Idriz Zeqiraj, Gjermani
________
Kështu deklaron Prof. Dr. Muhamet Kelmendi, ish-nëkryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe njëri ndër themeluesit të UÇK të Lëvizjes, në shkrimin me titull: “Këta ishin shkatërruesit e strukturës organizative së UÇK-së”, publikuar më 12 nëntor 2025, në “Bota Sot”, të vërtetën
Ai rrëfeu të vërtetën e jetuar faktike për Ushtrinë, luftën dhe protagonistët e LPK-së të Mërgatës. Duke qenë kuadër i hershëm i kësaj organizate ilegale në Kosovë dhe legale në Mërgatë, profesor Kelmendi dëshmon, madje besnikërisht, për klanet, puçin e bërë ndaj Kryesisë të LPK-së, sabotimin e luftës, deri në tradhti kombëtare. Ai fajëson Tiranën zyrtare komuniste, Francën, Serbinë, përkatësisht, përkrahjen e strukturave greko-serbe.
Qëllimet e Shqipërisë, të Serbisë dhe të strukturave greko-serbe, tashmë, janë të njohura. Por, për Francën nuk e di pse nuk e shpjegon autori i shkrimit? Megjithatë, po japim diçka çfarë kemi dëgjuar nga TV Canal +, francez: Drejtori i Shërbimit sekret qendror, Pierre Siramy, rrëfen për rekrutimin e Hashim Thaçit, nga agjenti i DGSE për Ballkanin, Arnaud Danjean, dhëndër dhe agjent i Serbisë. Ai u dërgua nga Parisi në Zyrih, për ta mësuar gjuhën gjermane. “Rastësisht”, u ndodh në një grup mësimor me Hashimin tonë. “Rekruti i ri mjafton ta dijë se ka një dosje për atë”. Agjenti ynë këtë e posedonte”,- thotë Siramy. (Shih në You tube).
Kryesia e vjetër e LPK-së ishte për unifikim të faktorit ushtarak. Por, Kryesia e re puçiste, e dominuar nga klani i Drenicës, kishin plane tjera. Mbledhjen në Osllo LPK-në e përfaqësonin Adem Demaçi dhe Xhavit Haliti. Të 228 oficerët e karrierës, me Akademi Ushtarake, nga Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), të themeluar nga Dr. Ibrahim Rugova, kishin përzgjedhur Kolonel Ahmet Krasniqin për Ministër të Mbrojtjes. LPK-ja nuk e pranoi kandidaturën, sepse donte ta emëronte një nga barnjtë e saj dhe e dështoi Mbledhjen në fjalë.
Një nënkryetar i LDK-së, yll i televizioneve, dezinformoi opinionin se Mbledhja në Osllo pajtoi faktorin ushtarak!? Në fakt, prej aty filloi ekzekutimi i oficerëve të FARK-ut, të parin Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, në mes të Tiranës!
Qeverinë e Përkohshme e krijoi udhëheqja shqiptare në Tiranë, nga partia e Thaçit dhe e Qosjes. Ishte kopje e qeverisë komuniste-staliniste-fashiste e Enver Hoxhës, të piketuar më 24 maj 1944, në Përmet. Partia e Hoxhës filloi ekzekutimet e kundërshtarëve politikë, kryesisht, nacionalistët shqiptarë të “Ballit Kombëtar” dhe të “legalitetit”, pa e kursyer as djalin mitrovicas, të Isa Boletinit, pikërisht, Bajazit Boletinin!
Pas Mbledhjes të dështuar të Osllos, qeveria shqiptare urdhëroi largimin e oficerëve të FARK-ut nga Shqipëria, “ose do t`ju vrasim”! Ata iu drejtuan Presidentit Rugova me pyetjen-dilemë “Ç` të bëjmë?!” Dhe, përgjigja ishte e prerë: “Ju jeni ushtarakë, e dini detyrën tuaj”. “Por, do të na vrasin”,
i thanë Rugovës. Dhe, përgjigje ishte se “nuk do të vritemi të gjithë. Kthim prapa nuk ka, vazhdoni luftën!”
Ministri i Mbrojtjes, Halil Bicaj, rrefeu në TV: “Nga 11 ushtarë të nisur për Koshare, jo në grup, por individualisht apo dyshe, asnjëri nuk ka arritur në Koshare dhe kurrë nuk janë parë më në jetë. Fatin e të 12-it po e hulumtojmë”!
