
Klajd Kapinova
“Gruaja, tek fisi Mrijaj, është një krijesë e respektuar, është engjëlli i vatrës që lind, rrit dhe edukon fëmijtë, që pret e përciell miqtë, që lartëson nderin e familjes, që vlerësohet nga pjestarët meshkuj të shtëpisë, që nga vjehrri e deri te fëmijët. Një kurorëzim i tillë, i figurës femërore nuk është i zakonshëm në mendësinë shqiptare, prandaj, për mendimin tim, përbën një risi konceptuale, që i rrit vlerën veprës dhe mesazhit të saj…. Ajo ndjenjë fitoi mbi ligjet e maleve, mbi paragjykimet e shoqërisë, mbi moralin e saj. Ajo grua i dha shoqërisë një mësim të madh, atë të respektimit të ligjeve të zemrës, të parimeve universale të detyrës së nënës, që nuk mund e nuk duhet të jetë në kundërshtim me pjesëmarrjen në një familje, në një fis, në një bashkësi njerëzish, mbasi detyra e nënës është më e bukura, më fisnikja më e bekuara nga Zoti, sepse është sendërtimi i mësimit të tij themelor. Si e tillë ajo bëhet themeli mbi të cilin ngrihet një familje me një his,tori dyqind vjetëshe.” – Eugjen Merlika, studiues e publiçist, Itali
Para 5000 vjetëve, në Egjiptin e lashtë, kur civilizimet antike e krijuan shkrimin, shfrytëzuan të gjitha bazat në të cilat mund të shkruhej: papyrus, gurë, argjilë, pllaka të drurit apo metalike etj.
Dhe kësisoj gjatë shekujve deri në ditët tona, libri u bë tërësia e bashkuar e materializimit të produktit mendor të një autori, që botohet një herë ose here mbas here, në një vëllim apo më shumë.
E kam të lehtë, por edhe të vështirë të shkruaj për figurën e atdhetarit të palodhur Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA, studiuesin dhe publiçistin bashkëkohorë Tomë Mrijaj.
Telegrafikisht, po paraqes disa momente kryesore nga kujtimet e mia, tepër domethënëse të jetën dhe veprës patriotike për shumë dekada të familjes dhe të Tomës. Ai është një pinjoll i denjë fisit të madh të Mrijajve zëmadh…
Historia nënë e pagabueshme
Tomë Mrijaj, lindi në tokën martire të Dardanisë, aty ku zë fill historia më e lashtë e popullit shqiptar e dalluar mirëfilli për besë, trimëri, bujari, humanizëm, sakrifica sublime për shumë shekuj, tradita të mrekullueshme dhe të moçme shqiptare, atdhedashuri etj., të cilat fisi Mrijaj i trashëgoi brez pas brezi për shumë shekuj.
Gjatë bisedave të lira për shumë vite, me mikun tim Tomë Mrijaj, falë një kujtese shumë të mirë deri në detaje, ai rrëfen me mall dhe dashuri të pakufi për vendlindjen Klinën dhe Dardaninë e tij martire.
Mbi të gjitha ajo që më ka rënë në sy është se ai e skalit atdhedashurinë e tij me fjalë zemre, pikërisht identitetin e përjetshëm shqiptar edhe pse sot jeton dhe punon prej disa dekadash në shtetin e madhe metropolitan të New York-ut, në SHBA.
Në prill të vitit 2002, fillova udhëtimin tim të parë nga Tirana (Shqipëri), Budapest (Hungari) drejt shtetit të New York-ut (SHBA), ku, në aeroportin ndërkombëtar John Fitzgerald Kennedy, kishte dalur për të më pritur Tomë Mrijaj, i cili, shumë vite më vonë do të bëhet edhe kumbara i familjes time të re dhe djalit Klajd Kapinova Junior.
Qysh në fillim, pranë familjes fisnike mikpritëse, zemërbujare dhe shumë humane Mrijaj, me banim në New York, unë gjeta deri më sot ngrohtësinë e një familje fisnike bujare të vërtetë tipike tradicionale shqiptare.
Vijimsia shqiptare në New York
Antarët shqiptaro amerikanë të familjes Mrijaj edhe pse jetojnë në një mjedis të ri njujorkez, vazhdojnë të ruajnë gjithnjë me pasion atdhedashurie dhe ta përcjellin atë edhe sot, tek fëmijët, nipa dhe mbesat e tyre të lindur dhe rritur në SHBA, me vlerat më të mira të trevës së mirënjohur të Klinës, në zonën e tradita historike të Lugut të Drinit në Kosovë.
Me këto cilësi dhe vlera shumë shekullore fisnike shqiptare, spikat edhe bashkëshortja e tij Liza (Gega) Mrijaj, e cila vjen nga treva e malësisë së Pukës. Ajo prej shumë vitesh, është një ndër gratë e rralla shqiptaro amerikane, që kanë mundur të integrohen me sukses dhe dinjitet në organet e larta zyrtare amerikane në shtetin metropolitan të New York-ut.
Falë interesimit dhe dashurisë së përhershme për Atdheun e prindërve të tyre, fëmijët sot të rritur dhe tashmë të bërë prindër si: Ardiana, Nikolla, Elizabeta dhe zonjusha Donika, kanë qenë të interesuar të mësojë më shumë nga historia, kultura dhe arti shqiptar i vendlindjes së prindërve të tyre nga trojet etnike arbërore.
Babai i tyre Tomë Mrijaj, është aktivist i palodhur i komunitetit tonë, autor i njohur i disa librave me profil historik, sikurse edhe një vatrist e veteran i Federatës Panshqiptare Vatra (1912), duke qenë i pari i ri kosovar në bordin e saj dhe gazetën Dielli, ku, ka aderuar dhe më pas ka arritur të zgjidhet dhe drejtoj si kryetar degën e Vatrës në qytetin Queens, New York.
