ARKIVI:
6 Mars 2026

Shtëpia e Vjetër, një dritë e çuditshme që më ndjek dhe përcjell në jetë

Shkrime relevante

“6 Marsi – Dita e Dëshmorëve” – të zyrtarizohet sa më parë…!

Bashkim Fazliu - "Migjeni", Ferizaj  Sot është Dita e Dëshmorëve në Kosovë...

Lufta e Jasharajve dhe ndikimi i saj

Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së 28...

Djallëzor dhe mashtrues

Isuf Bytyçi, Munih Dinakëritë janë për të marrë, kurse sinqeriteti dhe...

Presidenti si peng i kalkulimeve

Agim Vuniqi, Vashington ______ Në prag të zgjedhjes së presidentit të ri të...

Radikalizmi islamik si luftë hibride !

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Shumë njerëz nuk e kuptojnë që fenomeni i radikalizmit...

Shpërndaj

Nga  Nafi  Çegrani   

SHTËPIA  E  VJETËR 

( Rrëfim letrar )

Ka një dritë të çuditshme që më ndjek nëpër kujtesë.
Nuk është dritë e diellit, as e kandilit – është dritë e shpirtit që lind nga guri i ftohtë i Shtëpisë së Vjetër, ajo që dikur më priste me aromën e dheut të lagur dhe zërat e ngrohtë të gjakut tim.

Aty u lind fëmijëria ime — si një stinë e bekuar, që s’e kuptova kur filloi, por që më ndjek si një melodi që s’harrohet. Oborri i vogël, dritarja që hidhte shikimin drejt kodrës, hija e lisit që më dukej sa një mal. Në ato çaste, jeta më ngjante e pamasë – me premtimin se gjithçka ishte e mundur.

Gjyshi im – burrë i rrallë – ishte monumenti im i parë. Fytyra e tij më ngjante si gdhendje e gurit, si hijeshi që kish zbritur nga koha e legjendave. Hunda krenare, sytë që digjeshin me qartësi si të shqiponjës mbi kreshtat e maleve, dhe ajo heshtje që s’kish nevojë për fjalë.
Dhe megjithatë… ende sot, nuk kam arritur ta vizatoj.
As fytyrën e nënës, që m’i lante duart me ujë të ngrohtë dhe më fshinte ballin me dorë të butë. As gjyshen, atë fisnike të qetë, që e kishte zemrën sa një lis dhe shpirtin sa një këngë e lashtë.
Kam ecur mbi shtigje të huaja, kam kaluar detra e burgje, kam qëndruar mes heshtjes së qelive ku fjala ndalohej, por nuk shuhej. Në kërkim të së drejtës, të lirisë, të njeriut. Jam lodhur, jam kalitur, por jo harruar.
Sepse kujtimi s’më tradhton: kujtimi është shtëpia ime e dytë.

E sot, sa herë mbyll sytë, përpiqem të përziej ngjyrat për të rikrijuar atë kaltërsi të pazëvendësueshme në sytë e të parëve të mi — por ajo dritë është e një bote tjetër, ajo ndriçim vjen nga qielli i kujtimeve që s’mund të pikturohet, vetëm të përjetohet.

Shtëpia e Vjetër, ajo prej guri, qëndron ende në mua — ndoshta jo më në botën reale, por e pathyeshme në kujtim. Nën çatinë e saj, e ndiej veten fëmijë përherë. Aty më pret një botë që nuk vdes, një dhe që më njeh, dhe një mall që më mban gjallë.

Jam biri i Shtëpisë së Vjetër.
Jam biri i asaj epoke që u lind në mes të barutit, por që u rrit me mallin për dritë.
Dhe gjithçka që kam qenë, që jam, dhe që do të jem – nis aty:
nën hijen e çardakut, mbi pragun e gurtë, ku fëmijëria më tha: “Jeto!”

Fshati im i lindjes dhe banorët e tij,  historikisht kanë qenë të lidhur me bujqësi dhe gurbet.  Ai njihet si një nga fshatrat më të mëdha në Fushëgropën e Pollogut mes Gostivarit dhe  Tetovës,  që nga koha e ish Jugosllavisë socialiste, etnikisht i pastër i banuar nga shqiptarët. Rrethanat e jetës fëmijërore ku janë përthyer ana individuale dhe personale për kohën time kanë qenë shumë specifike, madje të vështira.  Edhe sot kujtoj fëmijërinë time dhe ëndrrat rinore, atëherë kur hareja dhe gazi ishin bashkë. Brrodha pllajave të gjata të rudinës e cila shkonte gjer në rrënzat e  kodrinave mollake të Malit të Thatë. Nuk mund të flas  për ndonjë ëndër të veçantë  si përjetim i diçkaje që mbetet si tablo pamjesh apo ndjenjave tjera, pos asaj që mbaj mend, kur shkoja me dele si një bari i vogë, më kaplonte hareja dhe gëzimi kur dëgjoja tingujt e mrekullueshëm të bagëtisë dhe më merrte uzdaja kur qengjat kërcenin pafund sipas një rregulli apo komande… Ata këcenin e këcenin duke shkuar vërdallë me ritmin e tyre, kurse unë mundoja të krijoja tinguj nga fylli që ma kishte dhuruar xhaxhai im, Sabiti, i cili me vite kishte qenë barinj, dhe e dinte këngën e blegërimave të bagëtisë ! Mbaja veshur një xhakete prej  lini, e mbi te një koprane prej qashe. Kurse kësulën e  qeleshe të bardhë e mbaja mbi vetull, si një dahi, sepse ashtu gazmohej Nëna ime kur më shikonte se isha rritur ! Megjithatë, kur nisja të mendoja dhe meditoja për botën dhe jetën, nisa të kuptoja se bota njerëzore që na rrethonte në fshat, ishte e ndryshme dhe e mbushur përplotë me histori të ndryshme, botëkuptime e rrëfime… pr që edhe përballesha me to, sepse e tillë ishte koha kur kaloja fëmijërinë time brigjeve dhe shtigjeve kah kalamendesha prore !

