SI E IMAGJINOJNË DISA POLITIKANË TANË BASHKIMIN E SHQIPTARËVE, PA E THIRRUR POPULLIN NË MBLEDHJE
___
Dje, një zyrtar i lartë i PDK-së ma kërkoi një plan për bashkimin e shqiptarëve. E dëgjova me vëmendjen që zakonisht ua kushtoj njerëzve që kërkojnë recetën e supës, pasi e kanë shitur kuzhinën.
— Kam një propozim, — i thashë. — Por, para se ta bashkojmë popullin, duhet t’i bashkojmë disa njerëz me ndërgjegjen e tyre. Kjo do të jetë pjesa më e vështirë e projektit.
Sepse shqiptarët, të dashur bashkëkombës, nuk janë popull që nuk di të bashkohet. Përkundrazi! Ata mund të bashkohen brenda pak sekondash, nëse dikush ua prezanton një plan tërheqës për ta plaçkitur një bankë. Për këtë nuk nevojiten as kongrese, as komisione, as ndërmjetës ndërkombëtarë. Mjafton njëri të thotë: «Kam një ide», dhe të tjerët pyesin: «Sa është pjesa jonë?»
Natyrisht, nuk po flas për shqiptarët e zakonshëm, të cilët mezi bashkohen për të paguar faturën e rrymës. Po flas për një kategori të veçantë politikanësh, të cilët, kur vjen puna te ndarja e përgjegjësisë, vuajnë nga alergjia ndaj kolektivizmit, por kur shfaqet mundësia e ndarjes së pushtetit, bëhen papritur internacionalistë të solidaritetit material.
Historia politike e Kosovës na ka ofruar mjaft episode që e bëjnë këtë dukuri të denjë për studime shkencore. PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe NISMA-ja kanë dëshmuar se dallimet politike mund të jenë të pakapërcyeshme përpara kamerave, por çuditërisht të kapërcyeshme kur në tavolinë shfaqen pushteti, ndërmarrjet publike dhe asetet shtetërore.
Gjatë fushatave zgjedhore, këto parti nganjëherë flisnin për njëra-tjetrën me një pasion të tillë, saqë ne, qytetarët, çdo mbrëmje shkonim të flinim me frikën se mos të nesërmen zgjohemi në gjendje lufte.
Akuzat ishin aq të rënda, saqë njeriu pyeste veten nëse po ndiqte një debat politik apo transmetimin e drejtpërdrejtë të një procesi gjyqësor që ende nuk kishte filluar.
Njëri e akuzonte tjetrin për tradhti. Tjetri ia kthente me korrupsion. I treti zbulonte se i pari ishte rrezik kombëtar. I katërti premtonte se do t’i nxirrte të gjitha të palarat në shesh.
Ne, të ulur para televizorëve, prisnim që në çdo çast dikush të shpallte mobilizimin e përgjithshëm.
Pastaj përfundonte fushata.
Dhe ndodhte mrekullia!
Ata që deri dje nuk mund ta duronin as praninë e njëri-tjetrit në të njëjtën studio televizive, papritur uleshin në të njëjtën tavolinë, buzëqeshnin për fotografët dhe zbulonin se, në thelb, kishin shumë gjëra të përbashkëta.
Për shembull, dashurinë për stabilitetin institucional.
Sidomos kur stabiliteti institucional kërkonte ndarjen e disa posteve.
Pastaj vinte dialogu i madh kombëtar:
— Ti merr këtë ministri.
— Unë e marr atë ndërmarrjen publike.
— Po kjo pasuri shtetërore?
— Mos u shqetëso. Do ta trajtojmë me përgjegjësi të plotë institucionale.
Dhe kështu, pas muajsh të tërë sharjesh, kërcënimesh dhe akuzash që do ta bënin edhe një dramaturg tragjedish të kërkonte pushim mjekësor, arrihej pajtimi.
Jo sepse kishin gjetur një gjuhë të përbashkët për arsimin, shëndetësinë, drejtësinë apo mirëqenien e qytetarëve.
Jo sepse kishin zbuluar ndonjë formulë të re për zhvillimin ekonomik.
Por sepse, në një mënyrë krejtësisht të pashpjegueshme, kishin zbuluar se mund të bashkëjetonin në të njëjtën qeveri, pavarësisht se gjatë fushatës e kishin paraqitur njëri-tjetrin si katastrofë kombëtare.
Nëse një qytetar i zakonshëm do të sillej kështu, do ta pyesnim nëse kishte nevojë për ndihmë profesionale. Kur e bëjnë politikanët, e quajmë kulturë koalicioni.
Nëse dy fqinjë grinden për një gardh dhe të nesërmen ndajnë një pulë të vjedhur nga kopshti i dikujt tjetër, askush nuk do t’i shpallte pionierë të pajtimit shoqëror.
Në politikë, megjithatë, mjafton të firmoset një marrëveshje dhe armiqtë e djeshëm fotografohen si arkitektë të së ardhmes.
Prandaj, shqiptarë të dashur, mos e nënvlerësoni aftësinë tonë për t’u bashkuar. Ne e kemi dëshmuar se dimë ta kapërcejmë urrejtjen politike brenda një nate, kur përfitimet e pushtetit e bëjnë pajtimin mjaftueshëm të leverdishëm.
Problemi nuk është se nuk dimë të bashkohemi.
Problemi është se shpesh bashkohemi më shpejt për të ndarë pushtetin sesa për të ndarë përgjegjësinë; më lehtë për të shpërndarë pasurinë publike sesa për të shpërndarë drejtësi; dhe më me entuziazëm për të nënshkruar marrëveshje koalicioni sesa për të mbajtur premtimet zgjedhore.
Dhe ja ku kthehemi te zyrtari i PDK-së që më kërkoi planin për bashkimin e shqiptarëve.
I thashë se projekti mund të realizohet, por duhet të fillojmë nga një reformë e vogël, pothuajse revolucionare.
PDK-ja duhet të pastrohet nga njerëzit që e kanë dëmtuar interesin publik. LDK-ja duhet të çlirohet nga ata që e kanë trajtuar si shtojcë të interesave të PDK-së. AAK-ja dhe NISMA-ja duhet të dëshmojnë se janë të afta të bashkëpunojnë përtej pazareve të pushtetit.
Dhe të gjitha këto parti duhet të kuptojnë se shteti nuk është një bankë pa roje, ndërsa qytetarët nuk janë klientë që kanë ardhur për të financuar qetësinë e atyre që qeverisin.
Nëse arrijmë deri aty, mund të flasim për bashkim kombëtar.
Deri atëherë, kemi një problem të vogël terminologjik: disa politikanë e ngatërrojnë bashkimin e shqiptarëve me bashkimin e interesave të tyre.
Dhe kjo është arsyeja pse Kosova nganjëherë duket si një bankë ku arkatari, roja dhe drejtori grinden çdo katër vjet se kush e ka çelësin, por askush nuk pyet pse arka po zbrazet.