Përgjatë luftës dhe pas saj, u bënë arrestime dhe eliminime edhe brenda llojit, LPK-së, të sekretarit politik të UÇK-së, Behajdin Allaçi, Shaban Shala, Ismet Jashari-Kumanova, Ilir Konushevci, Qerim Kelmendi dhe të tjerë- si dhe u denoncuan dhe u vunë në prita e kurthe të armikut individë dhe grupe aktivistësh guerilas dhe ushtarë, përgjatë bartjes së armëve nga Shqipëria, por, edhe brenda Kosovës.
Anëtarët e Kryesisë të LPK-së janë të një mendjeje, se në asnjë mbledhje e Kryesisë partiake, strukturat e saj apo strukturë ushtarake, nuk e ka zgjedhur Hashim Thaçin në asnjë nga pozitat që i atribuohen, pra, as drejtor të Drejtorisë politike dhe as të parë të Rambujesë apo lexues të dhunshëm të Deklaratës të Pavarësisë, sepse nuk po pavarësohej qeveria, por shteti i Kosovës, edhe pse aty ishte Presidenti, Kryetari i Kuvendit.
Të gjitha ofiqet, gradimet, emërtimet ia dha rekrutuesi i tij freng, Arnaud Danjean. I publikonte gazeta e LPK-së “Zëri i Kosovës” dhe askush nuk reagonte, sepse, tashmë, Hashimi qe bërë “mbret i pakurorëzuar”, me abuzim kulmor dhe rruagaçëror të pushtetit të pakufizuar.
Presidenti Rugova nuk e pranoi Hashimin kryeministër, me arsyetimin e bazuar “të mos lejohet ngritja e tij në pozita të nalta, se është i dëmshëm për Kosovën”. Shqiptarët harruan si peshqit, për kafshimin e grepit fatal dhe Kosovës i ndodhi gjëma, me të shantazhuarin me dosje penalizuese Hashim Thaçin.
Në Rambuje u shpërfaqë dilema e Hashimit. Refuzimi i nënshkrimit të Marrëveshjes, nuk ishin pengesë komandantët lokalë në Kosovë dhe as Demaçi në Slloveni. Por, ishte rekrutuesi i tij, Danjean, i cili, kinse, në shoqërim-mbrojtje të delegacionit francez, i ishte ngjitur si pullë Hashimit, për të mos pranuar nënshkrimin e Marrëveshjes. Sepse, Arnaud ishte agjent i paguar i Serbisë, kishte porosinë ta dështonte Marrëveshjen e Rambujesë, por e hetoi se rrethi për ngulmim në qëllimin e tij, ishte ngushtuar. Shokët e Muhamet Kelmendit ishin të pranishëm përreth Kështjellës, e dinin rolin dhe qëllimin e tandemit Thaçi-Arnaud, nga frika e denoncimit, i dha leje të shantazhuarit, me dosje penalizuese, kryesisht, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, të nënshkruajë Marrëveshjen.
Shantazhimi penalizues i Hashimit, do t`i sjellë dëme Kosovës, heshtja për vrasjen dhe shpërnguljen masive të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës, me 4 dhe 5 shkurt 2000! Premtimi solemn për kthimin e shpejtë në shtëpitë e tyre, ishte mashtrim i turpshëm. Dhe, Hashimi e harroi përjetësisht premtimin!
Mbështetja e organizimit të protestave vandaliste të mars-prillit 2004, të projektuara nga Serbia, i realizoi PAN-i besnikërisht. Rrjedhojat, decentralizimi fshat e komunë serbe, Asociacioni që vazhdon ta ngulfatë Kosovën, është pasojë i shantazhimit të Hashimit me dosjet e krimeve makabre.
Dhe, së fundi, blerja e dosjeve të Hagës, të ardhura nga Beogradi, për ta penguar drejtësinë në Hagë dhe nxitja e gjakderdhjes ndër shqiptare, është akt që turpëron bandën e PAN-it.
UÇK e LPK-së nuk hyri në luftë, e sabotoi Shtabi i saj!
Për një çerek-shekulli subjektet politike PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN, kanë mashtruar dhe falsifikuar, duke e përvetësuar luftën e FARK-ut, të ushtarëve të tij. Përvetësimin falsifikues të luftës, e favorizoi LPK-në, pasi në pritje të unifikimit, bashkimit të faktorëve ushtarakë, FARK dhe “UÇK e LPK-së”, në Mbledhjen e Osllos u vendos të quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Por, e vërteta, madje absolute, është se faktorët në fjalë kurrë nuk u bashkuan. Përkundër, kanë qenë dhe vazhdojnë dhe vazhdojnë të jenë në armiqësi të thellë, sepse bandat e LPK-së i kanë vrarë si “derrat e egër” FARK-istët dhe veprimtarët e LDK-së!