… Kështu më ndodhëte në ato fragmente jete  fëmijërore e rinore, por që isha i lumtur, i kënaqur me kërcimat e qengjave dhe blegërimën e deleve kur shkonin në tufë duke kullotur shpatit të shullërit , anash Burimit dhe Opalit gjigant. Andej dëgjohej edhe jehona e bukur e fyllit të bariut me eksperiencë… Dhe ishin kohë dhe periudhë e bukur e jetës  me të gjitha fazat e vështirësive që kishte ajo, jetë fëmijërore dhe që mbeten ëndrrat gazmore.  Por, në atë kohë nuk isha në gjendje të kuptoja botëkuptimet për jetë intelektuale, shpirtërore e kulturore, por , e dij se , kam  pasur një jetë pa internet e facebook, siç kanë brezat e rinj sot. Megjithatë, fëmijëria ka qenë me probleme e varfëri që e kanë shoqëruar shkallën e zhvillimit. Më së shumti jeta fëmijërore ka qenë e lidhur me probleme materiale, sociale dhe ekzistenciale. Jam rritur në rrethana ekonomike e sociale jo të volitshme, me nivel arsimor e kulturor  skajshmërisht të ulët.

… Rruga e rritjes dhe e zhvillimit tim , vëllezërve të mi dhe një ordi e tërë prej 12 fëmijësh të xhaxhallarëve me të cilët jetonim bashkë nën një kulm,  nuk ka qenë një vijë e drejtë zhvillimor, por ka kaluar nëpër lloj-lloj zig-zagesh, peripecish, kthesash, vështirësish, gabimesh e të metash, por me mundime rezulton me sukses, sepse babai im ishte arsimdashës dhe thuajse të gjithë ne u shkolluam, por edhe u përballëm me sfidat nga më të ndryshmet. Babai thoshte mbani shkollën, mësoni, por unë nuk kam para që t’u ndihmoj sepse ankohen xhaxhallarët pse ne shkonim në shkollë, e atyre u duhej “krah pune”. Vllau im Tefiku, mjaft inteligjent, në Prishtinë diplomoi Fakultetin e drejtësisë me sukses prej 9.6 ! Që si fëmijë lexonte shumë dhe e zënte gjumi me librin mbi kokë. Edhe ai u përball me shumë sfida në jetë, por më e vështira është si të mbetesh  Njeri!

***

Jeta njerëzore nuk është një dukuri statike, por dinamike, rritjeje e zhvillimi. Në këto raporte sociale kemi hapëruar drejt ecjes përpara. Kemi përparuar nëpërmjet ndryshimesh e zhvillimesh të përcaktuara nga jeta, nga vet procesi  zhvillimor shoqëror, politik e social, nga pjekuria si proces i natyrshëm.      Rininë e kam kaluar sa në  Çegran po aq edhe në Shkup, ku kam parë e vërejtur ndryshime zhvillimore të jetës. Aty jam ballafaquar me sfida e cilësi të reja nga ato që kishte në fshat. Gjersa isha si normalist në Shkollën për mësues “Zef Lush Marku” ,  u përballa me raportet njerëzore, me nxënës të trojeve  të ndryshme shqiptare nga e gjithë Maqedonia, nga Struga e Dibra, Kërçova e Tetova, nga Kumanova, Kosova dhe Presheva etj. ku jetonim dhe mësonim në harmoni, dhe na mbeten kujtime gjeneratash. Aty fillova të ndërtoj raporte me jetën shoqërore, me  norma  e vlera të ndryshme edukativo- mësimore dhe pedagogjike. Sepse Shkupi për ne ishte si një metropolë e bukur, me pallate shumëkatshe, bulevarde e trotoare, mandej edhe me njerëz të kësaj kryeqendre, u ballafaqova me:  vlera e pikëpamje ndaj gjinisë, jetës, shkollës. Me mori ndjenjash dhe raportesh shoqërore,  me vlera kulturore, shoqërore dhe  etike. Atje, në oborrin e rrethuar me një mur guri, tek shtëpia e vjetë që e kishte ndërtuar gjyshu, ishte një jetë oërplotë nuance e ngjyra të kësaj Toke, ku mbeten edhe kujtime të paharruara.

E tillë mbetet shtëpia e kujtimeve të mia, kujtime të paharruara !

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu