Don Lush Gjergji, Prishtinë
(Direktori mbi shërbimin dhe jetën meshtarake)
Çdo njeri është disi i “kryqëzuar” mes mundësive dhe pamundësive, trupit, psikës dhe shpirtit, dëshirave dhe kufizimeve, të kaluares, të tashmes dhe ardhmërisë, tokës dhe qiellit…
Edhe për ne meshtarët gjithnjë e më tepër shtrohet kjo pyetje: si të jetojmë dhe veprojmë sot si njerëz të kushtuar, dëshmitarë të fesë dhe të dashurisë? Si ta jetësojmë meshtarinë, kur shumë faktorë, gati çdo gjë është kundër Zotit, fesë, përshpirtërisë, moralit, jo më me ateizmin luftarak dhe ideologjik, por me ateizmin praktik, me idiferentizmin dhe materilaizmin lakmues, me konsumizmin mashtrues, me hedonizmin shkatërrues, me profanimin dhe manipulimin e jetës, shvlerësimin e vlerave dhe të virtyteve!
Pyetjet dhe shqyrtimet e tilla gati na detyrojnë të mendojmë për jetën tonë meshtarake, si dhe për rrethanat e kohës dhe të hapësirave tona. Jetojmë vazhdimisht në “ethe”, në ankth, në kërkime të risive, në formimin e modeleve të reja. Si duket e vjetra, tradicionalja rrënohet me shpejtësi të madhe dhe pa mëshirë, e reja ende nuk është e qartë, e sigurt, e përcaktuar, e ne duhet jetuar dhe vepruar gjithnjë, edhe në këto kundërthënie.
Nuk flitet më vetëm për konfliktin e brezeve, si dukuri e rëndomtë dhe e pashmangshme për çdo vend dhe kohë, por për diçka më të thellë dhe më të rëndë, për “shkëputjen” e brezave, për mungesën e modeleve kulturore, shpirtërore, kombëtare, fetare, për jetën e njerëzve nën ndikimin e rastit, rethanave, pa ndonjë projekt dhe vazhdimësi.
Pantha rei – gjithçka ndërrohet, por si, deri kur dhe deri ku, a ndryshon për mirë apo për keq? E ne, ku jemi dhe ku mbetëm në këto “gara”, mos të them “çmenduri”?
Papa Shën Gjon Pali II në vitin 1992 e ka shpallur nxitoren apostolike “PASTOREM DABO VOBIS”, si dokument bazik pas-sinodal dhe si porosi për të gjithë meshtarët e botës, duke theksuar sidomos “aftësinë për realizimin e stilit të jetës baritore” (Pastorem dabo vobis, nr. 18).
Pse kërkohet kjo gjë prej nesh? Sepse jemi të ftuar pikësëpari që ungjillëzimin e ri ta bëjmë veprues dhe të suksesshëm, e kjo mund të bëhet vetëm nëse e gjejmë veten në Zotin, në Kishë, në botën e sotme, kuptohet, me identitetin dhe personalitetin tonë meshtarak të qartë dhe të pacenueshëm.
Për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, shumë ipeshkvi gjatë Sinodit të vitit 1990 kanë kërkuar DIREKTORIN mbi jetën dhe punën e meshtarëve, dihet, me pjesëmarrje të gjitha Konferencave Ipeshkvore të botës, si dhe të ekspertëve të lëmijve të ndryshme. Kështu erdhi deri te përpunimi dhe shpallja e DIREKTORIT MBI SHËRBIMIN DHE JETËN MESHTARAKE, që u paraqit botërisht më 22 mars 1994.
Ndoshta fatkeqësisht mbeti pak i njohur, edhe më pak pranohet, studjohet dhe zbatohet në jetën tonë meshtarake.
Ky Direktori është një lloj vazhdimësie i nxitores apostolike Pastorem dabo vobis, dhe ndahet në tri pjesë: Identiteti meshtarak; II. Përshpirtëria meshtarake; III. Edukimi meshtarak në vazhdimësi.
