Viktimat e terrorit islamik duke u varrosur para disa vitesh në Pakistan

HIPOKRIZIA E LUKSIT ISLAMIK DHE VAJTIMI I RREMË PËR “ISLAMOFOBINË”
Në thellësitë e shpirtit tim, ndërsa sodis ekranet që derdhin ujërat helmuese të retorikave fetare me buzëqeshje të përtypshme e sy që s’kanë parë kurrë Zot, më lind një pyetje me zë të ngjirur e pendë të përflakur:
Si ndodh që djalli, i veshur me petkun e engjëllit, predikon paqe ndërkohë që në fytyrë i digjet akoma pluhuri i gjakut të Sirisë?
E këta që i shndërruan muret e xhamive në laboratorë të eksperimentit social mbi njeriun e zbrazët – që me një dozë “parajse të premtuar” e një tjetër të “kalifatit të virtytshëm”, e dërguan rininë tonë drejt shkatërrimit – sot shfaqen me një lloj përulësie të ngrirë, të neveritshme, që të ngjall të vjella shpirtërore.
Dje digjnin librat e arsyes, sot fërkojnë duart me vaj ulliri për t’i dhënë zbukurim “Islamit të moderuar”, një ide që e përdorin si engjëll të virgjër për t’i mbuluar gjurmët e mizorisë.
Dhe çdo herë që i drejtohen popullit me ngashërime të buta, me zë të prekur, me mallengjim për “viktimizimin islam”, unë ndjej frymëmarrjen e një mashtrimi të lashtë – po aq të lashtë sa gënjeshtrat e atyre që qanin për Kainin ndërsa mbanin në dorë thikën me gjakun e Abelit.
Kush i zgjodhi këta të rinj për të vdekur për një tokë që nuk është e tyre?
Kush ua dha flamurin e Allahut të rinjve, sikur të mos kishin prindër, motra, vëllezër, gra, fëmijë, vendlindje, atdhe, shtet, emër dhe mbiemër por vetëm të drejtë për të vrarë, masakruar dhe terrorizuar në një luftë që ua nguliten si të tyre në trurin e tyre bosh ?
Kush i mësoi fëmijëve tanë se lavdia nuk vjen nga dijet, nga dashuria apo nga sakrifica për atdheun, por nga prerja e kokave në vende të panjohura dhe nga privimi i vetes nga çdo dinjitet dhe mendim i lirë?
Kur këtyre pyetjeve u vjen radha në ndonjë debat publik, maskat bien për një çast.
Autorët dhe ideatorët e krimeve fillojnë ta lëvdojnë Trumpin dhe të flasin për aleanca të reja në Lindjen e Mesme, për “takime strategjike” me pushtetin terrorist në Siri, të cilit vetë i kanë ndihmuar të vijë në pushtet.
Gjithçka për të na parapërgatitur mendërisht për një të ardhme, ku ata do të jenë mbretër dhe ne, skllevër të tyre që ua kemi dhënë vullnetarisht litarin me të cilin do të na varin sapo të vijnë në pushtet.

Dy terrositë të mëdhenj shqipfolës, Ridvan Aqifi dhe Lavdërim Muhaxheri, që i dhanë jetëkotat për Islamin e të ashtuquajturen “Toka e Shamit”…
Ky nuk është më debat teologjik. Ky është një duel i heshtur mes jetës dhe vdekjes, mes mendimit të lirë dhe dogmës që vjen nga buzëqeshjet e tyre të përgjakura.
Ata që deri dje thërrisnin “Allahu Akbar” për t’ia mbyllur gojën shqiptarizmës, sot thonë “paqe”, “tolerancë”, “vëllazëri” – por e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një operetë për spektatorët e lodhur që s’dinë më ta dallojnë dramën nga realiteti.
Në rrënjët e këtij mashtrimi qëndron një manipulim i rafinuar: viktimizimi.
Ashtu si Millosheviqi që qante për integritetin territorial të Serbisë ndërkohë që dërgonte tanke drejt Prishtinës, këta qajnë për “islamofobi” në një shtet ku universitetet heshtin nga frika dhe arsimtarët shmangin çdo temë që mund të lëndojë ndjeshmëritë e të radikalizuarve.

Kjo është një shoqëri e lodhur, një shoqëri që i ngjan një pacienti të seduar, ku dhimbja është zëvendësuar nga ëndrrat e rreme. Shoqëri që është stërvitur të besojë se kritika është urrejtje dhe se çdo fjalë që nuk ledhaton egon fetare është blasfemi.
Karl Popper, Bertrand Russell, George Orwell… këta filozofë nuk ishin islamofobë, por shpirtra që e nuhatën rrezikun kur ai vinte i maskuar me petkun e butësisë. Të mos e kuptosh këtë, është të jetosh si murgu i Verbër i Dostojevskit, që e quan djallin “engjëll” ngaqë ai i sjell bukë përditë.
Kështu, në këtë kohë mashtrimi universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar.
Dhe siç do thoshte Zosima, i heshturi që e dëgjonte shpirtin përtej fjalës: “Lutju Zotit për mëkatarin që je ti, dhe mos harro kurrë: gënjeshtra më e madhe është kur njeriu i shitet vetes si i virtytshëm.”
Dhe unë po e përfundoj me një shpresë të sëmurë, por ende të gjallë:
Që shoqëria jonë, e cila ka rënë në gjumë duke përqafuar një bombë, do të zgjohet para se të shpërthejë.
Sepse pas shpërthimit, s’do të ketë më kush të lexojë. E as kush të lutet. Veç lotët do mbeten, të cilët siç tha dikur Shpëtimtari i heshtur, “do jenë si pika shiu në shkretëtirën e Serbisë me emrin Kosovo i Metohija”.


