
___
Në rrëzë të maleve të Serres, në zemer të Siçilisë, ndodhet Palazzo Adriano, një vendbanim i lashte i rajonit sicilian. Por në fund të shekullit XV, ky qytet mori një kthesë të rëndësishme: me vendosjen e arbëreshëve të ardhur nga Shqipëria e Jugut pas rënies së Principatës së Kastriotëve. Palazzo Adriano u bë një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës arbëreshe në Siçili. Ka nga arbëreshë që besojnë te kenë ardhur nga Moreja e Peloponezit. Aty arbëreshët krijuan bashkësi që ruanin gjuhën, ritin bizantin, zakonet dhe kujtesën e një populli të përndjekur.

Arbëreshët krijuan një bashkësi të organizuar që ruajti për shekuj identitetin etno-gjuhësor dhe fetar. Në Palazzo Adriano, për shumë kohë bashkëjetuan dy realitete fetare dhe kulturore: latino-romane dhe greko-arbëreshe, me kisha të ndara dhe zakone të ndryshme.
Sot, pas shekujsh, në Palazzo Adriano jeton kjo trashëgimi. Ritet fetare, kostumet tradicionale, toponimet dhe struktura e qytetit ruajnë kujtesën e një pranie të fuqishme arbëreshe.
Banorët ndihen krenarë për prejardhjen e tyre dhe janë të lidhur me zakonet, por gjuha, si thelbi i këtij identiteti është thuajse e zhdukur nga jeta e përditshme.
Ende ka dashuri për gjuhën arbëreshe. Ata ruajnë traditën, mbajnë kostumet, njohin historinë e tyre dhe kanë një identitet të qartë si arbëreshë. Por gjuha nuk flitet. Është bëre një gjuhë muzeale, e pranishme vetëm në ceremoni, në këngë të ruajtura, apo në fjalë të shpërndara mes të moshuarve.

Sot, sfida e Palazzo Adrianos është rikthimi i gjuhës si gjuhë e gjalle në hapësira publike, shkolla, komunitet. Sepse pa gjuhën, kujtesa nis të fiket, dhe bashkë me të, edhe zëri i një populli të tërë, gjë që do të ndodhë, poqese nuk u ndërmorrën hapa të shpejtë, të njëjtë sikur në Kalabri), ku para pak muajsh u hap shkolla per mësimin e gjuhes arbëreshe.
Arkitektura e Palazzo Adrianos është nje ndërthurje e pasur e stileve mesdhetare, me ndikime të dukshme siciliane dhe elemente të traditës arbëreshe, qe e bëjnë këtë qytezë të vogël unike në kontekstin e jugut të Italisë.

Sheshi Qendror (Piazza Umberto I)
Piazza Umberto I në Palazzo Adriano është zemra historike, kulturore dhe shoqërore e kësaj qyteze arbëreshe në provincën e Palermos. Ajo nuk është vetëm një hapësirë urbane, por edhe një simbol i bashkëjetesës së kulturave dhe i identitetit të përzier që karakterizon këtë komunitet.
Arkitektura dhe rregullimi urban i saj
Sheshi është i rrethuar nga ndërtesa historike me ballkone me hekura të farkëtuara, dritare të vogla, dhe fasada të gurta, që pasqyrojnë ndikimet siciliane dhe arbëreshe.
Kalldrëmi i shtruar në mënyrë tradicionale dhe qetësia e hapësirës i japin një ndjesi autentike dhe të paepur nga modernizimi i vrullshëm. Sheshi ka një formë të rregullt, me hapësirë të bollshme për procesione, aktivitete dhe pushim. Ai është i rrethuar nga dy kisha të mëdha, një simbol i bashkëjetesës fetare dhe kulturore.

Piazza Umberto I është bërë e famshme në mbarë botën si skena kryesore e filmit “Nuovo Cinema Paradiso” (fitues i Çmimit Oscar).Kinemaja fiktive e filmit ishte ngritur pikërisht këtu. Në mes të sheshit, një fontanë e vogël shikon nga qielli i kaltër dhe shkathetësia e ujit që shpërndahet në shkumë të vogla është tingulli që mbush ajrin. Qetësia dhe bukuria e sheshit kanë lënë mbresa te mijëra vizitorë dhe e kanë shndërruar sheshin në një destinacion simbolik për dashamirësit e filmit dhe nostalgjisë.

Gjatë festave tradicionale si Pashkët apo Festa e Shën Nikollës, Piazza mbushet me banorë të veshur me kostume tradicionale arbëreshe, që mbajnë gjallë, këngët dhe ritet e paraardhësve të tyre. Flamuri arbëresh valon nëpër ballkone gjatë festimeve.

Ky shesh në çdo hap të lidh me të kaluarën dhe të tashmen e Palazzo Adriano, një qytet që mbështet një trashëgimi të fuqishme, si një amfiteatër i jetës dhe sikur fton shqitarërët si vëllëzër gjaku ta vizitojnë, ndërsa arbëreshët, sikur ata nga Hora e Arbëreshëve ta mbështesin në rikthim e gjuhës arbëreshe. Sot të gjithë sëbashku mund ta ndihmojmë këtë perlë arbëreshe, të rikthejë gjuhën dhe shkëlqimin e saj, nesër mund te jetë vonë!