Ai edhe sot të flet me respekt për organizatën zëmadhe, artikujt dhe poezitë e botuar në faqet e gazetës më të vjetër Dielli (1909), duke treguar fotografi, gazeta të hershme.
Vatristi i hershëm veteran Tomë Mrijaj, përmend me respekt emrat e shumë vatristëve veteranë dhe figurave të shquara shqiptaro amerikane, që sot nderohen dhe respektohen nga të gjithë.
Shumë vite më pare, duke shfletuar disa albume fotografish, që ruhen me dashuri në shtepinë Mrijaj në Yonkers, i sheh fëmijët të veshur me kostume shumëngjyrshe popullore nga zona e Kosovës, Shqipëria e Veriut (Mirdita, Puka, Shkodra), duke kënduar në shumë aktivitete kulturore artistike, të organizuar nga Qendra Kulturore Nënë Tereza, pranë kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York, gjatë inagurimit të kishës katolike shqiptare shën Palit dhe shën Pjetrit në Detroit, Michigan (në vitin 2002), aktivitetet e shpeshta të organizuar nga Organizata e Gruas Shqiptaro Amerikane Motrat Qiriazi, Festivali i Talenteve të Reja në New York, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, përkujtimin e figurave historike, si: Kryengritja e Malësisë së Madhe e drejtuar nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli, Dita e Flamurit 28 Nëntor 1912, aktivitetet e Lidhjes së Prizrenit, festimin e Pavarësisë së Kosovës në New York, dhe shumë ngjarje të tjera kombëtare.
Gjatë gjithë kohës që udhëtonim me Tomën në shtëpitë e bashkatdhetarëve pa dallim krahine dhe ideje, në vende dhe shtete të ndryshme të SHBA-së, ai falë një kujtese të freskët flet me hollësi mbi historitë e ndryshme, që ka përjetuar me shumë figura të shquara të diasporës sonë në SHBA, duke i përshkruar me hollësi jetën dhe aktivitetin e tyre të pasur, në shërbim të komunitetit tonë dhe çështjes shqiptare.
Mons dr. Oroshi dhe biografi i tij Mrijaj
Midis shumë të tjerëve, Toma, ishte një mik i pandarë i dy personaliteteve të njohura të botës shqiptare në Amerikë: Kapidanit të Mirditës juristit Ndue Gjomarku (1914-2011) dhe themeluesit të kishës së parë katolike shqiptare në ShBA, intelektualit të shquar largpamësit, antikomunistit të përbetuar, enciklopedistit dhe eruditit brilant, klerikut patriot e human mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989).
Studiuesi dhe publiçisti produktiv Mrijaj, para disa viteve ka shkruar një monografi serioze shkencore dhe historike, me titull kuptimplotë: “Mons. dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” (New York, 2008), bazuar tërësisht në fakte dhe dokumente të paekspozuar më parë, me vlerë të rëndsishme historike këtu në New York.
Gjithashtu, ai ka shkruar, përgatitur dhe sponsorizuar libra të tjerë me material historikë nga mons. dr. Zef Oroshi, si: “Log Kuvendi në trinomin Fe – Atdhe – Përparim” Mons. dr. Zef Oroshi, Shkodër, New York, 2019 dhe “Një jetë i përgjuar”, 2020, që përbën dosjen e plotë të diktaturës dhe Sigurimit të Shtetit, që asokohe hartoi me kujdes dhe detaje kundër klerikut patriot mond. dr. Zef Oroshit.
Studiuesi Mrijaj shkruan: “Zyrtarët komunistë e dinin se mons. dr. Zef Oroshi kishte një aktivitet të ngjeshur antikomunist dhe fliste hapur kundër tyre kudo në kishë, në përvjetore dhe tubime apo manifestime të tjera kulturore, atdhetare etj. Spiunët komunistë këtu, kishin marrë udhëzime nga Tirana e kuqe, që të eliminonin fizikisht me çdo kusht meshtarin tonë dom Zef Oroshin, sikurse e thërrisnin të gjithë asokohe. Por nga ana e tjetër, nacionalistët dhe personalitetet e shquara të diasporës antikomuniste, ishin të përgatitur dhe ndiqnin nga afër çdo lëvizje të tyre negative, kundër meshtarit tonë të shquar Oroshi. Agjentët komunistë, shkonin në lokalet apo organizatat politike dhe kulturore, ku ishin shqiptaro amerikanët, në kishë, xhami, manifestime të ndryshme, për të rekrutuar të rinj “naiv”, duke u shpërlarë trurin, se Shqipëria është shtet “demokratik” dhe atje njerëzit janë të “lumtur” në komunizëm. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.”
Pas librave me vlerë historike, që cituam më lart, studiuesi Tomë Mrijaj, shkroi librin monografik: “Abati i Mirditës – Imzot Frano Gjini – Martir i kishës katolike” Shkodër, 2018, bashkautorë me studiusen e re Leonora Laçi.
Sërisht edhe kësaj radhe vepra në fjalë, u përzgjodh, përgatit dhe u botua nën përkujdesin e veçantë dhe shpenzimet financiare të studiuesit e publiçistit veteran i komunitetit tonë Tomë Mrijaj.
Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons. dr. Zef Oroshi, rivjen mbas shumë dekadave para shqiptarëve kudo në botë dhe komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër original me titull: “Një jetë i përgjuar” e mbushur plot me dokumente të Dosjes së tij keqdashëse, hartuar me dorë dhe makinë shkrimi, për dekada me radhë nga punonjësit e polcisë sekrete të Sigurimit të Shtetit socialkomunist, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Studiuesi Tomë Mrijaj në shkrimin e tij analitik: “Dy fjalë hyrëse”, ndër të tjera shkruan:
“Sapo përballesh me një Dosje të errët, të përpiluar me denigrime, trillime, shpifje dhe shkrime me paramendime direkte qëllimkeqe, të vetë punonjësve të Sigurimit të sistemit komunist, ju si lexues të kujdesshëm, duhet të jeni të përgatitur psikologjikisht të mësoni më shumë, se çfarë ju pret nga leximi, duke qenë të vetëdijshëm, sikurse edhe unë për këto “perla” të Dosjes, që mora në dorë.