Unë do ta shqyrtoj vetëm pjesën e dytë, atë mbi përshpirtërinë, sepse më duket se për ne është i nevojshëm, i dobishëm dhe me rëndësi mjaft konkrete.
Meshtari, si edhe çdo njeri tjetër, jeton dhe vepron në ndonjë kontekst të jetës dhe “matet” me botën e sotme duke u gjetur gjithnjë para sfidave të reja. Këto sfida janë “shenjat e kohës”, të cilat lypset shpjeguar, vlerësuar dhe pranuar në prizmën e “dritës së fesë”, për të qenë edhe “shenja të pranisë së Zotit” (Khs. Direttorio per il ministero e la vita dei presbiteri, Libraria Editrice Vaticana, 1994, nr. 34).
Sot meshtari është i angazhuar në shumë lëmi baritore, e kjo kërkon “përgatitjen intelektuale, por sidomos jetën shpirtërore të thellë dhe të pjekur”, që ky shërbim të jetë vërtet baritor (Khs. Direttorio, vep. e cit. nr. 34). Nevoja e madhe dhe e rëndësishme e ungjillëzimit të ri, që të jenë bartës të shpresës e cila mbështet në ngjalljen e Jezu Krishtit, “fitorja përfundimtare mbi mëkatin, vdekjen, porosia e parë dhe kryesore e shëlbimit të botës” (Direttorio, vep. e cit. 35).
E tërë jeta dhe veprimtaria jonë do të ishte e kotë, e zbrazët, e dështuar, e pakuptimët, e pamundshme, nëse nuk do të themelohej në jetën shpirtërore, sepse “ne jemi të lindur në lutjen e mrekullueshme të Jezusit drejtuar Atit:
“Nuk po të lutem t’i marrësh prej botës, por t’i ruash nga i Keqi. Ata nuk i përkasin botës, sikurse as unë nuk i përkas botës. Shenjtërojë në të vërtetën. Fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më dërgove në botë, po ashtu edhe unë i dërgoj në botë. Për ta /unë/ e kushtoj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën. Nuk po të lutem vetëm për këta, por edhe për të gjithë ata, që, për shkak të fjalës së tyre do të besojnë në mua” (Gjn 17, 15-20).
Në këtë lutje i gjejmë të gjitha elementet për jetën dhe veprimtarinë tonë, sidomos:
Jo ikjen apo largimin prej botës (Khs. Gjn 17, 15); por edhe vetëdija e plotë se i Keqi, e keqja, mëkati, bota në kuptimin e Gjonit, është më e fortë se ne pa Jezusin, kurse me Krishtin dhe në Krishtin, ne tashmë jemi të lirë, nëse vërtet jetojmë të “shortuar” në Krishtin;
Jezusi qartas na thotë se jemi në këtë botë, por jo edhe të modeluar sipas shijeve të kësaj bote, si edhe ai, dhe mu nga kjo doemos lind urrejtja dhe dëbimi i botës, si ndaj Jezusit, ashtu edhe ndaj neve (Khs. Gjn 17, 16-17);
Dërgimi i Jezusit është yni, dhe kjo ndërlidhet kështu: Ati e dërgoi Jezusin në botë, e ai tash na dërgon neve, për ta dëshmuar të vërtetën dhe dashurinë (Khs. Gjn 17, 17-18);
Sikurse Krishti e kushtoi jetën e vet për ne, po ashtu edhe ne duhet të jemi plotësisht të kushtuar për të qenë “të shenjtëruar në të vërtetën” (Gjn 17, 19);
Apo qortimi i Jezusit: “A mund t’i prijë i verbëri të verbërit? A thua s’do të bien të dy në gropë” (Lk 9, 35).
Prifti nëpërmjet përshpirtërisë “duhet të hyjë në sintoni (lidhje) të posaçme dhe të thellë me Krishtin, Bariun e Mirë, i cili është dhe mbetet protagonisti i vetëm dhe kryesor i çdo veprimtarie baritore” (Direttorio, vep. e cit. 38).
Direktori thekson po ashtu edhe programin e jetës së rregulltë shpirtërore në këtë mënyrë: çdo ditë kremtimi eukaristik me përgatitje dhe falënderim përkatës, rrëfimi i shpeshtë, lutja e përditshme dhe e përshpirtshme e breviarit, rrëmimi i ndërgjegjes, kohë të gjata të lutjes dhe të dialogut me Zoitin, sidomos gjatë ushtrimeve dhe përtrirjeve shpirtërore (Khs. Direttorio, nr. 39).
Porositet ngrohtësisht përshpirtëria ndaj të Lumes Mari Virgjër, lutja dhe meditimi i rruzares, udha e kryqit, leximi i jetës së shenjtërve…
“Kujdesi për jetën shpirtërore duhet të jetë si detyrë e hareshme e meshtarëve, por edhe si e drejtë e besimtarëve, të cilët me vetëdija apo pa vetëdije në meshtarin e kërkojnë Zotin, këshilltarin, ndërmejtësuesin e paqes, mikun besnik dhe të urtë, udhëheqësin e sigurtë në çaste më të vështira të jetës, që të gjejnë në të guxim dhe siguri” (Direttorio, vep. e cit. nr. 39).
Për arsye të shumë punëve, detyrave, shqetësimeve, meshtari sot është i “copëtuar” dhe i robëruar nga “veprimtaritë e jashtme” për të tjerët, duke lënë pasdore jetën shpirtërore, Zotin, thirrjen.
Këto dhe tundimet e ngjashme, që janë mjaft të rrezikshme dhe shumë dinake, mund t’i mposhtim vetëm me metodologjinë dhe praninë e Krishtit:
“Pastaj u ngjit në mal e i thrri ata që deshi vetë. Ata shkuan tek ai. Dhe i emëroi të Dymbëdhjetët (të cilët edhe i quajti apostuj), që të jenë me të e t’i dërgojë të predikojnë e të kanë pushtetin t’i dëbojnë djajtë” (Mk 3, 13-14; Khs. Direttorio, nr. 40).
Së pari të JENË ME TË, e vetëm pastaj të predikojnë, të shërojnë, të bëjnë mirë… Kjo domethënë për ne shumë, sepse mos të harrojmë se çdo verpim yni që nuk ngjizet, nuk lind, nuk përcillet, nuk është fryt i FESË dhe i DASHURISË është VETËVRASJE për ne meshtarët, e pastaj mund të jetë edhe vrasje, shkatërrim i të tjerëve.
Këtë të vërtetë unë e kam përmbledhur kështu: S’ KA VEPRIM PA DËRGIM!
Vetë Jezusi i ka dhënë përparësi uratës, bisedës me Atin, për ta kryer vullnetin e tij, në heshtje, në vetmi, në flijim (Khs. Lk 3, 21-22; 6, 12; Mt 14, 19; 15, 36; Mk 6, 41; Gjn 6, 11-).
Në këtë stil dhe jetë na fton edhe Kisha qysh prej shugurimit meshtarak, kur ipeshkvi na ka qortuar me këto fjalë: “Beso atë çka lexon, mëso atë që beson, zbato atë që mëson” (Direttorio, nr. 41).
“Si Jezusi që ishte gjithnjë me Atin e tij, në rastet e vetmisë (Krhs. Lk 3, 22; Mk 1, 35), ashtu edhe meshtari duhet të jetë njeri që në vetmi e gjen bashkimin me Zotin” (Direttorio, nr. 42).
Çdo veprimtari apo kujdes baritor duhet ta “shfaqë dashurinë e Krishtit… dhurimin e plotë të vetvetes për të mirën e grigjës që na është besuar” (Direttorio, nr. 42).
Fuqia jonë është urata, meditimi, adhurimi, si dhe përshpirtëritë tjera, që ta mundim tundimin e “aktivizmit” apo t’ “funksionalizmit”, mos të them edhe të farizeizmit, që të jemi meshtarë sa për sy e faqe, me “disa veprime, shërbime, pa zemër, në rolin e “lojës” së meshtarit” (Direttorio, nr. 44).
Ne jemi të ftuar t’u predikojmë njerëzve të sotshëm Lajmin e Gëzuar të Ungjillit, shëlbimin, dashurinë, faljen, paqen, solidaritetin, por “përparësi ka dëshmia me jetë që e zbulon fuqinë dhe dashurinë e Zotit dhe fjalën e tij e bën bindëse” (Direttorio, nr. 45).
Përpos predikimit, vend të rëndësishëm dhe tejet të madh ka edhe katekizmi, apo edukimi në fe, si “mësues dhe edukues të fesë” (Direttorio, nr. 47).
Direktori udhëzon kremtimin e përditshëm të eukaristisë, “edhe pa praninë e besimtarëve… sepse ajo është pika qendrore e ditës dhe e jetës sonë” (Direttorio, nr. 48-49). Kjo lidhje dhe ky bashkim me Krishtin i jep kuptim, përmbajtje, drejtim flijimit tonë, shërbimit ndaj besimtarëve, na lidh së pari me Zotin, me ipeshkvin, me njëri tjetrin, me të gjithë, që edhe ne të jemi “SOFRA” e gostisë dhe e dashurisë së Zotit për botën e sotme.
Nëse e kremtojmë mirë eukaristinë, atëherë nuk do ta shtrojmë vetëm Sofrën e Fjalës dhe atë të Pranisë dhe Dashurisë së Zotit, por ngadalë edhe ne do t’i përngjajmë Krishti, Sofrës hyjnore duke u flijuar dhe dhurar si ai, së bashku me të, “për shëlbimin e të gjithëve”.
Direktori ngrohtësisht udhëzon adhurimin, si personal, ashtu edhe në bashkësi, si shoqërim me Krishtin, kërkim i porosisë dhe pranisë së tij për ne dhe për besimtarët, për çdo njeri, dhe si lutje që gjithnjë të bashkëjetojmë dhe bashkëpunojmë me Krishtin dhe me njëri-tjetrin.
“Eukaristia krijon bashkësinë dhe edukon për bashkësi” thotë Gjon Pali II në “Ecclesia de Eucharistia”, 2003, nr. 40 dhe vazhdon: “Në shenjën e thjeshtë të bukës dhe të vërës, të shndëruara në korpin dhe në gjakun e tij, Jezusi udhëton me ne, si fuqia dhe ushqimi pajisës për udhëtim, dhe na bën të gjithëve dëshmitarë të shpresës” (Ecclesia de Eucharistia, nr. 62).
Dekreti qartas e shpjegon lidhjen mes meshtarisë dhe eukaristisë duke thënë:
Meshtari egziston, jeton për bashkësinë, për atë lutet, studjon, punon dhe flijohet…, sepse kremton, ushqehet me Krishtin – eukaristinë, dhe pa meshtari s’ka as eukaristi, sikurse pa eukaristi s’do të kishte as meshtari, meshë, kungim, bashkim më të thellë, më të plotë, “parashijim parajse” në këtë botë (Khs. Direttorio, nr. 55).
Direktori e paraqet celibatin si “risi çliruese dhe dëshmi e radikalizmit për t’i përngjarë Krishtit dhe si shenjën e realitetit eskatologjik” (Direttorio, nr. 58).
Dëgjesa ndaj eprorëve, ndaj hirearkisë kishtare mund të jetë e vështirë, ndoshta edhe e paarsyeshme, bile edhe e padrejtë, së paku ashtu mund të na duket neve, por ajo duhet të ndërlidhet me dëgjesën, disponimin e plotë ndaj Krishtit, Kishës, si gatishmëri e tërësishme për flijim dhe dhurim të plotë. Vetëm kështu ajo do të jetë shenjë e përkatësisë së plotë Zotit, nëpërmjet Kishës, për të mirën dhe shërbimin e besimtarëve (Khs. Direttorio, nr. 61-62).
Prej këtij shqyrtimi panoramik të Direktorit ndoshta do të thuhet kështu: asgjë të re dhe të jashtëzakonshme! Po, ne jemi të ftuar dhe të dërguar që gjithnjë të jemi risi dashurie nëpërmes dhurimit dhe shërbimit tonë meshtarak ndaj Zotit, Kishës dhe popullit. Risia e “vjetër” dhe gjithnjë e re për ne është vetë Jezu Krishti, porosia dhe prania e tij e vazhdueshme në eukaristi, por edhe nëpërmjet jetës dhe shërbimeve – dëshmisë sonë. Nëpërmjet tij, me të dhe në të, edhe ne bëhemi risi, shenjtëri, dëshmi, sfidë për besimtarët tanë, por edhe për çdo njeri.
Kjo ka qenë, është dhe do të jetë thirrja, dërgimi dhe shërbimi meshtarak në çdo kohë dhe hapësirë.
Rëndësi të madhe ka edhe dëshmia nëpërmes varfërisë, me jetë të thjeshtë, pa u robëruar nga të mirat finasiare dhe materiale, si dhe shoqërimi me të varfër, të sëmurë, të nëpërkëmbur, ata që gjithnjë e rrethonin edhe Jezusin (Khs. Direttorio, nr 67).
Në fund të Direktorit flitet edhe për përshpirtërinë ndaj Marisë Virgjër, e cila mbështetet në lidhjen egzistenciale me Jezu Krishtin dhe me meshtarinë gjatë shekujve (Krhs. Direttorio, nr. 68).
“Si Gjoni nën kryq, ashtu çdo meshtari dorëzohet në mënyrë të veçantë Marisë si nënës” (Khs. Gjn 19, 26-27; Lexo: Gjon Pali II, Ecclesia de Eucharistia, 2003, nr. 53-58).
Ky Direktori dëshiron të na ndihmojë të gjithëve, ipeshkvijve, meshtarëve,
atyre që përgatiten për meshtari, që të jetojmë së pari dhuratën e madhe të Krishtit, meshtarinë, dhe si pasojë e kësaj edhe veprimet tona në kohë dhe në vende të caktuara nga provania e Zotit.
Thelbore është kjo: a jetoj unë meshtarinë, nga e cila lind dëshmia dhe veprimtaria?
Çdo angazhim shenjtërie, çdo veprim që ka për qëllim zbatimin e misionit të Kishës, çdo jetësim i planeve baritore duhet të nxjerrë fuqinë e nevojshme nga Misteri eukaristik, dhe nga ai duhet të drejtohet si pikë kulmore.”Në eukaristi është Jezusi, është flijimi i tij shëlbimprues, është ngjallja e tij, është dhurata e Shpirtit Shenjt, është adhurimi, dëgjesa dhe dëshmia e Atit. Nëse do ta braktisim eukaristinë, si do të mund ta përmirësojmë veprimtarinë” (Ecclesia de Eucharistia, nr. 6).
Sot ka shumë rreziqe dhe kurtha për jetën meshtarake, por edhe më tepër raste, mundësi dhe hire që na jep Zoti që nëpërmjet thirrjes – përshpirtërisë dhe deshmisë, veprimtarisë që të jemi në disponim dhe shërbim të plotë ndaj Zotit, Kishës dhe çdo njeriut.
Prishtinë, 8 nëntor 2022 – Radio Maria – Kosovë