Edhe pse “UÇK e LPK-së” nuk ishte kurrfarë faktori ushtarak, ngaqë nuk kishte ushtarë. Individë apo grupe të vogla nga LPK-ja, që shkuanë për të luftuar në Kosovë ose u vranë të denoncuar, në rrugëtim e sipër, ose u vunë në prita të armikut brenda Kosovës. Kjo ndodhi, sepse ata shkuan pa lejen e Shtabit të Rognerit, ngaqë Tirana zyrtare social-komuniste, nuk e donte luftën dhe ishte deklruar qartazi: “Kryeqyteti i Kosovës, është Beogradi”! Komenti është i tepërt.
Luftëtarët e FARK-ut dëshmojnë se “më shumë jemi rrezikuar nga vrasja prapa shpine, nga LPK-ja, se sa gjoksin nga lufta me armikun!” E tmerrshme, por krejt e provuar gjatë luftës. Vetëm në Malishevë janë bërë 12 vrasje të tilla. Realisht, “UÇK e LPK-së”, kishte vetëm “komandantë”, por jo edhe ushtarë. Pra, LPK-ja kishte “komandantë” pa ushtarë!
LPK-ja e djeshme, PAN-i i sotëm, në stilin enverist-stalinist, sllavo sero-rus, nxitoi të krijonte organizata dhe shoqata “të dala nga lufta” , ndërkohë që nuk kishin hyrë fare në luftë, sepse për të dalë nga lufta, më parë duhet të kesh hyrë në luftë! Ilustroj: Një sekretar i OVL të “UÇK-së”, po lavdërohej për “luftën” që kishte bërë! Fadil Geci, njëri nga luftëtarë e parë, ndërhyri, me telefon, duke e demantuar,, se sekretari ishte ushtarë i pas luftës! Këto organizata dhe shoqata, pas çdo arrestimi, të kriminelëve vrasës politik apo ordinerë, demonstronin rrugëve dhe shesheve të Kosovës, me britmat “Lironi çlirimtarët!” Që nga krijimi i tyre, i kanë shërbyer k rimit dhe kriminelëve, si prapavijë e Ndërmarrjes të Përbashkët Krimkinale.
Këtë të vërtetë e dëshmojnë dy komandantët e LPK-së: Fatmir Limaj, komandant i Podrimës, deklaron se “98 % të ushtarëve i kam pasur anëtarë të LDK-së”. Ndërsa Ramush Haradinaj shkon më tej, “100 % të ushtarëve na kanë ardhur nga LDK-ja”.
Kurse të vërtetën e UÇK-së të LPK-së, e gjeni në shkrimin e Muhamet Kelmendit. Shkrimi në fjalë fletë për themelimin, pastaj “shkatërrimin e UÇK-së, ende pa hyrë në luftë në Kosovë, sepse e sabotuan Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, me intrigimet komplotuese të Shqipërisë, Francës, Serbisë dhe të grupeve greko-serbe”.
Hashimi tregohet i sinqertë kur pranon se “ishte larg frontit të luftës”. Por, gjeti rastin, në pranverën e vitit 1998, për të shkarkuar komandantët profesionistë ushtarakë, përfshirë edhe Tahir Zemaj me kolegët e tij, për t`i zëvendësuar me barinj e profanë në artin ushtarak. Me gjithë vullnetin përkushtues, gatishmërinë dhe guximin që kishin, nuk kanë arritur të organizojnë ndonjë luftë ballore dhe as mbrojtjen e popullatës nga masakrat serbo-sllave, sepse nuk dinin as taktikën dhe as strategjinë e luftës.
Madje ka pasur raste kur komandantë të padijshëm i kanë pykuar ushtarët në pika, me një kallash kinez. Dhe, një sulm i armikut me tanke i ka vrarë në masë ata. Ndërkohë që komandantët ishin shumë larg tyre dhe nuk pësonin asgjë. Kjo e penalizon Hashim Thaçin, duke ngjallë dyshimin e bazuar të sabotimit të luftës, ngaqë shantazhimi me dosje, i rrinte si “shpatë e Demokleut” mbi qafën e tij.
Kronologjia e ngjarjeve të viteve 1997, 1998, 1999 të kuadrove dhe të veprimtarëve të hershëm të LPK-së, puçin e bërë ndaj tyre nga klani i Kryesisë të re të LPK-së, tradhtia e disa shokëve, karrieristë dhe hiç, të cilët vazhdojnë të zvarritën, sepse i bashkon krimi. Me ndërhyrjen e poshtër, kriminale, sabotuese e thellësisht tradhtare ndaj luftës të Kosovës, do të mbetet njollë e zezë e përjetshme e social-komunistëve të Tiranës zyrtare. Profesor Kelmendi është denoncues i hershëm i kësaj bande.
