Organizata e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Komoran mbajti Kuvendin e II të punës, në të cilin u shqyrtuan dhe u miratuan Raporti i punës njëvjeçare si dhe Raporti financiar. Në këtë kuvend u theksua rëndësia e angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e pozitës së pensionistëve, të cilët po përballen me vështirësi të shumta.
Kryetari i organizatës, Gani Pecani, sekretari Muhamet Ibriqi dhe anëtari Naim Cërvadiku prezantuan një historik të shkurtër të rrugëtimit të organizatës, nga themelimi e deri më sot, duke vënë në pah përpjekjet dhe sfidat e vazhdueshme në mbrojtje të të drejtave të pensionistëve.
Në diskutimet e zhvilluara u arrit në një mendim të përbashkët se pensionistët, si në përgjithësi ashtu edhe ata të Komoranit, po ballafaqohen me telashe të shumta shëndetësore, materiale dhe sociale. Për këtë arsye, u theksua se është koha e fundit që pensionistët të ngritin zërin dhe të kërkojnë përmirësimin e pozitës së tyre në shoqëri.
Kërkesa kryesore e pensionistëve ka të bëjë me hartimin e një Ligji të ri për pensionistët, i cili do t’i trajtonte ata në mënyrë të barabartë dhe dinjitoze. Sipas tyre, vazhdimi i zbatimit të ligjeve të ish-Jugosllavisë po krijon diskriminim dhe padrejtësi, duke mos reflektuar realitetin dhe nevojat e pensionistëve sot.
Po ashtu, pensionistët shprehën nevojën për përkrahje më të madhe nga komuna, veçanërisht në aspektin social dhe shëndetësor. Ata u shprehën mirënjohës për lokalin që komuna ka ndarë për pensionistët e Komoranit, por kërkuan edhe subvencionim për shkuarjen në banja shëndetësore, qendra rehabilituese dhe shërbime të ngjashme, të domosdoshme për këtë kategori.
Në shenjë solidariteti dhe humanizmi, pensionistët e Komoranit, nga mjetet e tyre vetjake, grumbulluan një shumë parash për të ndihmuar djalin e veteranit të luftës, Muhamet Kykaj, duke dëshmuar se përkundër vështirësive, ndjenja e bashkësisë dhe përgjegjësisë sociale mbetet e fortë.
Ky kuvend u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt artikulimit më të qartë të kërkesave të pensionistëve dhe forcimit të zërit të tyre në kërkim të drejtësisë dhe barazisë ligjore.