Njeriu në ditët tona, shokohet kur sheh nga afër sesa të paskrupullt, në manipulime dhe trillime (të ngjarjeve dhe figurës historike të përsonit që ata përbaltnin papushim) ishin strukturat informative policore të fshehta apo forcat e Sigurimit të shtetit komunist dhe më saktë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shqipëri, gjatë harkut kohor të vitëve 1944-1990.”
Hulumtuesi ynë Mrijaj e ka zbardhur me kujdes dhe deri në detaje jetën dhe veprën interesante plot tallaze (me humbje dhe fitore), të doktorit të shkencave filozofike mons. Zef Oroshit.
Meshtari ynë i zgjuar dhe kulturdashës mirditor, këtë gradë shkencore e ka marrë në Itali, në një kohë që rregjimi komunist vriste, burgoste, internonte dhe persekutonte sistematikisht ajkën më të ndritur të klerit katolik në Shqipëri dhe më së shumti Jeruzalemin shqiptar (gjatë viteve të zeza të regjimit komunist 1944-1990), sikurse quhet Shkodra e lashtë.
Kjo vepër e re dhe e veçantë për jetëshkrimin e plotë të monsinjor Oroshit, për fat të mirë, është mirëpritur pozitivisht nga lexuesit, në: Kosovë, Shqipëri, Australi, Gjermani, Zvicër dhe shumë shtete të SHBA-së.
Mbi 100 libra të sponsorizuara
Mësuesi Shefqet Kelmendi me banim në Shkodër, i shkruan një ditë Tomës dhe mbasi e përgëzon për monografinë historike kushtuar martires kundërkomuniste shkodrane Marie Shllakut, ndër të tjera permend se po shkruan edhe ai një libër me kujtime për heroinën e Shqipërisë Etnike e cila dha jetën e vet për Kosovën, duke qenë e vetmja vajzë në 50 çetat nacionaliste, që asokohe vepronin në Kosovë.
Ai i drejtohet Tomës se nuk ka mundsi të botoj një libër, që ai ia ka kushtuar heroinës shkodrane Marie Shllaku. Toma, në përgjigjen e tij e përgëzon Shefqetin e i shkruan se kur ta përfundosh dorëshkrimin dërgoja menjëherë në shtypshkronjën “Volaj” për ta botuar, sepse shpenzimet financiare i mbulon ai.
Dhe ashtu ndodhi. Libri i ri pas disa ditësh doli nga shtypi dhe autori Shefqet Kelmendi i dërgoi disa kopje humanistit dhe zemërbujarit Tomë Mrijaj në New York.
Ky gjest fisnik dhe bujar, është përsëritur mbi 100 herë nga Toma, mbasi autori i këtyre rreshtave është dëshmitar në shumë raste të tjera, ku, shumë bashkatdhetarë nga Shqipëria, Kosova dhe SHBA-ja, janë mbështetur financiarisht nga adhuruesi i librave me tematikë historike dhe kulturore.
Larg dhe pranë Kosovës
Por Toma aktiv, gjatë jetës tij rinore në Kosovë, është ndeshuar edhe me vështirësi të jetës. Në jetën e njeriut, ka raste gëzimi, por edhe ngjarje të pakëndshme, që ndodhin jashtë dëshirës së tij…
Ai largohet nga Kosova e tij e dashur, Lugu i Drinit dhe familja mbas një përplasje fizike me forcat e Sigurimit të UDB-së serbe.
Tomës, asnjëherë nuk i kishte shkuar në mendje, se do të braktis vendin e tij. Gjatë udhëtimeve të ndryshme nëpër botë, mendja i ka shkuar gjithnjë tek vendlindja, njerzit e dashur dhe bujar, natyra e bukur, shtëpitë, livadhet e gjelbër, në pranverë dhe verë, malet e mbuluara me pyje të harlisura me dëborë, gjarpërimin dhe gurgullimën e ujërave të kthjelltë të lumit Drini i Bardhë, livadhet e familjes së tij etj.
Kështu ai kaloi fëmijërinë dhe rininë. Mbas disa vitesh mbaroi shkollimin në degën e mësuesisë, ku, më pas vijoi studimet në Drejtësi.
Historia, që ndyrshoi jetën e Tomës
Në jetën e njeriut, ka raste gëzimi por edhe ngjarje të pakëndshme, që ndodhin jashtë dëshirës së tij.
Një ditë mbasdite vjeshte, kur ai po kalonte me biçikletën tij në mes të qytezës së Klinës, i tërhoqën vëmendjen një grup nxënësish djem dhe vajza të kombësisë serbe, të cilët po vraponin të shqetësuar nga oborri i shkollës “Vuk Karaxhiq” drejt qendrës së qytezës, ku ndodhej kafja e pronarit serb Zhikës.
Ai i pyet në gjuhën serbe: “Çfarë ka ndodhur, që ju po vraponi të shqetësuar!?” ata duke menduar se ai ishte serb, i thonë: “Shoku profesor po rrahën serbët me shqiptarët në klasë.”
Ashtu sikurse ishte me biçikletë në dorë u nis shpejt drejt vendit të ngjarjes. Sa afrohet, dëgjon zhurmë të madhe në katin e parë të një klase. Ai afrohet tek dritarja, që ishte e hapur dhe aty ai sheh se nxënësit e kombësisë serbe dhe arsimtari i edukatës fizike e kishin rrethuar nga të gjithë anët arsimtarin shqiptar të gjuhës shqipe Sadri Morina pranë dërrasës së zezë, ku në njërin kënd ishte dhe tavolina e mësuesit.
Arsimtari shqiptar, me trupin e tij të gjatë qëndronte në këmbë i rrethuar dhe po rezistonte goditjeve me grushte dhe shqelma, që i vinin nga çdo anë, duke u vetëmbrojtur. Këtë mësimdhënës të ri Toma e kishte njohur në Gjakovë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike.
Në ato momente gjaku arbëror, i bashkëkombësit e thirri, që t’i vij në mbrojte, në atë situatë që ai gjendej e u hodh menjëherë në dritare, që ishte e hapur dhe hyra brenda në klasë.
Ai me mirësjellje dhe gjakftohtësi, iu drejtua nxënësve, duke u thënë: Është turp të sulmoni në mënyrë të pahijshme dhe të ushtroni dhunë ndaj mësuesit tuaj!
Duke vijuar tregimin Toma, thotë se ky incident me serbët në shkollë ishte i parapërgatitur. Kështu brenda pak minutash u mbush oborri i shkollës me shumë serb vendas dhe nxënës, që me sa duket kishin lajmëruar njeri-tjetrin.
Edhe nga kafja e Zhikës erdhën shumë serbë të tjerë. Lajmi u përhap me shpejtësi. Në shkollë erdhën edhe disa arsimtarë shqiptarë, që i kishin banesat afër shkollës, si: Beqir Beqiri, Tush Kabashi, Ndue Prendi, Lekë Skeli etj.
Në ato momente në shkollë vijnë edhe forcat e policisë nga stacioni, që gjendej jo shumë larg shkollës. Ata kur e panë gjithë atë turme të madhe serbësh, dy policët shqiptarë Isa dhe Ademi, që e njihnin shumë mirë, Tomë Mrijajn i thanë: “Gjej mënyrën për tu larguar sa me shpejt, që të jetë e mundur, sepse nuk kemi asnjë mundësi të ndërhyjmë në këtë masë të madhe serbësh, që janë shpupurishur nga inati..”
Mbas shumë përpjekjesh, ai u hodh prapë nga dritarja nga kishte hyrë më parë dhe me shpejtësi e mori biçikletën, që e kisha mbështetur tek muri e ashtu si rrufe i dhashë biçikletës dhe nuk i ndiente mbi shpinë dhe kokë gurët dhe copat e dërrasave të gardhit të shkollës që serbët hidhnin drejt tij papushim…
Kur mbërriti në shtëpi, babai i tij Nikollë Mrijaj po qëndronte në oborr. Ai kur e pa djalin u ngrit në këmbë e iu afrua i shqetësuar. Mbasi i tregoi të gjithë ngjarjen, nga përvoja e tij jetësore me serbët e pabesë i tha, se: “Duhet të largohesh sa më shpejt nga shtëpia, sepse policia menjëherë do të vijë të të arrestoj në shtëpi.”
Më vonë, Toma ka mësuar se atë natë shumë herë policia ka shkuar në shtëpinë e tij, duke menduar se mund të më gjenin aty. Vetëm familja dhe një rreth i vogël miq të sigurt i dinin lëvizjet e tij dhe vendndodhjen deri sa u largova përgjithmonë nga Kosova.
Miqtë e tij, që kishte në gjimnazin Luigj Gurakuqi, i kanë thënë se, se mbas incidentit, mësimet në shkollë janë ndërprerë për dy javë, në shenjë proteste ndaj shqiptarëve dhe Tomës.
Për situatën e ndërlikuar, i tij kishte biseduar me mikun e tij të ngushtë Dedë Skelin dhe sëbashku kishin vendosur të takonin Kryetarin e Gjyqit Komunal Gojko Koprivicen. Ditën e nesërme ata ishin gjendur në zyrën e tij.
Ai i kishte pritur shumë ftohtë. Gjatë kthimit në shtëpi, babai dhe miku i tij, kishin biseduar se diçka shumë e madhe fshihej në heshtjen e Kryetarit të Gjykatës. Ata bien dakord, që të nesërmen Deda të takoj kryetarin në Kafen e Franës së Dedë Gjokës, ku ai drekonte çdo ditë aty.
Deda, kishte shkuar me herët në Kafen e Franës dhe e kishte njoftuar Franën për takimin. Me të mbërritur kryetari, Deda e pyet me përzemërsi, ku i thotë: “Gojko, na pritët shumë ftohtë mua dhe Nikollën. U habitëm si nuk na u përgjigjet në pyetjet që ua drejtuam, sidomos kur është fjala për Nikollën, i cili, ka punuar si nëpunës i administratës, duke qenë korrekt. Ai është respektuar nga të gjithë…”
Gojko, pasi e dëgjon Dedën me shumë kujdes, i përgjigjet: “Dedo, Nikolla është shqiptaro-madh. Si është i ati është edhe i biri, Toma. Çfarë i është dashur djalit të tij, të shkoj për të ndihmuar një turqeli… Dëgjo Dedë, djali i tij s’ka shpëtim. Ka gabuar rënd. Atë e pret vetëm burgu i përjetshëm.”
Deda, ishte ndarë i dëshpëruar nga fjalët e Kryetarit të Gjykatës. Ai kishte shkuar menjëherë drejt tek babai tij Nikolla, për t’i përcjell bisedën, që kishte pasur me serbin e lartë në pushtet. Kishte ra terri i natës.
Asokohe Toma ishte nisur drejt shtëpisë së tij, për të parë se si qëndronin punët. Tek Mulliri i Selmanëve, në rrugën kryesore në atë errësirë ai takoi mikun e familjes Dedë Skelin, atë burrë të veçantë në Lug të Drinit, shumë elegant i veshur përherë me kostumin kombëtar.
Në dorë ai mbante cigaren e qelibarit, ku tërë ditën tymoste cigare pas cigareje. Deda, i tha, që të largoheshim nga rruga, ku u zhvendosëm në livadhe pas shelqeve që të mos zbuloheshim nga kalimtarët e rastit.
Ai i tregoi gjatë për takimin që kishte zhvilluar me Kryetarin e Gjykatës për incidentin tim. Ai shtoi se sapo ishte kthyer nga biseda e gjatë me babain e tij. Në fund me tha se është mirë që ju Tomë duhet të largohesh jashtë Kosovës qysh sonte…
Ai kur mbërriti në shtëpi, babai i tha: “Serbët këtu ti kanë prerë të gjithë rrugët për të qëndruar në Kosovë. Ata kërkojnë burgim të përjetshëm për ty dhe kështu e vetmja rrugë biri im është të largohesh sa më shpejt nga Kosova, sepse të gjithë janë ngritur në këmbë për të arrestuar me çdo kusht.”
Babai i tij Nikollë Mrijaj (1911-1999), një personalitet i njohur në Lugun e Drinit e përqafoj me lot në sy, duke i thënë: “Biri im të kesh kujdes vetën tënde!” Kështu, ai vendosi me zemër të lënduar të largohet natën me tren, duke iu shmangur njerëzve që e njihnin dhe mori rrugën drejt Beogradit…
Mbas shumë dekadave nga kjo histori, mësuesi Sadri Morina, në kujtimet e veta të asaj kohe, shkruan një artikull interesant me titull:
“Tomën e kisha shok dhe mik të idealit kombëtar”, ku, më poshtë vijon: “…nga viti 1966 deri më 1972, kur flas, prandaj, edhe për Tomë Mrijajn, janë vetëm 6 vite, sa 6 shekuj për kapelstrehqiturit serbë, ndërsa shprehur me metaforë 6 vite qenë sa 6 dekika për shqiptarët…
Si profesor i gjuhës shqipe që isha, ndërsa mbaja orën mësimore, një nxënës serb nga Gremniku, sigurisht për të më provokuar, qet topin e futbollit te këmbët e mia. Reagoj. Ndërkohë nxënësi del nga klasa për të lajmëruar Mihajlo Boshkoviqin, kujdestarin e klasës në banesë. Aty kishte qenë edhe vëllai i Mihajllos, oficer i Armatës Jugosllave në Maqedoni. Saora jam sulmuar.
Me sulmuesit ishte profesori me të vëllanë oficer me serbët lokal. Korridori i gjimnazit mbushet me serbë, të cilët edhe pas përpjekjeve, nuk mund të vinin në rend për të më goditur. Ishin shumë. I vendosur për të mbetur gjallë a për të vdekur, i mbështetur për muri kisha zënë qoshen e klasës, buzë tavolinës time. Hajt të lavdërohem, a? Sa herë e çoja dorën, e zinte dike, ndërsa ata, nga kallaballëku, nuk vinin në rend secili për t’u kënaqur duke më rrahur. Me këtë rast, Tomë Mrijaj si vetëtima hap dritaren, që ndodhej në katin e parë, duke thyer xhamin e saj.
I pandikuar e i panxitur nga askush, Toma më del në ndihmë duke sjell sa mundte e me sa fuqi kishte, gjithnjë derisa ka ardhur milicia, e cila fill më ka burgosur. Nuk besoj se dikush nga serbë ka mundur ta godasë Tomën. Nuk e them këtë, pse tash pas sa vitesh më duhet ta them. Jo! Ishte energjik. Rrezatonte forcë. Tomën e njohja kaherë, ndonëse nuk kishim muhabet afrie a miqësie, ku ta di se çfarë? Por, pikërisht kjo e bënte atëherë e sot Tomën trim të idealit kombëtar. Mua pastaj më dënuan me 2 muaj burg dhe për sa vjet nuk pata të drejtë punësimi.”
Atdheu në zemrën e mërgimtarit Mrijaj
Më pas me një tren tjetër Toma udhëtoi drejt Parisit, ku, qëndroi për tre vjet. Meqenëse ishte i rregjistruar në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, vendosi të vijoi studimet e larta më korrespondence, për të mos rënë në sy në vendin e tij. Ai ka udhëtuar në Prishtinë, gjatë kohës që kishte provimet universitare.
Me ardhjen e tij në New York, duke qenë një i ri plot energji dhe endrra, për ta parë vendlindjen të çliruar nga nata e gjatë e makinës shfarosëse të pushtimit shekullor serb, Toma i ri menjëherë në vitin 1978 u përfshi në lëvizjet patriotike të diasporës në Amerikë.
Bujarinë e tij e njohin të gjithë, mbasi ai gjithnjë është shprehur i gatshëm për të ndihmuar talentet e reja pa dallim feje e krahine, në fushën e studimeve dhe publiçistikës, duke dhënë kontribut financiarë, për botime të krijimeve dhe studimeve të tyre të para.
Në çdo aktivitet patriotik si për mbledhjen e ndihmave financiare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, familjet e varfëra në nevojë, rindërtimin e Kosovës, ngritjen e busteve, xhamiave dhe kishave në Kosovë, ka qenë e pranishme edhe zemra dhe bujaria e Tomë Mrijës me familje, duke dhënë shuma të ndryshme, sipas nevojës së njerëzve dhe komunitetit këtu.
Ai ka marrë pjesë në çdo demonstratë, për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, përkrah personaliteteve të shquara antikomuniste në krye të të cilëve gjithnjë qendronte lideri dhe meshtari patriot mons. dr. Zef Oroshi etj., si dhe për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës nga nata e gjatë e pushtimit barbarë serb.
Hulumtimet dhe begatia intelektuale botuese
Toma, është marrë qysh herët me publiçistikë, ku, ka shkruar përjetime, poezi, portrete historike, etj. si bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave, që botohen në trojet etnike shqiptare dhe diasporë.
Nga hulumtimet e bëra, del se shkrimet e tij mund të gjenden, në faqet e shumë gazetave dhe revistave, si: Lidhja e Prizrenit, Dielli, Illyria, Jeta Katolike, Zani i Shna Ndout, Shkodra, Kumbona e së Diellës, Illyricum, Dielli Demokristian, Kuq e Zi, Lajmtari i të Merguemit, Bota Sot, Kosova Press, 55, Mapo, Shqipnia Etnike, Balli Kombëtar, etj.
Studiuesi Mrijaj, ka shkruar parathëniet e shumë librave jetëshkrimorë, sikurse ka në proçes disa libra të tjerë me tematikë të larmishme historike, që më vonë do t’i botoj.
Vatristi veteran Mrijaj, është njeri ndër organizatorët e shumë simpoziumeve dhe akademive kulturore e përkujtimore të mbajtura në atdhe e diasporë.
Ai ka hedhur dritë dhe zbardhur fakte, përmes hulumtimeve serioze historiko shkencore të shumë figurave të lënë me qëllim në harresë, në kohën e komunizmit dhe sot, në Shqipëri dhe Kosovë, tema të cilat janë botuar rregullisht në librin: E Djathta Shqiptare në Mbrotje të Shqipërisë Etnike (I-XVII).
T. Mrijaj, ka ligjëruar për personalitetet e tilla, si: Kapidani i Mirditës juristi Ndue Gjomarku, Kapidan Markagjoni, themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë mons. dr. Zef Oroshi, liderin atdhetar dhe udhëheqësin shpirtëror të komunitetit shqiptaro amerikanë dom Anton Kçirën, Ipeshkvin e Kosovës imzot Mark Sopin, Presidentin dr. Ibrahim Rugovën, Kontributi i lugdrinasve dhe klerit katolik në Kosovë për Shpalljen e Pavarësisë, heroinën Marie Shllaku, parashutistin prof. Alush Leshanaku, prof. Luan Gashi, trimin e pamposhtur nacionalist Ndue Përlleshi, Palush Marleku, Kapiten Gjon Destanisha, Ndoc Mirakaj, Kolonel Xhemal Laçi etj.
Ky libër i ri, që ka në dorë lexuesi mbarëshqiptar, është përgatitur nën përkujdesin e një grupi miks studiuesish nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora, duke hulumtuar prej kohësh në jetën dhe veprimtarinë patriotike e publicistike të studiuesit shqiptaro amerikanë Tomë Mrijaj.
Në këtë vepër, mbi të gjitha spikasin artikujt kritik me profil analitik mbi prodhimtarinë e librave studimorë historik, të shkruar nga hulumtuesi i palodhur Tomë Mrijaj, ku, ndër të tjera janë përfshirë edhe autorë të tjerë, si: Prof. dr. Mentor Quku, prof. dr. Riza Sadiku, Mërgim Korça, Eugjen Merlika, Bep Kuqani, Klajd Kapinova, prof. Prend Buzhala, Shefqet Dibrani, Mikel Gojani, Avni Bilalli, Eleonora & Kostandin Gjoka, Leonora Laçi, Lekë Mrijaj, Beqir Sina, Mr.sc. Nue Oroshi, Selman Etemaj, Sadri Morina, Loreta L. Mrijaj, Binak Syla, Prof. Prend Buzhala, Pal Canaj etj.
Erudisti brilant dr. Oroshi dhe biografi i tij studiuesi Tomë Mrijaj
Një bashkëpunim të ngushtë Toma do të kishte edhe me personalitetin e madhe të botës shqiptare në diasporë Monsinjor dr. Zef Oroshin (1912-1989), themeluesin e Qendrës dhe Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”, Hartsdale, New York), i cili, falë pasionit të madh që kishte për kulturën dhe shtypin katolik, ai e merrte me vete makinën e shtypit të revistës Jeta Katholike Shqiptare (1962), që themeloi dhe drejtoi deri sa kaloi në amshim.
Ai i korrigjonte dhe redaktonte me shumë kujdes shkrimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të revistës. Kjo vinte nga fakti, se Oroshi librat i kishte pasion dhe ushqim shpirtëror, sepse Urdhrat Katolike dhe posaçërisht Etërit Françeskan dhe Jezuit, në qytetin e lashtë të Shkodrës e kishin për traditë shtypin e lirë, demokratik dhe luajal, si një tryezë e hapur bashkëbisedimi të lirë mediatik, kulturorë dhe shkencorë asokohe, për të gjithë mendimtarët progresistë shqiptarë dhe të huaj të kohës ndër shekuj.
Studiuesi Mrijaj, grishi historinë e shkurtër të kohës fakt pas fakti, rriti dhe zgjeroi strukturën e veprave shkrimore, duke futur në penën e tij subjektet, që janë plazmor në strukturën e dorëshkrimit, tashmë të kthyer në libra jetëshkrimorë, për t’a njohur të gjithë lexuesit mbarëshqiptarë.
Sipas studiuesit dhe publicistit Tomë Mrijaj, klerikët Noli dhe Oroshi, janë dy figura të spikatura të komunitetit shqiptaro amerikanë, të cilët nga studiuesit e sotshëm nuk janë lëvruar.
Oroshi, portretizon shumë bukur mikun e tij të dashur imzot Fan Stilian Nolin dhe komunitetin ortodoks në Boston. Pikërisht përjetimet e veta mbresëlënëse për Nolin dhe frymën dashamirëse ekumenike të tij, kleriku katolik mirditor, i përshkruan në punimin që ia dedikon tërësisht atij në shenjë nderimi dhe respekti, që ai ka bërë jo vetëm si Ipeshkëv i besimtarëve të vet, por edhe si një atdhetar i madh, intelektual erudit etj.
Mons. Oroshi, ishte ekumenik i papërsëritshëm, vizionar, largpamës dhe me kuraje të fortë civile dhe fetare, burrë i matur e i përvuajtur, bari i përshpirtshëm dhe atdhetari i flaktë për lirinë e popullit të vet në Shqipëri.
Pikërisht gjatë kësaj kohe, në 20-vjetorin e kalimit në amshim (1989-2009) të mons. dr. Zef Oroshit, u mbajt mesha për shpirtin e bariut shpirtëror dom Zefit, sikurse e thirrnin të gjithë këtu, ku, kisha katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, përkujtoj themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në meshën e përshpirtshme, morën pjese mbi 1500 vetë. Në ceremoni përkujtimore erdhi edhe miku i tij meshtari dhe famullitari i nderuar dom Anton Kçira, famullitar i kishës katolike shqiptare shën Pali në Detroit (Michigan), i cili, në predikimin e tij vlerësoi shumë lart figurën e personalitetit të madh të botës shqiptare, i cili, padrejtësisht është lënë në harresë nga media dhe historiografia komuniste dhe postkomuniste në Shqipëri.
Më 15 mars 2009, u zhvillua promovimi i monografisë së studiuesit Tomë Mrijaj: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe” (Jetëshkrim, New York, 2009), pranë Qendrës Kulturore “Nënë Tereza”, në kishën katolike “Zoja e Shkodrës”, ku, u fol gjerësisht, për jetën dhe veprën e mons. dr. Oroshit, nga referuesit: Tonin Mirakaj, prof. Mentor Quku (1939-2014), gazetari i Zërit të Amerikës Astrit Lulushi, redaktori i librit studiuesi e gazetari Klajd Kapinova, gazetari Beqir Sina, prof. Azem Gjidija, editori i revistës “Jeta Katolike” Mark K. Shkreli, prof. Prend Buzhala, Bep Kuqani, Vasil Marku, Leonora Gjoka, studiuesja Leonora Lajçi, etj.
Tharmi atdhetar e ndjeshmëria nacionale, shërbei si lëndë e parë, në fillim të shek. XXI, për studiuesin Tomë Mrijaj, që të rreshtoj e ofroi dëshmi tronditëse, refleksione e vlerësime historike, të cilat jepen me një përkujdesje serioze dhe përshkrime interesante në të gjithë librat e tij.
Intelektualët dhe patriotët e lirisë së Shqipërisë dhe Kosovës etnike, ekzistencën e tyre e mbështetën vetëm në vlerat e pastra dhe të larta morale, të traditës së kulluar nacionaliste.
Këto botime njëra mbas tjetrës, nga një autor në diasporën shqiptaro amerikane, përbën një kontribut të ri, në sqarimin e disa momenteve me peshë historike, në çuarjen më përpara të mendimit tonë historik, sa i përket studimit të nacionalizmës përparimtare shqiptare, si dhe problemeve të tjera historike, që lidhen me figurën historike të së kaluarës të pushkatuar nga sllavokomunistët.
Personaliteti i shquar i diasporës bariu shpirtëror dom Anton Kçira dhe biografi i tij Tomë Mrijaj
Hulumtuesi dhe studiuesi skrupuloz Tomë Mrijaj, është gjithashtu autor i dy librat shumë interesant kushtuar linderit dhe personalitetit të shquar të botës shqiptare në diasporë dhe vendlindje dom Anton Kçirës, me titull: “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut”, Monografi, botuar në Shkodër, 2002 dhe “Dom Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë”, Shkodër, 2017.
Mrijaj, thekson se kisha katolike shqiptare e shën Palit dhe shën Pjetrit në Detroit (MI), është një katedrale, më e madhja në botën shqiptare dhe një muze i gjallë historik ose pasqyra e trojeve etnike shqiptare në miniaturë.
Toma, ka hulumtuar dhe sistemuar tërë materialet studimore, si një bletë punëtore, me durim dhe përkujdesje të veçantë. Ai, përpunoi brumin historik mbi çdo gjë, që lidhet me jetën dhe kontributin e përsonazheve historike të veprave të tij.
Është me interes të theksohet se asokohe Kryesia e Lidhjes së Prizrenit me Qendër në New York dhe degët e saj nëpër shtete e qytete të ndryshme nëpër botë e priti me kënaqësi të veçantë ftesën e Këshillit Organizues, pranë kishës së shën Palit në Detroit (Michigan), për kremtimin e 70-vjetorit të lindjes së meshtarit të madh të komunitetit shqiptaro amerikanë dom Anton Kçirës.
Nga kujtimet historike të paharruara të tij për meshtarin patriot Anton Pashk Kçira, mësojmë se qysh në moshën e adoleshencës, ai kam pasur fatin, nderin, privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të njihem nga afër me jetën e veprën e bariut shpirtëror Kçira, qysh kur kleriku i nderuar ishte meshtarë në vendlindje në Dardani.
Një koincidencë historike, sot është dëshmitare e kujtimeve të tij. Kështu më 13 qershor të vitit 1968, Toma i ri, kishte patur nderin dhe privilegjin të marrë pjesë në meshën kryesore të Ditës së shna Ndout (Shën Antonit), që është edhe dita e emrit të vetë meshtarit.
Gjatë predikimit plot elokuencë bariu i përvuajtur shpirtëror, ishte i sigurt në përcjelljen e mesazheve fetare dhe atdhetare tek besimtarët e shumtë, që asokohe kishin ardhur nga shumë zona të largëta për ta dëgjuar.
Dom Antoni. kishte rënë shumë shpejt në sy të keq tek pushteti sllavo komunist i ish Jugosllavisë asokohe, që kishte vënë agjentët e UDB-së, që mbetën të habitur nga fjalët plot urrejtje kundër komunizmit…
Ai, kujton studiuesi Mrijaj, që e dinte se UDB-ja ishte prezent me njerëzit e vet, nuk i bënte syri tërr. Mbas meshës krahas urimit të ditës së emrit, ai mori përgëzimet nga Ipeshkvi dhe meshtarët e tjerë bashkëcelebrues për predikimet e tij me nivel patriotik dhe shpirtërisht për popullin besimtar. Ishte një rast i rrallë, që një meshtari të ri t’i caktohet nderi të kryesojë meshën dhe predikimin para mijëra besimtarëve.
Kapidani i Mirditës dhe Toma
Të shpeshta dhe të paharruar për mua dhe studiuesin Tomë Mrijaj, kanë qenë takimet private në shtëpinë e Kapidanit të Mirditës juristit Ndue Gjomarkut në qytetin Queens, New York.
Aty vazhdimisht kemi zhvilluar me orë të tëra biseda të thella, me përmbajtje të larmishme kulturore, historike, rezistencën antikomuniste, figurat e shquara të botës shqiptare në diasporën e SHBA-së dhe Europë.
Të ndjerët nacionalistët Kapidani Ndue Gjomarku dhe vëllai i tij Nikolla e donin shumë Tomën, sepse kishin parë tek ai cilësitë më të mira të burrërisë dhe besnikërisë tipike shqiptare.
Ata dhe shumë të tjerë, që në pamundësi për t’i përmendur të gjithë ishin me të vërtetë një shkollë historie me vlera pozitive, ndryshe nga sa është shkruar dhe hedhur baltë për shumë dekada me radhë nga historiografia komuniste dhe regjimi i saj në Tiranë.
Sikurse është cituar shpesh nga autorët e shkrimeve të ndryshme mbi personalitetin e studiuesit Tomë Mrijaj, del se ai ka njohje shumë të mirë të disa nga personaliteteve të diasporës në SHBA, ku, një pjesë të mirë të tyre i ka njohur nga afër në situate dhe rrethana të ndryshme historike.
Për nga kujtesa dhe larmia e temave me përmbatje të pastër historike dhe nacionaliste, ai është një dëshmitar. Mrijaj, shumë nga këto biseda dhe takime historike, i ka hedhur në kartën e bardhë, duke shkruar libra dhe artikuj të ndryshëm, në shtypin e përditshëm në SHBA dhe vendlindje.
Në çdo çast, kur përmendet emri i Kapidanit të Mirditës Ndue Gjonmarku, Tomës, i rizgjohen kujtime të hershme të paharruara dhe shumë domethënëse, për këtë pinjollë të derës së famshme, që ka një histori të lavdishme shumë shekullore.
Kur lexon sot bilancin e hidhur, që përjetoi Dera e famshme e Kapidanëve të Mirditës, shohim, se kjo principatë, është ndera dhe krenaria jonë e ligjshme, që mundi të mbijetoi me stërmundime për 5 shekuj mizorisë otomane, por që për hironi të fatit të keq, u tjetërsua (bijtë më të mirë të Derës së Kapidanëve) u vranë, u burgosën (torturuan mizorisht deri në vdekje), u internuan familjarisht, në kampet e përqendrimit, u vodhën dhe shkatërruan të gjithë pasurinë materiale, dokumentare dhe sekuestruan kullat e famshme historike në Orosh të Mirditës dhe në qytetin e Shkodrës…).
Studiuesi Mrijaj dhe monografia për martiren antikomuniste Marie Shllaku
Martirët e historisë të të gjithë kohërave, me madhështinë e stoicizmit të tyre të gjatë, falë fakteve të reja, që ruan nëna histori, dalin nga labirintet e heshtjes në momentin e përshtatshëm, kur populli ka nevojë më së shumti për ta. Si të tillë, ata sëbashku futën në historinë nacionale në vendin e merituar, pranë librit të madh të kujtesës dhe mirënjohjes së përhershme popullore.
Vepra jetëshkrimore e studiuesit Tomë Mrijaj: “Marie Shllaku – bijë e Shkodrës martire e Kosovës” New York, 2004, është një rreze drite në errësirën e madhe, që ka mbuluar për dekada historiografinë e figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar, që luftuan tërë jetën e shkurtër që kishin, për idealin dhe qëllimin fisnik të të parëve të tyre, bashkimin e tërësisë së trojeve etnike shqiptare.
Pasi u pushtua dhe u aneksua Kosova më 1945, dhe pasi u ngrit muri më makabër i ndarjes ndërmjet shqiptarëve, regjimi i juntës ushtarake serbe, nuk kurseu asgjë, për t’a terrorizuar, masakruar, përndjekur dhe asgjësuar popullsinë e pafajshme shqiptare, që u robërua nga kjo makinë shfarosëse dhe shpesh me ndihmën e ingranazheve puthadorë e lajkatarë, për fat të keq shqiptarë.
Shqiptarët në Dardani, nga një luftë e hapur patriotike, u detyruan, të ndryshojnë taktikë, duke kaluar në ilegalitet. Ata formojnë organizata politike, me përmbajtje të shëndoshë patriotike, për bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
Përkushtimi ndaj nacionalistëve martirë të nacionit, përbën një detyrim, për çdo pendë, që të përcjell me përkushtim brendinë e ngjarjeve historike, duke zbardhur figurën e pastër e të pasur atdhetare të Marie Shllakut, që sakrifikoi çdo gjë, për të bërë nacionin e vet të pavdekshëm dhe nacioni si shpagim e nderon, duke e bërë atë të përjetshme.
Në këtë aspekt, libri i studiuesit Mrijaj, hedh dritë mbi veprimtarinë e vajzës shkodrane, që jetën ia fali në lulen e rinisë Kosovës martire, duke pasur në mendje e zemër emblemën e rezistencës, kundër ballinës së përbashkët komuniste të ashtuquajtur partizan shqiptaro sllav.
Përkundrejt gjendjes së re, popullsia autoktone e dardanëve, çdo orë, ditë, muaj e vite, kishte grumbulluar në gjoks një lëmsh të madh zemërimi të natyrshëm. Ata, u rilindën dhe nisën të organizojnë lëvizje, protesta, revolta të organizuara e spontane dhe filluan t’a shprehin në mënyra të ndryshme organizimi.
Populli shqiptar, ka një histori shumë të trazuar, e cila, ka kaluar nëpër kapërcej të ndryshëm kohorë. Këtë histori e përshkojnë momente të hidhura të jetës dhe të veprave të shqiptarëve.
Sikurse dihet tradicionalisht çdo popull, ka historinë e vet dhe figurave të shquara patriotike, në aspektin e zhvillimit të ngjarjeve, që përbëjnë palcën etnike të nacionalizimit, me të cilën mbijetoi në shekuj.