Por, i pari që ua ka çjerrë maskën e vëllazërisë së rreme, ka qenë veprimtari i hershëm dhe burgaxhiu politik Sabri Novosella-Maxhuni. Eksponentët social-komunistë të Tiranës zyrtare, nuk kanë asgjë të pëbashkët me popullin shqiptar të Shqipërisë londineze. Sepse shqiptarët atje, me gjithë diktaturën fashiste të filo-sllavit Enver Hoxha, kanë ruajtur shpirtin e dlirë shqiptar. Intelektualët e mirëfilltë shqiptarë e pranojnë se qeveritarët e pas Mbretrisë Shqiptare, kurrë nuk kanë përfaqësuar interesat e popullit. Krejt ndryshe, me disa përjashtime, kanë qenë qeveritarët e Kosovës, – thonë ata.
Edhe disa nga bashkëveprimtarët të tij, nuk kanë heshtur, veçse paksa të vonuar. Në vitin 2018, Ibrahim Kelmendi, në gazetën “Kosova sot”, në disa artikuj në vazhdime, e akuzon “Shtabin e Rogner-it” për bashkëpunim me shtetet armike të Kosovës dhe sabotimin e Luftës të Kosovës. Pra, të cituarit e njëjtë, i akuzon për tradhti kombëtare. Dhe, ende më vonë, akuza për sabotimin e Luftës të Kosovës, për të njëjtit ka bërë edhe Dr. Jakup Krasniqi.
Që nga krijimi i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), më 1991, Marrëveshja xhentilmene e presidentëve Rugova-Alia, për dërgimin e djemëve të Kosovës dhe nga trevat jashtë kufijve të saj, në ushtrimet ushtarake, nga pedagogë elitë të Akademisë Ushtarake Shqiptare, të cilët organizuan guerilën luftarake në zonat e Kosovës: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, Iljaz Kodra, me shokë, dëshmojnë vizionin dhe ndjenjen luftarake dhe atdhetare të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai arriti t`i mbajë në gatishmëri ushtarakët e karrierës, deri sa koha për luftë dhe fitore erdhi. Eksponentë nga LPK-ja, rrast të dyshimtë, akuzonin dhe anatemonin Presidentin Rugova, pse nuk po e fillon luftën!
Porosia e amerikane, por edhe e disa shteteve mike evropiane, ishte se “Serbia duhet ta fillojë luftën e para, ndryshe, rruga e mbarë pa ne”. Përndryshe, kushdo që llomotitë pa lidhje, se “Dr. Rugova ishte për paqe dhe jo për luftë”, është profan e trutharë.
Rrjedhimisht, nga shkrimi kronikë e kohës, e profesor Kelmendit, rezulton se UÇK e LPK-së, edhe pse u themelua, nuk hyri në Luftën e Kosovës, sepse e sabotuan disa bijë bastardë, të lidhur me qeveritarë tradhtarë shqiptarë dhe shtete armike.
Atë UÇK-në, me flamujt e saj, që stolisin sheshet dhe rrugët e Kosovës, është UÇK-ja FARK-iste, që ralizoi dhe fitoi betejat ballore në Loxhë, Prapaqan dhe gjetkë në Kosovë, si Lufta ballore e Kosharës, të cilat legjitimuan luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
***
Muhamet Klemendi: Likuidimi i UÇK-së dhe i LPK-së u bë në pranverën e vitit 1998.
Në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Dëshmitari Christopher Hill ka thënë se Thaçi s’ishte vendimmarrës në UÇK.
Edhe dëshmitari i kaluar, James Rubin ka thënë se Hashim Thaçi nuk ishte vendimmarrës në UÇK.
Profesori Muhamet Kelmendi thotë se në mars–prill 1998, UÇK-ja dhe LPK-ja u përça me ndihmën e Francës, Tiranës dhe strukturave greko-serbe. Sipas tij, u krijua një grupim i rrezikshëm i udhëhequr nga Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla e Kadri Veseli, që synonte të shkatërronte UÇK-në nga brenda — diçka që, sipas Kelmendit, po konfirmohet sot nga dëshmitarët në Gjykatën Speciale
Më tej, Kelmendi thotë se në vitin 1998 grupi i udhëhequr nga Thaçi, Haliti, Syla e Veseli rrëzoi udhëheqjen legjitime të LPK-së e UÇK-së, duke e përçarë organizimin.
“U krijuan struktura formale pa fuqi reale, ndërsa UÇK-ja mbeti pa komandë të organizuar. Lufta u mbajt gjallë vetëm nga komandantët në terren”.
Sipas tij, Thaçi e Çeku e likuiduan përfundimisht UÇK-në dhe LPK-në, të cilat më pas u shkrinë në PDK.