
Lekë Mrijaj, Klinë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme në raport me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës të akredituar në shtetet e botës demokratike, e në mënyrë të veçantë në raport me përfaqësimin tonë pranë Selisë së Shenjtë – Vatikanit.
Lirimi nga detyra i ambasadorit Vehbi Miftari, i cili gjatë mandatit të tij dyvjeçar është dëshmuar me punë, përkushtim, dinjitet dhe kulturë diplomatike, nuk duhet të mbetet një akt formal administrativ, pa shpjegim publik dhe pa arsyetim institucional. Në diplomaci, sidomos në raport me Selinë e Shenjtë, çdo veprim nuk vlerësohet vetëm sipas germës së dekretit, por edhe sipas hijes që ai lë pas në kujtesën politike, kulturore dhe ndërkombëtare.
Republika e Kosovës, si shtet i ri në botë dhe ende në kërkim të njohjeve të plota ndërkombëtare, ka nevojë për shumë kujdes, maturi dhe fisnikëri institucionale. Sidomos kur bëhet fjalë për Vatikanin, ku Kosova ende nuk është njohur zyrtarisht nga Selia e Shenjtë, çdo hap duhet të bëhet me ndjeshmëri të lartë diplomatike. Aty nuk përfaqësohet vetëm një zyrë, një mandat apo një emër, por aty përfaqësohet kujtesa jonë historike, dhimbja jonë kombëtare, shpresa jonë shtetërore dhe kultura jonë evropiane.
Ambasadori Vehbi Miftari, si shefi i parë i Misionit të Republikës së Kosovës në Vatikan, ka bartur mbi vete një përgjegjësi të veçantë. Ai, në detyrën e tij, nuk ka qenë vetëm përfaqësues administrativ i shtetit, por edhe urë e parë zyrtare ndërmjet Kosovës dhe njërit prej institucioneve më të rëndësishme morale, shpirtërore dhe diplomatike të botës. Ura të tilla nuk ndërtohen lehtë. Ato ndërtohen me qëndresë, me kulturë, me fjalë të matura dhe me praninë e qetë të njeriut që di ta përfaqësojë vendin e vet pa zhurmë, por me dinjitet.
Prandaj, znj. Albulena Haxhiu, në pozitën që mban, duhet të veprojë konform me profesionalizëm të plotë, me transparencë dhe me një etikë kulturë të lartë shtetërore. Vendimet e saja politike dhe institucionale nuk guxojnë të duken si veprime të ngutshme, as si akte që krijojnë hije të panevojshme mbi imazhin e Republikës së Kosovës. Një shtet serioz nuk e peshon fuqinë e vet me mënyrën se si i ndërpret mandatet, por me mënyrën se si i nderon shërbëtorët e tij publikë dhe se si e ruan vazhdimësinë e marrëdhënieve të ndërtuara me mund.
Kosova ka nevojë për diplomaci të pjekur dhe të urtë, jo për gjeste papjekurie që mund të lexohen si nervozizëm politik. Ka nevojë për kulturë republikane euroatlantike, jo për vendime që lënë pas paqartësi. Pikërisht ka nevojë për njerëz që dinë ta ruajnë kredibilitetin e shtetit nga hijet e përçarjes dhe ta ngrisin atë në dritën e seriozitetit ndërkombëtar.
Në këtë rast, nuk është fjala vetëm për një ambasador. Është fjala për mënyrën se si Republika e Kosovës sillet me vetveten. Është fjala për fytyrën që ia tregojmë botës. Është fjala për kujdesin që duhet ta kemi ndaj Selisë së Shenjtë-Vatikanit, një adrese ku fjala, heshtja, gjesti dhe simboli kanë peshë të madhe.
Prandaj, lirimi nga detyra i ambasadorit Vehbi Miftari duhet të shoqërohet me arsyetim të denjë, me respekt institucional dhe me kujdes të veçantë, në mënyrë që të mos dëmtohen raportet e ndërtuara me aq mund. Sepse në diplomaci, si në kulturë dhe në histori, jo çdo gjë që bëhet me dekret mbetet vetëm në letër. Disa vendime mbeten si gjurmë në kujtesën e shtetit.
Republika e Kosovës nuk duhet t’i japë vetes hije të zezë në një vend ku ende kërkon dritë njohjeje. Ajo duhet të ecë me dinjitet, me maturi dhe me përgjegjësi, sepse në Vatikan nuk shkohet vetëm me protokoll diplomatik, por edhe me kulturë, me përulësi dhe me vetëdijen se atje përfaqësohet një popull, siç janë shqiptarët, që ka vuajtur shumë, por që dëshiron të njihet si popull i paqes, i qytetërimit dhe i dinjitetit evropian.
Më 30 prill 2026



Teksti i Lekë Mrijaj ngre me të drejtë shqetësimin për dinjitetin diplomatik, por në dritën e zhvillimeve të fundit, çështja bëhet edhe më e ndjeshme. Mendoj se shkarkimi i Vehbi Miftarit lidhet me përkatësi politike dhe jo me performancë, dhe ka të bëj me politizimin e diplomacisë. Në një adresë kaq delikate si Selia e Shenjtë, vendime të tilla pa transparencë rrezikojnë të dëmtojnë jo vetëm individin, por edhe seriozitetin dhe kredibilitetin e shtetit të Kosovës.
Analizë e matur. Autori me të drejtë kërkon seriozitet dhe dinjitet në diplomacinë tonë shtetërore.