Zeqir Bekolli, Drenas
___
Shpesh dëgjohet të thuhet se vlerat e luftës nuk kanë nevojë të mbrohen, sepse ato janë vetvetiu të shenjta e të paprekshme. Dhe në thelb kjo është e vërtetë. Vlerat e një lufte çlirimtare lindin nga sakrifica, nga gjaku i derdhur për liri, nga qëndresa e popullit për dinjitet e shtet. Por përderisa këto vlera janë të përjetshme në kujtesën historike, ato mund të dëmtohen nga sjellja jonë e përditshme, nga shkelja e parimeve që i lindën.
Fatkeqësisht, realiteti i pasluftës ka treguar se rreziku për vlerat e luftës nuk vjen nga jashtë, por shpesh nga brenda, nga vetë ata që dikur ishin pjesë e saj.
Zhytja në korrupsion, në krim të organizuar, në nepotizëm e padrejtësi, janë plagë që përbaltin idealin për të cilin u flijua brezi më i mirë i rinisë shqiptare. Kur luftëtari i djeshëm sot shkel mbi ligjin e moralin, ai shkel mbi amanetin e bashkëluftëtarëve që nuk u kthyen gjallë.
Një shoqëri që harron familjet e dëshmorëve, që lë pas dore fëmijët e tyre, invalidët dhe luftëtarët e vërtetë të UÇK-së, nuk mund të quhet ruajtëse e vlerave të luftës. Madje, një padrejtësi tjetër e rëndë është fryrja e numrit të veteranëve, një mashtrim që ul peshën e kontributit të atyre që me të vërtetë sakrifikuan.
Mbrojtja e vlerave të luftës nuk është çështje slogani apo dekorate. Është përgjegjësi morale dhe qytetare. Është detyrë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të ndershme dhe demokratike, ashtu siç ëndërruan ata që dhanë jetën për liri. Vetëm atëherë vlerat e luftës nuk do të jenë fjalë të zbrazëta, por themel i një shteti që e meriton emrin Republikë e Kosovës.


