Nga: Lirim Gashi, Prizren
Është hipokrizi e kulluar dhe autogol politik të përpiqesh ta mashtrosh popullin me fjalë boshe, duke aktruar sikur po brengosesh për fatin e tij dhe po e qetëson, ndërkohë që po e zhyt në mjerim.
Si mund t’u thuash qytetarëve se është “normale” që çmimi i rrymës të rritet katë herë gjatë mandatit tënd, ndërkohë që tregtarët, distributorët dhe shitësit pa ndërgjegje, nga etja e tyre e pangopur për fitim, rrisin çdo ditë çmimin e bukës, vajit, barnave – dhe çdo gjëje tjetër që e mban trupin gjallë?
Të përpiqesh ta ngushëllosh popullin me një gjuhë të ftohtë teknokrate dhe të pafytyrë, duke theksuar rëndësinë e “konkurrencës së tregut”, ndërkohë që njerëzit – sidomos fëmijët – rrezikojnë të mbesin pa ngrohje, pa ushqim, pa shpresë – kjo nuk është politikë, kjo është tallje me jetët e tyre.
Një shtet që flet për tregje, ndërkohë që fëmijët nuk kanë qumësht, e ka humbur shpirtin.
Pikërisht në situata të tilla emergjente tregohet se sa vlen një elitë e vërtetë politike – nëse i njeh dhe i plotëson nevojat e të varfërve, pa i trajtuar ata si lypës dhe pa ua rrënuar atyre ndjenjën e dinjitetit, sepse dinjiteti i njeriut duhet të mbetet i paprekshëm.
Nëse jo – pse atëherë ata do të duhej të paguanin taksa për një shtet që i trajton si kafshë të egra të pyjeve të Serbisë?
Është një lloj hipokrizie që i kalon të gjitha kufijtë e njohur të ndërgjegjes njerëzore — një akt i neveritshëm aktorësh të vegjël politikë që ngjiten mbi skenën e një shteti të ligështuar dhe flasin me buzëqeshje të stampuara për “normalitet”, ndërkohë që në horizont dëgjohet ulërima e heshtur e një populli që po zvarritet drejt greminës. Kjo nuk është më politikë – kjo është një torturë e rafinuar e ndjenjave.
Si mund të flasësh për “rritje çmimesh” me fjalor zyrtar dhe gjuhë të sterilizuar, kur nën dritaren tënde – në atë lagje që kurrë nuk e sheh – një fëmijë shtrihet pa batanije dhe një nënë llogarit sa ditë mund të jetojë me një copë bukë dhe pak kripë?
E quan këtë ekonomi tregu?
Kjo nuk është ekonomi tregu. Kjo është një arenë mizore, ku vdesin të dobëtit dhe gërryejnë eshtrat e tyre sharlatanët e pasur.
E gjithë kjo skenë groteske ku politikanët i japin ngjyra teorike mjerimit praktik, është një teatër ku vetë djalli do turpërohej sikur të luante.
Sepse, të flasësh për “konkurrencë”, kur tregtarët vjedhin qumështin nga buzët e foshnjave, është një krim moral, një blasfemi e re që rrënon themelet e asaj që do të duhej të ishte një shoqëri.
Sepse një shtet që flet për tregje, ndërkohë që fëmijët nuk kanë qumësht, nuk është më shtet – është një aparat i zbrazët që ka vrarë shpirtin dhe e ka varrosur ndër dosje të ftohta dhe raporte me grafika.
Ai nuk mendon, nuk ndjen, nuk qan. Ai buzëqesh. Dhe ajo buzëqeshje është si ajo e përbindëshit mbi trupin e viktimës së tij.
Po ku është elita, ajo që duhej të jetë zemra dhe ndërgjegjja e popullit?
Ku janë ata që përmendin “ndihma sociale” si të ishin medalje nderi, ndërkohë që i trajtojnë të varfrit si krijesa gjysmë-njerëzore, pa zë, pa ndjenjë, pa dinjitet?
Jo! Dinjiteti nuk është një luks. Ai është fryma e fundit që mban një njeri gjallë edhe kur trupi i tij dridhet nga të ftohtit dhe stomaku ulërin nga uria.
Dhe kur një shtet lejon që dinjiteti të nëpërkëmbet, ai shtet ka marrë fund – sado flamuj të valëvitë mbi ndërtesat e tij të bukura.
Pse të paguajë populli taksa për një shtet që e trajton si bishë – si një kafshë të egër që i ikën plumbave në pyjet e Serbisë, ndërkohë që kërkon vetëm një strehë dhe një dorë që nuk e zhgënjen?
Në emër të cilit moral, në emër të cilës drejtësi, në emër të cilit Zot politik – u kërkoni atyre të duan një atdhe që s’u siguron as kushte minimale për jetesë, por vetëm premtime të shtrenjta si buka që s’mund ta blejnë?



