Hyji gjeti një zemër të hapur për planin e Tij të shenjtë.

Ungjilli na dëshmon se Jozefi ishte një njeri i drejtë. Por drejtësia e tij nuk ishte thjesht respektim formal i ligjit; ajo ishte e përshkuar nga ndershmëria, mëshira dhe një ndjeshmëri e thellë njerëzore. Kur ai përballet me misterin e shtatzënisë së Marisë, zemra e tij kalon nëpër një dramë të heshtur dhe të thellë. Si njeri i drejtë, ai nuk dëshiron ta turpërojë Marinë, por as nuk arrin ta kuptojë plotësisht atë që po ndodh. Pikërisht në këtë natë të brendshme, në këtë çast pasigurie dhe dhimbjeje të heshtur, ndërhyn Zoti dhe i flet përmes engjëllit: “Mos ki frikë.”

Kjo fjalë, sa herë e lexoj, më duket se nuk i drejtohet vetëm Jozefit. Ajo është një fjalë e përjetshme që Hyji vazhdon t’ia thotë çdo njeriu dhe çdo shërbëtori të Tij. Edhe në jetën time meshtarake kam përjetuar momente kur, përballë përgjegjësive të mëdha dhe mistereve të jetës pastorale, zemra ndien frikë apo pasiguri. Shërbesa meshtarake na vendos përballë misterit të jetës njerëzore: përballë dhimbjes, përballë shpresës dhe përballë pyetjeve që shpesh mbeten pa përgjigje të menjëhershme. Në këto çaste, fjala e engjëllit bëhet një thirrje e gjallë edhe për ne: mos ki frikë.

Ajo që më prek thellësisht në figurën e Shën Jozefit është mënyra se si ai përgjigjet ndaj kësaj thirrjeje hyjnore. Ai nuk kërkon prova, nuk kërkon shpjegime të gjata dhe nuk kërkon siguri njerëzore. Ai beson. Dhe besimi i tij është një besim i heshtur, i thellë, i lindur nga një zemër e përulur përpara Zotit. Në këtë mënyrë, Jozefi bëhet një model i gjallë i besimit të vërtetë: një besim që pranon planin e Hyjit edhe kur ai nuk përputhet me logjikën tonë njerëzore.

Në Ungjill nuk gjejmë asnjë fjalë të thënë nga Jozefi. Megjithatë, heshtja e tij flet më shumë se shumë fjalë. Ai nuk predikon para turmave, nuk shkruan tekste dhe nuk mban ligjërata, por jeta e tij është një predikim i gjallë i besnikërisë ndaj Zotit. Ai e merr Marinë në shtëpinë e tij, e shoqëron në udhëtimin drejt Betlehemit, e mbron Fëmijën Jezus nga rreziku i Herodit dhe e çon Familjen e Shenjtë në Egjipt. Ai punon, përkujdeset dhe ruan. Në çdo hap të jetës së tij, ai bëhet rojtar i misterit të Hyjit.

Kjo më fton të reflektoj, si meshtar, mbi dimensionin e heshtjes në jetën shpirtërore. Në një botë të mbushur me zhurmë, me fjalë dhe me shpërqendrim, figura e Shën Jozefit na kujton se Zoti shpesh flet në heshtje. Është pikërisht në heshtjen e zemrës që njeriu mund ta dëgjojë më qartë zërin e Hyjit.

Në jetën time pastorale kam takuar shumë njerëz që mbajnë në zemër barra të rënda, shqetësime dhe plagë të fshehta. Ata kërkojnë një fjalë që t’u japë paqe. Në këto momente kujtoj se edhe Jozefi ka kaluar nëpër një natë të vështirë të shpirtit. Por ajo natë u bë vendi i takimit me Hyjin, vendi ku besimi i tij u thellua dhe u forcua.

Shën Jozefi më mëson gjithashtu për misterin e atësisë. Ai nuk është babai biologjik i Jezusit, por bëhet babai i Tij përmes dashurisë, përgjegjësisë dhe përkushtimit. Kështu ai na zbulon një dimension të bukur të atësisë shpirtërore. Edhe meshtari është i thirrur të jetojë këtë atësí: jo përmes pushtetit, por përmes dashurisë, kujdesit dhe dhurimit të vetvetes për popullin që Zoti ia beson.

Kur sodis figurën e Shën Jozefit, kuptoj se madhështia e shenjtërisë nuk qëndron gjithmonë në gjeste të jashtëzakonshme, por në besnikërinë e përditshme ndaj detyrës së jetës. Shenjtëria lind në thjeshtësi, në punën e përditshme, në përkujdesjen për të tjerët dhe në një zemër që i beson Zotit në çdo rrethanë.

Prandaj, dita e Shën Jozefit është për mua një ftesë për një kthim të thellë në vetvete: një ftesë për të dëgjuar më me kujdes zërin e Hyjit në jetën time. Sepse edhe sot, Hyji vazhdon të na thërrasë – ndoshta jo përmes ëndrrave si në rastin e Jozefit, por përmes rrethanave të jetës, përmes njerëzve dhe përmes nevojave të Kishës dhe të botës.

Dhe në çdo thirrje të tillë, fjala e engjëllit vazhdon të kumbojë në zemrën tonë: mos ki frikë.

Në fund, figura e Shën Jozefit mbetet si një dritë e qetë në horizontin e besimit tim. Ai është shenjti i heshtjes, i punës së përditshme dhe i besimit të thjeshtë. Ai nuk kërkoi të ishte në qendër të historisë, por në heshtjen e tij ruajti misterin më të madh të botës – ardhjen e Birit të Hyjit në mesin e njerëzve.

Dhe kështu, sa herë që ndalem përpara figurës së tij në lutje, e kuptoj se besimi i vërtetë nuk shprehet me fjalë të mëdha, por me një zemër të përulur që, ashtu si Jozefi, i thotë Zotit me një besim të qetë e të thellë:

Ja ku jam, o Zot, për ta pranuar dhe për ta ruajtur misterin tënd në jetën time dhe në jetën e Kishës sate.

Më 19 mars 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu