
Nga: Lirim Gashi, Prizren
___
VJOSA OSMANI: GRUAJA QË ZGJODHI FRONIN BOSH NË VEND TË LUFTËS SË LAVDISHME
Vjosa Osmani është pa dyshim një nga figurat më të ndritura që ka prodhuar politika kosovare në dekadën e fundit.
Me një artikulim brilant, që shpesh i bën edhe diplomatët ndërkombëtarë të ndihen si nxënës të vitit të parë të Fakultetit të Drejtësisë, ajo kishte çdo potencial për të ndërtuar një forcë politike të qëndrueshme, të fuqishme dhe të pavarur.
Por, për çudi – ose ndoshta për shkak të një tundimi narcisist që vetëm politika mund ta prodhojë – ajo zgjodhi të ulej në fronin e ftohtë e të pashpirt të Presidencës, një post që në një sistem parlamentar ngjan më shumë me një muze lavdie sesa me një zyrë lufte.
“Kur je në majë, nuk të mbetet tjetër veç të biesh ose të bëhesh statujë.” – thoshte Nietzsche, dhe pikërisht kjo po ndodh me Vjosën. Nga një amazonë e Kuvendit, një grua që godiste me retorikë e argument çdo konservator të pluhurosur, ajo u shndërrua në një zonjë protokolli, që puth flamuj e takon presidentë me buzëqeshje të krehura.
Në vend që të udhëhiqte partinë e saj të sapolindur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 – ku me siguri do të merrte 10 deri në 12% të votave dhe do të hynte si një luaneshe në arenën politike – ajo vendosi t’i fuste kalorësit e saj në strofkën e një tjetër armate: atë të Albin Kurtit. Një veprim që kujton metaforën e La Fontainit: “Më mirë të jesh kokë e një lepuri, sesa bisht i një luani… nëse nuk ke ndërmend të shndërrohesh në pre.”
Dhe kështu ndodhi. Lista e saj u shkrumbua, individualiteti u hollua në emër të unitetit, dhe me këtë, ajo la pas një mundësi të artë për të krijuar një qendër politike të ekuilibruar, që sot do të kishte qenë një alternativë e domosdoshme në skenën tonë të përçarë politike.
Ironia më e bukur është se, edhe pse ajo arriti postin më të lartë në hierarkinë politike, në thelb ajo hoqi dorë nga partia e saj, e vetmja gjë që do t’i jepte asaj vlerë reale në sistemin tonë politik.
Në vend të lavdisë së një ministreje të jashtme që do të përballej me botën me të njëjtën hijeshi si Angela Merkel dhe të njëjtën vendosmëri si Golda Meir, ajo zgjodhi të bëhet Mona Lisa e politikës kosovare – e bukur për ta parë, por e heshtur në veprim.
Dhe ndërsa ajo sot pyetet “Çfarë pastaj?”, përgjigjja është më shumë ekzistenciale sesa politike. Sepse çfarë mund të synojë një politikane që e ka arritur majën, por e ka humbur ushtrinë?
“Më mirë të jesh i papërmbushur në betejë, sesa i përmbushur në vetmi.” – do të thoshte Kierkegaard. Por Vjosa, për fat të keq, ka zgjedhur këtë të dytën.
Sa për këshilltaret e saj… Donika Kadaj-Bujupi është një enigmë më vete. Nuk e kuptojmë ende nëse është këshilltare për çështjet kombëtare, për lëvizjet në TikTok, apo për mënyrën se si të zbulohet filozofia e jetës përmes konsumimit të një kastraveci. Sepse, ju lutem, çfarë mund të mësojë Vjosa nga Donika Kadaj Bujupi ?
Se si hahet kastraveci në mënyrë patriotike dhe se si pihet “Jupi” me etikë diplomatike ?
Dhe në fund, pyetja ime e vetme mbetet kjo:
“A është mëkat të arrish para kohe në parajsën e pushtetit, nëse për këtë ke djegur urën që të kthente te populli?”
Sepse, nëse ky është çmimi për të qenë Presidente – atëherë, më mirë të jesh një deputete që lufton për drejtësi sesa një Zonjë që pret duartrokitje për fjalime të shkruara nga të tjerët.


