ARKIVI:
6 Mars 2026

Shqipëria e lodhur: Psikologjia kolektive e një kombi që nuk ka më durim

Shkrime relevante

Djallëzor dhe mashtrues

Isuf   Bytyçi, Munih Dinakëritë janë për të marrë, kurse sinqeriteti dhe respekti...

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Zgjedhja e Presidentit nga populli, shmang pazaret e deputetëve

Ilustrim: Vjosa Osmani, me Mark Rutten, sekretarin gjenral të NATO -s.   Idriz...

Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global

Prend Ndoja, New York ______ Shtetet e Bashkuara mbeten një nga garantët kryesorë...

Shpërndaj

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë
___
Ekziston një lodhje që nuk shihet, ama ndihet në biseda të lira, në komentet online, në tavolina kafenesh, në pothuaj të gjitha familjet shqiptare. Një lodhje e heshtur, e akumuluar që nuk është fizike por morale. Një lodhje që nuk vjen nga mungesa e forcës, por nga mungesa e shpresës.
Shqipëria është një vend i lodhur politikisht dhe kjo jo për faktin se shqiptarët janë njerëz apatikë, por sepse janë njerëz që kanë pritur gjatë, shumë gjatë. Kanë pritur ndryshim, drejtësi, normalitet, respekt, institucione që funksionojnë, politika që punon për ta. Por kur pritja e gjatë nuk shpërblehet, shndërrohet në konsum të brendshëm, në zhgënjim, në apati, në emërtime si: “s’bëhet!”, “të gjithë njësoj janë!”, “s’ka shpresë!”
Kjo lodhje kolektive është sot fenomeni më i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare sepse shkatërron pikërisht energjinë që duhet për ta ndryshuar vendin.
Pse jemi kaq të lodhur?
Së pari, sepse çdo premtim politik ka ardhur me një zhgënjim. Reformë pas reforme, retorikë pas retorike, projekt pas projekti dhe shumë pak gjëra kanë pasur efekt real në jetën e qytetarëve. Kjo krijon një cikël ndjenjash ku shqyrtohen skandalet, por nuk pason ndëshkimi, preken problemet por nuk zgjidhen.
Së dyti, lodhja vjen nga emigracioni masiv. Çdo familje ka një fëmijë, në mos të gjithë apo disa të afërm larg. Çdo prind që i ka ende fëmijët nën moshë ka frikë se edhe fëmija i tij do të largohet së shpejti. Çdo i ri e sheh të ardhmen si biletë avioni. Kjo krijon një gjendje emocionale ku e ardhmja nuk perceptohet më si vendi i mundësive por si vendi i arratisjes.
Së treti, lodhja vjen nga ritmi i një shoqërie që ka humbur ndjenjën e drejtësisë. Kur padrejtësia bëhet më e shpejtë dhe efikase se drejtësia, lodhja kthehet në mentalitet.
Kjo lodhje ka pasoja të mëdha:
qytetari humb besimin tek institucionet,
nuk merr më pjesë në jetën publike,
e sheh debatin politik si teatër,
shmang konfliktin qytetar,
zgjedh heshtjen në vend të veprimit.
Dhe ky është pikërisht rreziku pse lodhja kolektive prodhon një shoqëri që vetëm reagon disi, por kurrsesi nuk vepron.
Por edhe lodhja, sado e rëndë të jetë, fsheh një potencial të madh.
Nga pikëpamja filozofike, çdo shoqëri e lodhur është një shoqëri në prag të ndryshimit. Nietzsche thoshte se lodhja e individit është thirrja e nevojës për të krijuar veten nga e para dhe unë mendoj se lodhja e një kombi është thirrje për riformatim.
A mundet Shqipëria ta kthejë lodhjen në energji?
Po, nëse e shndërron lodhjen nga pasivitet në ndërgjegjësim. Nëse qytetari e kupton se apatia është dhurata më e madhe që mund t’u japë keqqeverisësve. Nëse e kupton se e ardhmja nuk është barrë e një lideri, por e një kulture të tërë.
Një vend nuk ndryshon kur njerëzit janë të fortë, ndryshon kur njerëzit janë të vetëdijshëm. Lodhja e sotme shqiptare, për ironi, mund të jetë akti i fundit i një epoke të zhgënjimit dhe preludi i një epoke të maturisë qytetare.
E ardhmja e Shqipërisë nuk do të ndërtohet mbi lodhjen por prej çasiti kur ne të ndalojmë së duruari atë që deri sot e pranojmë si të pashmangshme.
Për optimistët si unë lodhja nuk është fundi por fillimi i kërkesës për një vend ku shpresa nuk është luks, por domosdoshmëri.

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu