ARKIVI:
8 Mars 2026

Si në Shqipëri edhe në Kosovë Dita e Verëzes-Verës, Festë e Traditës Shqiptare

Shkrime relevante

Provokim në zemër të Kosovës: Flamuri i një shteti të huaj në Mitrovicë , policia e ruan atë…!

Luan Dibrani, Gjermani Ngjarja e fundit në Mitrovica, ku policia e Kosovo...

Përçarje brenda Iranit midis Gardës Revolucionare dhe udhëheqjes politike

Njerëzit vizitojnë Parkun Kombëtar Hapësinor të Gardës Revolucionare, pak jashtë Teheranit,...

Sipas historianit Kristaq Prifti, në Kosovë nuk ekzistonte popullsi turke

Msc Belisar Jezerci, historian POPULLSI TURKE NË KOSOVË NUK EKZISTON ! Ne bazë...

Urime për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Luan Dibrani, Gjermani  Sot, më 7 Mars, në këtë ditë të shënuar të...

Fjalë respekti dhe mirënjohjeje për Mësuesin tim, Sabri Raçi

Arif Ejupi, Gjenevë Disa njerëz kalojnë në jetën tonë pa lënë fare...

Shpërndaj

Nga Behlul Jashari 
___

PRISHTINË, Mars 2025/ Dita e Verëzës, si Dita e Verës në Elbasan – në Shqipëri në 14 Mars, është edhe në Kosovë në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim të ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.

Dita e Verezes në Opojë – Kosovë – ndizen zjarre

Në Kosovë, edhe pse ka ide,  ende nuk ka organizime institucionale për festimin e Ditës së Verëzës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli.

Ndërkohë, Dita e Vërëzës prej tetë vitesh është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.

“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Në 14 Mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.

Dita e Verezes në Opojë – Kosovë, viti 2010

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit në  23 Shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte se  “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.

Në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në një raportim nga Kosova në 14 Mars 2012 shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.

Vereza në Opojë – N’Bjeshkë

“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide apo iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.

Në një foto ekskluzive arkivi të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në dëborë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht Albanian Telegraphic Agency – ATA e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) – Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, për të cilën  mëse çerek shekulli, nga pranvera 1992, raportoja nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.

Opoje – valle

Ndërsa, në 18 Mars 1996, në gazetën e përditshme të rezistencës “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i  parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”,  i dërguar edhe në ATSH dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 Mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë,  mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Opoje – N’Bjeshkë

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes,  pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterrojnë kurrë, mbledhin bimë, lule, drunj e  shkurre dëllinje, dhe ndezin zjarre.

Vereza – Zhur

Vezët e ziera e të lyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzës zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.

Në drekën e Ditës së Verëzës në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzës festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, e dashuri njerëzore.

Në këtë ditë që është e verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallërimin,  kalimin nga dimri në pranverë.

Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, vezët e ziera i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.

Dita e Verës në Elbasan, Shqipëri

Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumta mes të afërmëve dhe familjarëve.

“Ani mori Verë moj e lumja Verë

Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.

Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verëzës në Zhur, fshatin më të  madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.

Verëzës i këndohet edhe në 13 Mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i japin sa më shumë fuqi Diellit”…

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu