7NËN PRIZMIN E NJË KOHERENCE
( Si mbahej Ramazani dikur te ne)
Do mundohem ta kujtoj kohën e viteve 80-ta, të shekullit të kaluar, për të treguar se si mbahej Ramazani në vendlindjen time në Tomoc.
I takoj një familje tradicionale fshatare, e cila në atë kohë mbante ritet fetare duke u bazuar në traditat tona, si të gjitha familjet tjera në ato anë.
Familja Shatri, kishte edhe imamin familjar, Mulla Ramush Shatri, i diplomuar si imam në Medresen e Gjakovës (djalë axhe nga babai) i cili shquhej, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe atë fetar.

(Mulla Ramushi, qe vrarë nga forcat serbe, në vitin 1999, në bjeshkën e Cerravodës, në moshën mbi 90 vjeç).
Gjatë muajit të Ramazanit, në varësi nga koha kur binte, kryheshin të gjitha ritet fetare.
Kuptohet në stinën e verës, axherimi ishte shumë më i vështirë. Në familjen tonë (në atë kohë ishim në bashkësi familjare me axhën), axheronin të gjithë, nga mosha 15 vjeç!
Mbaj mend, ishte temperatura mbi 35 gradë, babai dhe axha Isë punonin në mbledhjen e sanës, etja për ujë ishte e frikshme, vërehej në buzët e tyre të qara që piknin gjak, por asnjëherë nuk e kanë prishë axherimin.
Gjatë Ramazanit, në fshatin tonë ishte bërë traditë, të ftohej hoxha në iftar, për 30 ditë me radhë, nga çdo familje, me çrast këndohej “myvlydi” dhe ftoheshin rrethi i ngusht, në një darkë solemne.
Sqarim:
Mulla Ramushi e kryente kët shërbim pa lek!
Si shkonte ceremonia e darkës së Myvlydit:
Ftoheshin familjarë, miq të caktuar të familjes, si dhe bijat me fëmijë dhe bashkëshort. Të ftuarit vinin para iftarit, ku sofra ishte e pregatitur për të filluar darka. Sofra ishte e shtruar plot, zakonisht me këto ushqime:
lloj e pitës me kos të kulluar në mes, lloj gjelle me mish të bollshëm, tambëloriz, lloj ëmbëlsire-zakonisht tatli dhe tespishte, sallata të ndryshme dhe pas çajit, pemë e perime (sipas stinës), verës zakonisht ishte i preferuar shalqiri, që në Tomoc kultivohej me bollëk.
Pasi kryhej darka e iftarit, imami bënte një lutje në sofër ku konsiderohej i mbaruar iftari.
Pastaj, fillonte ceremonia e këndimit të myvlydit ( kombinim shqip-arabisht) e cila zgjaste rreth një orë e pak.
Pasiqë, këtë e kam dëgjuar së paku 25 vite, shumë inserte nga ky rit më kanë mbetë në mend, por në këtë shkrim do mundohem të jem sa më racional …
Pas kryerjes së “myvlydit”, imami e hapte debatin, duke ia dhënë fjalën së pari miqëve të ftuar, pastaj intelektualëve dhe të tjerëve që donin të flisnin.
Mulla Ramushi, kishte njohuri të thella, sidomos në gjeografi, histori dhe filozofi dhe idol e kishte rilindasin Sami Frashëri, që shpesh thirrej në enciklopedinë e tij dhe citonte thënjet e tij. Si i tillë ai dinte t’i përçonte idetë patriotike tek masa, në formë të meseleve dhe një filozofie që ishte shumë mbresëlënëse, duke dhënë mesazhin e qartë kombëtar, që për kohën ishte e guximshme.
Do mundohem t’i kujtoj fjalët e tij, sa më origjinal:
“Fola boll o miqasi, reni është te ju, thoshte imami …
Si familje kemi pasë fatin e mirë të kemi miqësi të mirë, shpianik të devotshëm.
Të gjithë këta miq të konakut tonë, ishin të besës dhe u kishte hije fjala e neja në oda.
Pas fjalës së miqëve, Mulla Ramushi e shtrinte bisedën te shtresa intelektuale e cila ishte present në odë dhe ishte në nivel të lartë professional, si në lëminë për të cilën thirreshin ashtu edhe me oratorinë e bisedave në odë.
Në këto tubime familjare, ne të rinjët, dëgjonim me vëmendje tregimet e baballarëve tanë për burrin e madh të kësaj familje Sali Shatrin, i cili jetonte në Tiranë, për të bamat e tij si kryediversant nga viti 1949, rrethimet e tij me shokë nga forcat jugosllave dhe çarjen me sukses të rrethimeve …
Në pjesën ballore të odës rrinin varur, në mes flamurit dhe Skënderbeut edhe 7 fotografitë e tij, ai dukej që po e përcjell besedën me vëmendje dhe sikur thoshte:
“Të gjitha vajzat në Kosovë ti dërgoni në shkollë, kjo është primare për Kombin”
Kah mesnata, kryhej kjo mbledhi e muajit të Ramazanit, oda zbrazej dhe në konak mbetej vetëm tupanxhia me emrin Lic Kika, një hashkali, i cili njihej si një burrë i urtë.
Në kohën e syfyrit, më ka ra shumë herë ta shoqëroj tupanxhin rreth e përçark fshatit, ai i binte tupanit e unë me një fener me dritë e shoqëroja. Baca Lic, i binte furishëm tupanit, edhe pse ishte mbi 70 vjeç. Më kujtohet kur mbërrinim te lagja Kabashi, aty ishin disa shtëpi malazeze dhe në lagjen e Breg’ve siç i themi ne, ku ishin disa shtëpi kolonësh serb… kalonim pranë dyerve të tyre. I thonim tupanxhis të ndaloi dhe ta rrehë sa ma shumë tupanin. Mendonim që do inatoseshin serbët …
Sa ironike kur e kujtoj sot!
Serbët as që dëgjoheshin dhe nuk qanin kokën fare për këtë punë. Silleshin sikur hyqymeti t’i kishte urdhëruar “mos u merakosni, derisa këta rrahin tupanin, ne i rrahim si Komb, pra tupani e ramazani, nuk ishin problem fare për hyqymetin serb …
Për ta ishte problem:
Shkollimi i shqiptarëve, heroi kombëtar, simbolet kombëtare, nataliteti e mbi të gjitha, bashkimi …
Për të faktuar:
Në vitin 1981, në Tomoc qen shkruar disa parulla, si pasoj pushteti serb ushtroi masa respresive: rrahu, burgosi, përjashtoi nga puna, diferencoi shumë shqiptar Tomocali!
Kjo më së miri tregon që Serbinë kurrë se ka penguar, as ezani, as ramazani, as bajrami, as tupani, përkundrazi i ka stimiluar me të gjitha mjetet në disponim…
Në fund, një përshëndetje për gjithë shqiptarët, edhe ju që axheroni edhe ju që krezhmoni, pas 163 viteve, këto rite janë përputhë në të njëjtën kohë, ndoshta Zoti i ka programuar për t’na treguar që ne dikur kemi qenë një, veç shqiptar!
Axherim e krezhmim të lehtë, ju uroj …
Nga njëri prej shumë atyre që dikur kemi ecë para tupanit e Vatanin na çliroi Amerikani

Samy,
22.02.2026



