(Reflektim nga Arif Ejupi)
Në këtë tekst autori rrëfen përpjekjet, dhimbjet dhe qëndresën e tij përballë padrejtësive të jetës.
Kjo është një dëshmi e sinqertë e plagëve që lë koha dhe e forcës për t’u mbijetuar atyre.
___
Arif Ejupi, Zvicër
___
Jam munduar me kënduar
edhe kur nuk më është kënduar.
Jam munduar me shkrua
edhe kur më ka munguar frymëzimi.
Jam munduar me u thanë “jo” padrejtësive
edhe në kohë furtunash.
Jam munduar me qenë i mirë
edhe me ata që s’e kanë njohur mirësinë.
Jam munduar me qenë korrekt
edhe me ata që m’i kanë bërë
njëmijë hile e dredhi pas shpine.
Shumëherë kam zgjedhur vetminë,
sepse gënjeshtrën, mashtrimin dhe pabesinë
i kam përjetuar si thikë në zemër.
Jeta lë vërragë
që vështirë shërohen.
Gjenevë, 15 Nëntor 2025



Poezia Vërragë kohe, reflektim poetik nga A. Ejupi është një rrëfim i ndjerë dhe i sinqertë mbi qëndresën e njeriut përballë sfidave të jetës.Ajo ndërtohet mbi përsëritjen e vargut “Jam munduar…”, i cili shndërrohet në një motiv të fuqishëm të përpjekjes së vazhdueshme për të mbetur njeri i mirë, i drejtë dhe i ndershëm në një botë ku shpesh mbizotërojnë padrejtësia, pabesia dhe mashtrimi. Autori shpalos një brendësi të plagosur, por jo të thyer; një shpirt që zgjedh të këndojë edhe në ditët kur heshtja do të ishte më e lehtë.
Poezia përfton një ton të qetë meditativ, ku vargjet e shkurtra dhe të pastra shpërfaqin peshën e përvojave jetësore. Më pëlqeu sidomos metafora e “vërragëve që vështirë shërohen” përmbledh mjeshtërisht të gjithë thelbin e tekstit: jeta lë gjurmë, por përpjekja për të qëndruar i drejtë është akt fisnikërie dhe triumfi moral.
Në tërësi, kjo poezi është një dëshmi e sinqertë dhe e bukur e një rruge të kaluar me dinjitet, ku qëndresa dhe mirësia mbeten vlerat më të larta të njeriut.
Jeta është si libri, në fakt, jeta i ngjan librit, ballinat e të cilit tregojnë lindjen dhe vdekjen; në atë libër shkruhen veprat e tua të mira, për të cilat shpërblehesh, dhe veprat e tua të këqija, për të cilat meriton ndëshkimin. Mundohu që në atë libër të shkruhen gjërat që janë për të mirën tënde dhe të të tjerëve. Dije se çdo fletë që mbyllet, të afron drejt fundit dhe, me mbylljen e saj, mbyllet edhe një pjesë e jetës sate, prandaj përpiqu që fletën e mbyllur ta mbyllësh me punë dhe vepra të mira. Dije se çdo ditë e jetës sate është një faqe e jetëshkrimit tënd. Kujdesu që atë ta shkruash mirë, ngase një faqe e atij jetëshkrimi e ndyen krejt librin.
***
Një perlë e rrallë dhe e jashtëzakonshme !